3.4 C
Prizren
E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Poezia në krizë vlerash

Qazim THAÇI

Është koha e fundit të besojmë që vlerat duhet të vlerësohen si të tilla, dhe jo të lejojmë që antivlerat të marrin primatin. Kjo, sidomos, është evidente në Prizren, ku veprimtaria e krijimtarisë letrare ka pësuar ndryshime të dukshme.

Ky fenomen ka filluar më herët, por një thënie e Ismail Kadaresë, që thotë: “Sillu aq mirë me ata që të lëndojnë, sa t’iu vijë neveri nga vetja e tyre,” mund të konsiderohet si një parim për këtë çështje. Megjithatë, realiteti ka treguar se kjo nuk ka më asnjë kuptim, sidomos për ata që thjesht janë infantilë në fushën letrare dhe, duke u mburrur me tituj, mendojnë se janë të mençur dhe e njohin poezinë.

E vërteta është krejt ndryshe, natyrisht, secili ka opinionin e vet, por vlera nuk është një “mendim i lirë,” siç përpiqen ata të arsyetojnë. Ata, në fakt, e shkelin vlerën krijuese me dy këmbë. Si mund të thuhet se ata e njohin poezinë, kur askush nuk i vlerëson? Mungesa e kritikës letrare ka bërë që unë të përdorë, me kusht, termat “kërdinë” ose “gërdi,” që në popull do të përdoren për të përshkruar ata që caktohen si “njohës të vlerave të poezisë.” Mjerisht, me papërgjegjshmërinë e tyre, ata njohin vetëm vlerën e miqësisë së tyre.

Ata që tani mendojnë se janë poetë, bëjnë si bëjnë, shkruajnë disa vargje, ua japin një titull dhe mendojnë se kanë krijuar poezi. Në realitet, aty nuk ka asgjë poetike, asgjë të vlefshme. Gjuha e shprehjes është pa vlerë, e zhveshur nga figurat stilistike. Nuk ka gjuhë poetike, as sens poetik, as ndonjë ide të shkruar, mendim apo mesazh të thënë bukur që do të zgjonte kërshërinë, që do të na prekte në ndjenja e shpirt, duke na shkaktuar kënaqësi estetike.

Nga ky realitet shihet se atyre u mungojnë aftësitë dhe imagjinata krijuese. Thjesht, ata nuk kanë asgjë që duhet të ketë një poet. Këta “poetë” janë shumë të dobët. U mungon kultura elementare gjuhësore, veçanërisht në lidhje me shprehjen me shkrim.

Poetët e vërtetë janë ata që kanë unin e vet poetik, që kanë botën e tyre poetike, që kanë stilin e vet. Disa nga poezitë e tyre janë të pavarura dhe origjinale. Poetët interesantë janë të talentuar dhe shumë të talentuar, por që, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të shprehin maksimumin e mundësive të tyre. Ky shkrim nuk ka për qëllim të etiketojë asnjë individ me emër, por synon të hapë një debat konstruktiv, për të siguruar që vlerat të jenë vlera dhe jo antivlerat. Duke vlerësuar antivlerat, krijojmë padituri krijuese dhe krijues të paditur, që nuk lënë pas asgjë përveç një flluske sapuni në letërsinë e kohës.

Andaj, apeloj te drejtoria e kulturës dhe te financuesit tjerë që të mos bien pre e atyre që i njohin dhe u lejojnë mundësi organizimesh. Për ata që kanë mundësi, është mirë t’u sabotohen mundësitë. Ose, siç shkruan Kadare: “Sillu aq mirë me ata që të lëndojnë, sa t’iu vijë neveri nga vetja e tyre”. Nuk ka gjë më të shenjtë se të lëndosh poezinë, apo çdo zhanër të letërsisë. Nëse kjo nuk arrin të realizohet, atëherë apeloj që krijuesit e vërtetë të mos shkojnë në takime ku vlerat zhvlerësohen.

Për ta përmbyllur këtë vështrim dhe për të hapur një debat konstruktiv, po e mbyll me një thënie të urtë nga Henry Charles Bukowski: “Mënyra për të krijuar art është të djegësh e të shkatërrosh koncepte të zakonshme, duke i zëvendësuar me të vërteta të reja që zbresin nga mendja dhe dalin nga zemra”.

 

Më Shumë

Moti sot i vranët dhe me riga shiu

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me riga shiu të intensitetit mesatar.   Sipas këtij...

Arrestohet një person në Prizren për kanosje dhe mbajtje të paautorizuar të armëve

Një person është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Prizren nën dyshimin për kanosje me armë dhe mbajtje pa leje të një arme automatikë. Ngjarja ka...

Patatja e Bosforit

Lajmet e Fundit