22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Njëqind ditët e pritjes së Haradinajt

ShkelzenMaliqiShkruan: SHKËLZEN MALIQI

Haradinaj po e përballon me disponim energjik pritjen njëqind ditësh, por objektivisht gjendet në situatën e Odiseut kur po kalonte ngushticën mes Skilës dhe Haribdës, pa e pasur kompasin politik që orienton drejt një qeverisjeje stabile dhe premtuese
Për fillim: Një rekapitullim i ngërçit të krijimit të qeverisë së re.

Pas 8 korrikut, Albin Kurti ishte i pari që publikisht doli me llogarinë dhe konceptin se si mund të bllokohet që Hashim Thaçi të mbetet edhe një mandat në pushtet, ndonëse me koalicionin “Misioni i ri” pat dal fitues relativ i zgjedhjeve.

“Misioni i ri” siguroi 37 deputetë, kurse katër partitë tjera shqiptare gjithsejt 63 deputet. Pos këtyre Kuvendi i Kosovës i ka në përbërje edhe 20 deputetët e partive të minoriteteve (ulëse të rezervuara).

Sipas llogarisë së Kurtit, por që mund ta bënte edhe një fillorist, nëse katër nga pesë partitë shqiptare që janë në përbërjen e Kuvendit të ri vendosin që të mos hyjnë në pazare për pushtet me PDK-në “fituese”, Hashim Thaçi assesi nuk do të mund ta fitonte mandatin e ri. Lëvizja Vetëvendosje kështu e kuptoj se cili është çelësi, por për suksesin e bllokadës i duhej bashkëpunimi i LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, me peshën prej 47 deputetëve, që me 16 deputetët e VV-së, teorikisht përbënin një mazhorancë solide qeveritare, dhe që do të zgjerohej edhe me deputetët e minoriteteve të cilët, sipas Kushtetutës, doemos duhet të përfshihen në Qeveri.

Entuziazmi anti-Thaçi i subjektve politike shqiptare është treguar jashtëzakonisht i madh që nga momenti i bërjes së kësaj llogarie të numrave! Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa do ta arrijnë me lehtësi dhe optimizëm marrëveshjen e ngjashme me atë historike të Ibrahim Rugovës, kur ky ia pat dhënë Haradinajt postin e Kryeministrit kurse për veten e mbajti postin e Presidentit. Dhe tani Haradinajt iu kthye ëndrra e ndërprerë.

Isa Mustafa propozoi sërish Haradinajn për kryeministër, e për veten zgjodhi fillimisht kryesimin e Kuvendit, dhe më vonë, pasi që lirohet posti që e mban Atifete Jahjaga, ai do të bëhej si Rugova, President i vendit. Pjesë e këtij plani u bënë pa hezitime edhe idhnakët e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, të cilëve iu dha mundësia e hakmarrjes së shpejt ndaj shefit të PDK-së nga e cila ishin ndarë edhe pse kanë qenë numri 2 dhe 3 i saj. Premisa kryesore e marrëveshjes trepalësh (LDK, AAK, Nisma) që së bashku nuk i kishtin numrat, e konsideronte përkrahjen e VV-së si ndihmesë kyçe për krijimin e qeverisë se re anti-Thaçi. Vetëm se VV-ja, edhe pse i pëlqente ideja, nuk donte që atë ta shesë badihava.

Albin Kurti vendosi disa kushte tepër sfiduese, si dhe një kërkesë decidive se marrëveshja katërpalëshe duhet të jetë me shkrim dhe publikisht e firmosur.

Kushti i parë ishte rishqyrtimi dhe ndryshimi thelbësor i dialogut të Kosovës me Serbinë, dhe kushti i dytë rishqyrtimi dhe ndërprerja e procesit të privatizimit. Të dyja këto kushte nënkuptonin termet dhe revolucion në politikën e Kosovës. Esenca e projektit të VV ishte kontestimi i Marrëveshjes së Brukselit, që përbën gurthemelin e projektit të fuqive perëndimore në procesin e avancimin të statusit të shtetit të Kosovës në subjekt të barabartë të së drejtës ndërkombëtare. Bartja e zgjidhjes së çështjes së Kosovës përmes dialogut nga OKB-ja, ku Rusia me Serbinë e kishin instrumentin e bllokimit afatgjatë të anëtarësimit të Kosovës në OKB, në BE nuk ishte kurrfarë “koncesioni që iu dha Serbisë”, siç e intetrpreton këtë marrëveshje VV, por ishte një rrugë paksa e tërthortë e shfrytëzimit të dëshirës së Serbisë që të bëhet anëtare e BE, që Beogradi të kushtëzohet me njohjen e realitetit të ri në Kosovë, dhe në instancën e fundit, ta njeh shtetin e Kosovës i cili po ashtu do të bëhej anëtar i BE-së.

