20.1 C
Prizren
E shtunë, 19 Prill, 2025

Një leksion nga Sarajeva

Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë”, e cila nuk po lejohet të jepet në Prizren, u dha në Sarajevë – përkundër presonit të madh politik. Një mesazh i fortë që arti duhet të frymojë lirshëm në shoqëritë e lira dhe demokratike dhe se me vlera, si liria e shprehjes, nuk mund të bëhet kompromis.

Imer Mushkolaj

Shfaqja nga Kosova “Të gjashtët kundër Turqisë” është dhënë në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, përkundër kundërrshtimeve të ambasadës turke atje. Por, kjo shfaqje nuk është lejuar të jepet në Prizren, po për shkak të kundërshtimit nga Turqia. Në Bosnjë shfaqja, prodhim i Qendrës Miultimedia, ka shkaktuar edhe reagime të tjera. Anëtari i Kuvendit të Kantonit të Sarajevës, Jasmin Shaljiq, iu kishte bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës që të ndikojnë që teatri të anulojë shfaqjen “fyese për autoritetet turke, e cila po arsyetohet me pretendimin se është liri artistike”. “Çfarë lirie artistike është kjo që të ofendojmë mbi 80 milionë turq, të ofendojmë udhëheqjen e Republikës mike të Turqisë dhe presidentin e saj me ndikim, Erdogan dhe këtë në një situatë politike të tillë, kur ndihma dhe ndikimi i Turqisë në skenën rajonale dhe botërore janë tejet të nevojshme – për shkak të një shfaqjeje së paku kontroverse nga Kosova….”, kishte thënë ai.

Ambasada e Turqisë në Bosnjë i kishte dërguar notë proteste Ministrisë së Jashtme, duke kërkuar ndalimin e shfaqjes. Megjithatë, menaxhmenti i teatrit nuk kishte ndërruar mendje. Drejtori i teatrit, regjisori Dino Mustafiq, kishte thënë se institucioni që ai udhëheq “nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”. “Arti në shoqëritë e lira dhe demokratike, vlera që ne i mbrojmë, nuk njeh kufizime tematike për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Kemi luftuar për vlera të tilla në çdo kohë dhe rrethana dhe kjo nuk mund të shembet me asnjë presion politik”, kishtë thënë ai.

Shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” me tekst të Jeton Nezirajt dhe në regji të Blerta Nezirajt autoritetet turke e cilësojnë si propagandë kundër Turqisë dhe presidentit të saj, përkatësisht propagandë në favor të FETO’s, organizatës të cilën Turqia e konsideron terroriste.

Pas premierës në Prishtinë, vitin e kaluar, shfaqja ka dështuar dy herë të jepet në Teatrin e Qytetit në Prizren. Zyrtarisht shkak i dështimit kanë qenë arsyet teknike, por autori beson se gjithçka ka të bëjë me presionin e Turqisë për ta ndaluar atë. Shfaqja flet për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 2018, nën dyshimet se ishin të lidhur me klerikun Fethullah Gylen, i cili akuzohej për organizim të puçit në Turqi në vitin 2016.

Ambasada e Turqisë në Kosovë kishte provuar që nëpërmjet Ministrisë së Kulturës të mos lejonte të jepej shfaqja, por ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, publikisht ishte solidarizuar me dramaturgun Neziraj.

* * *

Arti duhet të frymojë lirshëm në shoqëritë e lira dhe demokratike. “Kemi luftuar për vlera të tilla në çdo kohë dhe rrethana dhe kjo nuk mund të shembet me asnjë presion politik”. Kjo deklaratë e Dino Mustafiqit është shumë domethënëse. Tregon për rëndësinë e disa vlerave, me të cilat nuk bëhet kompromis, siç është liria e shprehjes, liria për t’i ofruar publikut qasje të ndryshme, me të cilat edhe mund të mos pajtohet, por të cilat duhet lejuar të shfaqen.

Bosnja dhe Hercegovina është një shoqëri e ndarë, më e ndarë sesa Kosova. Megjithatë, i ka dhënë shans publikut që ta shohë një shfaqje, për të cilën edhe mund të kenë kundërshti.

Arti ekziston edhe për të provokuar. Ose, më saktë, arti është provokim, ngre dilema dhe nxit debate. Nuk është kurrfarë krimi, as sakrilegji që të ndërtosh shfaqje, teatër politik, bazuar në një ngjarje të vërtetë. Përkundrazi, është kontribut, është thirrje për reflektim.

Andaj, shfaqja nuk ka arsye që të ndalohet për t’u dhënë në Prizren. Njerëzit duhet të kenë mundësinë ta shohin, ta vlerësojnë, ta gjykojnë. Njerëzit duhet të jenë të lirë ta përceptojnë mesazhin ashtu siç atyre iu vjen, madje edhe si ofendues. Por, kurrsesi të privohen nga e drejta për ta parë shfaqjen. Të mos harrojmë: “E drejta e lirisë së shprehjes përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë shtetërorë”./Dukagjini.com

Më Shumë

Komuna e Rahovecit pranon kërkesa për dëmet nga ngricat në bujqësi

Komuna e Rahovecit ka nisur pranimin e kërkesave për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ngricat e fundit në sektorin e perimeve dhe pemtarisë. “Njoftojmë...

BE-ja synon të ashpërsojë regjimin e vizave, rrezikohet edhe Kosova

(Radio Evropa e Lirë) Këtë vit, Bashkimi Evropian pritet të ashpërsojë mekanizmin e pezullimit të vizave, duke ia bërë më të lehtë Brukselit të...

E treta, e vërteta

Lajmet e Fundit