3.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Po, Astritin e vrau shteti

Astrit Dehari gjendej në duar të shtetit kur vdiq. Në duar të shtetit, pushtetin e të cilit e kundërshoi. Nëse nuk është vetëvrarë, atëherë shteti duhet ta gjejë kush e ka vrarë. Por, kjo është pak e mundshme të ndodh në një vend me drejtësi të kapur dhe prokurorë frikacakë, të korruptuar e të shantazhuar.

Imer Mushkolaj

U deshën gati tre vjet që një institut zviceran, nëpërmjet një ekspertize, të hedh poshtë versionin për vetëvrasjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe të sugjerojë hetim të ri për rastin. Tre vjet pasi ai vdiq në duar të shtetit, një shtet i tërë dështoi të sjell drejtësi në një ndër rastet më tragjike dhe enigmatike njëkohësisht.

Konkluizionet e ekspertëve zviceranë, ndonëse të përkthyera për marre dhe pakuptueshëm në gjuhën shqipe, japin indikacione të qarta se e vëreta ka shumë gjasë që të jetë ndryshe nga ajo çfarë e kanë proklamuar zyrtarët më të lartë të policisë, prokurorisë dhe institucioneve politike shtetërore, menjëherë pas rastit tragjik të 5 nëntorit të tre vjetëve më parë.

Astriti, bashkë me pesë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ishte arrestuar si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Atij i ishte zgjatur paraburgimi pa iu ngritur aktakuzë. Ai vdiq në duar të shtetit dhe shteti ka përgjegjësi për vdekjen e tij. Ashtu siç ka përgjegjësi edhe për zbardhjen e rastit deri në fund dhe ndëshkimin e fajtorëve.

Burgjet janë vendet më të sigurta në secilin shtet. Aty mbahen të dyshuar e të dënuar për vepra të ndryshme, janë në mbrojtje të shtetit dhe për çfarëdo që ndodh me ta, përgjegjës është shteti. Jo për vrasje e vetëvrasje, por edhe për vdekje natyrore që ndodhin në burgje, përgjegjës është shteti. Dhe duhet të jep përgjigje. Në rastin e Astritit, situata është shumë më komplekse.

Deklarata e vlerësime kontraverse e shoqëruan rastin që nga fillimi. Shefi rajonal i Policisë kishte deklaruar se Astriti ka vdekur nga konsumimi i barnave, e më pas kryeprokurori rajonal kishte thënë se vdekja ishte shkaktuar nga asfiksia. Pas raportit të mjekëve ligjorë, ai ishte shprehur se provat tregonin se bëhej fjalë për vetëvrasje.

Ministrja e Drejtësisë nuk kishte ngurruar të hedh gjithë fajin për tragjedinë te oponentët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje, që po shfaqnin dyshime se Astritin e kishin vrarë. Sot asnjëri nga këta zyrtarë nuk flet. Thua se nuk bëhet fjalë për një rast që tronditi shtetin e shoqërinë, një rast që vazhdon të mbetet njollë e zezë jo vetëm në sistemin kosovar të drejtësisë.

* * *

Në çdo vend normal një vdekje si e Astritit do të duhej të përcillej me dhënie përgjegjësie morale e penale. Për një vdekje si kjo e Astritit, me konotacion politik, hetimet do të duhej të bëheshin me shumë kujdes. Për një vdekje si kjo e Astritit do të duhej hetim i pavarur e profesional dhe kurrsesi konkluzione të ngutshme.

Por, mosbesimi ndaj institucioneve të drejtësisë është aq i thellë, sa që vëshirë se çfarëdo rezultati mund t’i qetësojë shpirtrat e trazuar, sidomos të familjarëve të Astritit. Ata kërkuan ekspertizë të pavarur dhe ekspertiza iu dha të drejtë. Por, si të veprohet tutje? Kush të kryejë hetimet e mëtejme? Si mund t’iu besohet institucioneve të cilat, në një fazë të hershme të hetimeve, në vend që të qartësonin rrethanat e rastit, i mjegullonin më tepër ato? Si mund t’iu besohet institucioneve, në krye të të cilave gjendeshin dhe ende gjenden njerëz si kryepolici e kryeprokurori rajonal i Prizrenit? Si mund t’iu besohet institucioneve që shfaqnin në media pjesë të rëndësishme të provave, ndërkohë që ishte thënë se ende nuk ka përfunduar ekzaminimi i tyre?

Astrit Dehari është viktimë e sistemit shtetëror, të ndërtuar mbrapsht gjatë gjithë viteve të pasluftës. Ai është viktimë e sistemit që ka krijuar drejtësi selektive e mosbesuese, sistemit që nuk e di ç’është përgjegjësia. Sistemit që nuk ka guxim ta zbardh rastin, por kërkon ndihmë nga jashtë.

* * *

Ata që mund ta kenë penguar hetimin deri në fund të Rastit Dehari duhet të ndëshkohen. Për këtë rast deri tash do të duhej të ishin ofruar një varg dorëheqjesh morale. Pastaj hetimet do të duhej të zbardhnin edhe përgjegjësinë penale. Të gjithëve na duhet e vërteta e plotë.

Rasti i Astritit tregon se në këtë shtet askush nuk është i sigurt, tregon se mund të arrestohet secili prej nesh dhe të përfundojë i vdekur në një qeli burgu. Nëse dikush, para tre vjetësh, ka pasur interes që ta fsheh të vërtetën, për çfarëdo arsye, nuk duhet reshtur së kërkuari që ajo të dalë në shesh.

Astriti është vrarë nga shteti i vet. Është viktimë e pushtetit. Ai ishte në duar të shtetit kur vdiq. Në duar të shtetit, pushtetin e të cilit e kundërshoi. Dhe kundërshtimin e të cilit e pagoi me jetë./Gazeta Express/

Më Shumë

Gratë e shoqatës ‘Orkide’ në Prizren shpalosin mesazhe ndërgjegjësuese kundër dhunës me bazë gjinore

Anëtaret e shoqatës së grave “Orkide” në Prizren, të hënën, përmes një aktiviteti të zhvilluar në “Urën e Kaltër”, kanë bërë thirrje për ndalimin...

Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Së pari, pati raportime se Al-Hilal, një tjetër klub saudit, donte që Cristiano Ronaldo të zëvendësonte Neymarin, i cili ishte duke u larguar nga...

Lajmet e Fundit