Këtu mbase është rendi ta bëjmë një parantezë shpjeguese pse Marrëvershja e Brukselit është e rëndësishme. Duke qenë se vetë BE-ja nuk ka qenë plotësisht unike rreth shtetit të Kosovës (5 anëtare ende nuk e pavarësinë e tij), kjo strategji e njohjes graduale mes Kosovës dhe Serbisë nënkuptonte edhe arritjen e unitetit e munguar brenda BE. Ky plan praktikisht edhe nuk ka pas alternativa të realizueshme. Nëse ai nuk do të funksiononte, ose do të bllokohej, nuk kishte rrugë për afirmimin e plotë të shtetit të Kosovës si subjekt i barabartë i së drejtës ndërkombëtare.

“Adoptimi” i Kosovës nga Brukseli, me të cilin as Serbia e as Rusia nuk kanë hesap që të prishen, është e vetmja shtegdalje nga qorrsokaku i Këshillit të Sigurimit ku Rusia e ka të drejtën e vetos. Dhe nëse për çfarëdo arsye Kosova do të pengohej që të ndjek rrugën e Marrëveshjes së Brukselit, kjo do të ishte një vendnumëro historike, që do të dëmtonte jo vetëm Kosovën, por edhe stabilitetin dhe sigurinë e rajonit në tërësi. Kriza e Kosovës do të zgjaste të paktën si ajo qipriote, mbi 40 vjet, dhe sërish pa ndonjë shtegdalje të sigurt. Kjo parantezë shpjegon pse kushti i parë i VV, i cili në fillim neglizhohej, doli si pengesë tepër e rëndë për mandatarin Haradinaj.

Është e vërtetë se në disa raste VV paraqitej me qëndrime të zbutura, që premtonin arritjen e ndonjë kompromisi. Por, në esencë kushtet e VV ishin kafshatë e pakapërdishme për Haradinajn. Më 17 korrik, ditën që u mbajt seanca konstitutive e Kuvendit të ri, skenari optimist për koalicionin unik anti-Thaçi shpërtheu si një tullumbace e mbushur me dëshira të parealizueshme. Dallimet mes Haradinajt dhe Kurtit u treguan si esenciale, nuk kishte gjasa për asnjë kompromis të qëndrueshëm. Sipas disa spekulimeve Haradinaj me partnerët ndoshta edhe ka qenë i gatshëm për kompromis, p.sh. që dialogun me Serbinë t’ia lë Kurtit.

Por, kjo nuk e kishte aprovimin nga faktorët ndërkombëtarë. Me kushtet e saj përmbysëse VV assesi nuk do të lejohej të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës, e as suportuese e saj në Kuvend pa hyrë formalisht në organet ekzekutive. Në të vërtetë 17 korriku tregoi se kushtet e VV nuk kanë qenë sa për sy e faqe. Deputetet e VV vërtet mbetën në sallë në pjesën e dytë të kontestuar të seancës, por abstinuan nga votimi i Isa Mustafës për Kryetar të Kuvendit. Mustafa shumicën prej 65 votave e siguroi falë 20 deputetëve të partive minoritare. Ky manovër i çuditshëm i 17 korrikut kur votat e premtuara të VV u zëvendësuan pa paralajmërim nga votat e deputetëve të partive të minoriteteve, (më të rëndësishmet kanë qenë ato të Listës serbe me 9 deputetë), ka qenë një akrobacion politik befasues, që e shpëtoi marrëveshjen Haradinaj-Mustafa-Limaj. Kjo kthesë politike mbase nuk ka qenë rastësi.

Racionalizimet, si ajo e drejtuesit të Listës serbe që votën e tyre e shpjegoi si votë pengimi për përsëritjen e zgjedhjeve të përgjithshme, nuk kanë qenë bindëse. Në të vërtetë, “befasia” e zgjedhjes së Isa Mustafës më 17 qershor, nuk ishte ndonjë mister i madh. S’ka dyshim se mospërfshirja e VV në kombinimet për Qeveri ka qenë pjesë e intervenimit të faktorit të huaj.

Por të huajt nuk e donin as pasojën e përsëritjes së zgjedhjeve, e as krijimin e përshtypjes se me këtë po i bëhet një lloj favori Hashim Thaçit, duke shtypur nismën e subjekteve shqiptare që teorikisht dhe praktikisht e kishin shumicën prej 63 votave në Kuvend. Për këtë arsye më 17 korrik nuk u lejua dështimi i plotë i konstituimit të Kuvendit.

Andaj ndikimi i faktorit ndërkombëtar çoi drejt ruajtjes së balancës së forcave përmes zëvendësimit të votave të munguara të VV për Isa Mustafën, me ato të partive minoritare. Mirëpo, ky epilog i seancës së Kuvendit ka qenë vetëm blerje kohe, pasi që edhe ashtu dihej se çështja kontestuese se cila parti ose formacion parlamentar e ka të drejtën që të udhëheq Kuvendi , do të dërgohet për mendim te Gjykata Kushtetuese. Dhe Gjykata pa vonesë e pezulloi zgjedhjen e Mustafës, por për verdiktin e fundit kërkoi gati një muaj kohë. Po ashtu, edhe Presidentja Atifete Jahjaga, e cila është dashur që të nis konsultimet për caktimin formal të mandatarit të parë për krijimin e Qeverisë, nuk ngutej që të nis me këtë procedurë. Sipas vendimit të mëherhëm të Gjykatës Kushtetuese, ajo fillimisht do të duhej t’ia jepte mandatin Hashim Thaçit, si kandidatit të partisë e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 8 qershorit.

Presidentja tani është duke pritur sqarimin e çështjes së kryetarit të Kuvendit, dhe pastaj do të vlerësojë se a ka edhe alternativa tjera koalicionesh që do të mundësonin krijimin e qeverisë së re. Këto alternativa janë praktikisht të domosdoshme nëse synohet dalja nga ngërçi dhe bllokada që po zgjat gati dy muaj. Problemi qëndron në atë se me këtë konfiguracion të forcave, nuk ka gjasa për të bërë qeverinë jo vetëm Hashim Thaçi i cili po bojkotohet nga të gjithë, por as Ramush Haradinaj, sepse as ai nuk i ka numrat (janë 47 gjithsej, ose edhe ndoshta dy apo tre më pak, sepse ka deputetë të LDK-së që nuk e duan Haradinajn për kryeministër!).

Është e vërtetë se Haradinaj mund ta bëjë një mazhorancë të zbehtë duke u orientuar nga partitë minoritare, si në rastin e votimit të kontestuar të Mustafës për kryeparlamentar. Por kjo mazhorancë do të jetë gjithsesi e pasigurt dhe me probleme pasi që për çdo çështje do të varej nga Lista Serbe, ose indirekt nga Qeveria e Beogradit, që edhe qëndron pas këtij formacioni politik të serbëve lokalë. Versioni tjetër i qeverisë pa mandat të qartë do të ishte orientimi drejtë përkrahjes nga VV. Që VV-ja të futet në Qeveri kjo tani më duket si opsion i djegun dhe që as VV-ja nuk e konsideron si të mundshëm. Një tjetër mundësi është që prej Albin Kurtit të kërkohet përkrahja e një qeverie të pakicës, pa qenë formalisht pjesë e saj. VV-ja eventualisht, e udhëhequr nga sentimenti anti-Thaçi, që ky definitivisht të hiqet nga drejtimi i Qeverisë, mund të bëjë ndonjë marrëveshje të afatizuar, të përkrahjes së qeverisë që nuk e ka mazhorancën (ose e ka diskutabile për shkak të faktorit serb në te) për një periudhë një ose dy vjeçare, me kusht që në këtë periudhë të përfundojë reforma zgjedhore dhe bëhen përgatitjen për një garë zgjedhore në kushtet më të favorshme.

Por, ky është një variantë me shumë të panjohura që duke pas tërë kohën pas shpine opozitën e PDK-së, nuk premton se mund ta mbaj gjatë frymën e unitetit, ose që qeverisja të jetë më efikase se ajo e kaluara. Sa për improvizime boll e kemi pas katëvjeçarin e qeverisjes së “përkohshme” të Hashim Thaçit, dhe “mandatin kufizuar” të Jahjagës, që të dyja dolën të plota. Kjo që përshkrova është gjendja aktuale e kushtëzuar nga ngërçi paszgjedhor, që nga të dy anët mbushet me propagandë dhe antipropagandë, ku secili i jep zemër projeksioneve të veta optimiste, pa llogaritur në pengesat objektive për realizimin e tyre. Për mandatarin e bllokut, Ramush Haradinajn, është kjo një situatë e gati 100 ditë të pritjes (nga mesi i shtatorit, kur do të zyrtartizohet mandati i tij, nëse kjo ndodh, vërtet do të bëhen 100 ditët nga krijimi i bllokut anti-Thaçi!), ku ai po kërkon një shpagim historik për mandatin e Kryeministrit të cilin ia pat ndërprerë Tribunali i Hagës pas 100 ditëve që AAK i konsideronte të lavdishme, sa e mbajti postin. Është e vërtetë se Haradinaj po e përballon me disponim energjik pritjen njëqind ditëshe, por objektivisht gjendet në situatën e Odiseut kur po kalonte ngushticën mes Skilës dhe Haribdës, pa e pasur kompasin politik që orienton drejt një qeverisjeje stabile dhe premtuese.

Me premisat e tashme, anija e Haradinajt me tri velo, por pa ekipazh të mjaftushëm, ndoshta edhe mund ta kapërcejë ngushticën, por do të ketë probleme të mëdha edhe pas daljes në det të hapur. Ajo çka e frikëson bllokun anti-PDK/Thaçi, është përfundimi i këtij procesi me përsëritjen e zgjedhjeve.

Haradinaj dhe Mustafa nuk i duan assesi zgjedhjet e reja. Kjo për faktin se në këto zgjedhje është gati qind për qind e sigurtë se Hashim Thaçi do të bëjë edhe një koalicion shtesë me AKR-në e Behxhet Pacollit, i cili më 8 qershor nuk e kaloj pragun, por i ka 35 mijë votues që do të mund të bëjnë shumë lehtë një rebalancë të votës dhe mandateve të partive shqiptare jo më në proporcionin 37 : 63, çfarë ishte në qershor, por në proporcionin 43 : 57, gjithnjë duke kalkuluar disponimin e votuesve më 8 qershor. Një shpërndarje e tillë do ta pamundësonte injorimin e faktorit PDK dhe të Hashim Thaçi në qeveribërje, çka nuk do të thotë se ai do ta kishte të parapaguar postin për një mandat të ri.

Por, nëse Hashim Thaçi arrin 1ë grupimi i tij të ketë 43 mandate, nuk ka më numra për skenarë për bllokimin e tij, dhe ai kthehet në njërin nga zotët e lojës, ku do të ngjallen edhe opsionet e koalicionit të madh, ose të ndonjë tjetër, që sot po kundërshtohen me ngulm. Me këtë analizë unë vetëm e parashtrova logjikën e numrave të deklarimit të sovranit, në krahasim me aspiratat politike që janë vepruese. Për mendimin tim, i cili shpesh keqkuptohet dhe keqinterpretohet, në përgjithësi kastat aktuale politike në Kosovë, këtu i përfshijë të gjitha partitë dhe liderët, nuk janë në nivelin e nevojave historike që i ka shteti i Kosovës. Që të jam krejtësisht i qartë, unë vetë e votoj, prejse ka dal në skenë, Partinë e Fortë.

Pra, nuk anoj për asnjërin lider apo parti të madhe që votohen me shumicë. Por rregullat e lojës janë të tilla që për mandate vendosin numrat dhe marrëveshjet e atyre që si realist mund t’i vlerësoj si e keqja më e vogël, ose e keqja me e madhe. Kështu që puna e analizave politike, të vlerësimeve të disponimeve dhe preferencave të votuesve të tjerë, është si një ekuacion matematikor me numra realë dhe votues realë, ku mund të jem në gabim, por jo pse dikë favorizojmë dhe tjetrit duam t’i hyjmë në hak, por sepse na ka ikur ndonjë premisë ose i tejçmojmë apo nënçmojmë faktorët që edhe në matematikë quhen të panjohura, e që kanë rëndësi të madhe.

Më Shumë

Abdixhiku viziton Dragashin: Qeni i Sharrit, ndër bukuritë e pasuritë më të mëdha shqiptare

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Dragashin, shkruan PrizrenPress. Ai është pritur në Sharr nga kryetari Bexhet Xheladini. "Sonte në Sharr, Dragash....

Isni Kilaj arrin në Kosovë pasi u lirua nga Gjykata Speciale

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, u lirua në Kosovë sot, më 15 maj, me kushte të rrepta, në bazë të vendimit të gjykatësit të...

Lajmet e Fundit