Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj zyrtarëve të Bankës për Biznes në Prizren, Vlera Besimi dhe Besnik Gërmizaj, të cilët akuzoheshin për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Ata akuzoheshin se si persona zyrtarë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që në kundërshtim me procedurat kanë bërë hapjen e xhirollogarive të dëmtuarve, pa bërë analizat e duhura, duke kompletuar dokumentacion përkatës për lëshim të kredive, pa qenë fare prezent të dëmtuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur pasi që prokurori i rastit, Metush Biraj, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj dy të akuzuarve.
Prokurori Biraj, ka deklaruar se nuk është vërtetuar se të akuzuarit ta kenë kryer veprën penale.
“Nga të gjitha provat e administruara përmes dëgjimit të dëshmitarëve, palës së dëmtuar, provave tjera materiale dhe deklaratave të të akuzuarve, nuk u vërtetua teza e aktakuzës së të njëjtit kanë bashkëkryer veprën penale shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, prandaj në mungesë të provave heqi dorë nga aktakuza”, ka thënë prokurori Biraj.
Ndërsa, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka deklaruar se këtë çështje e konsideron të mbyllur, meqenëse prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale.
Para se prokurori Biraj, të hiqte dorë nga akuza, të akuzuarit Besimi dhe Gërmizaj, e kanë dhënë mbrojtjen e tyre.
Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Hazër Susuri, lidhur me rolin e tij në Bankën për Biznes, për kohën që pretendohet se është kryer vepra në fjalë, i akuzuari Gërmizaj, ka thënë se ai nuk ka qenë përgjegjës për lëshimin e kredive.
“Në lidhje me trajtimin e kredive të personave fizik, nuk kam ndërmarr ndonjë veprim, si dhe nuk kam qenë kompetent për hapjen e llogarive të personave të dëmtuar që përmenden në akuzën e prokurorisë”, ka thënë i akuzuari Gërmizaj.
Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Skenderi, se kush ka qenë kompetent dhe me nënshkrimin e kujt janë lejuar kreditë, ai është përgjigjur duke thënë se në bazë të organizimit të brendshëm, të drejtën e aprovimit të kredive si për biznese, ashtu edhe për kredi individuale, siç ka thënë ai, e ka pasur menaxheri i degës, Armend Ibrahimi, ndërsa shumat mbi 10 mijë euro, sipas tij, ka vendosur këshilli për lejimin e kredive në Prishtinë.
Për më tepër, ai duke iu përgjigjur gjykatëses Skenderi, ka deklaruar se nuk ka pasur kompetenca për aprovimin e kredive.
Pas dëgjimit të të akuzuarit Gërmizaj, mbrojtjen e saj e ka dhënë edhe e akuzuara Vlera Besimi, në seancën e së premtes.
Ajo duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtëses së saj, avokates Bahrie Besimi, ka thënë se roli apo personi kyç në atë kohë ka qenë Armend Ibrahimi, i cili sipas shkresave të lëndës, është i akuzuar për këtë rast, mirëpo procedura ndaj tij është veçuar.
“Akuza që më është bërë për hapjen e llogarive nuk qëndron, duke pas parasysh pozitën time në atë kohë që nuk kam pasur të drejtë të hap llogari bankare, njëherit për hapje të llogarive nuk më ka urdhëruar edhe menaxheri, pasi që sipas kontratës së punës jam marrë me lejimin e kredive për persona fizik”, ka thënë akuzuara Besimi.
Ajo ka thënë se aprovimin për të vazhduar më tutje me lejimin apo mos lejimin e kredive, sipas saj, ia ka dhënë menaxheri i degës, Armend Ibrahimi.
Më pas, sipas rrjedhës së kësaj seance, është dashur të vazhdohet me fjalën përfundimtare, mirëpo prokurori i kësaj çështje penale, Metush Biraj, ka thënë se do të tërhiqet nga akuza.
Me këtë, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka shpallur të përfunduar këtë çështje, dhe siç ka bërë të ditur ajo, për këtë rast do të merr aktgjykim refuzues.
Ndryshe, prokurori Biraj, ka qenë përfaqësues i kësaj aktakuze të cilën e ka përpiluar ish-prokurori i krimeve të rënda, Bajram Hamitaga.
Për më tepër, në këtë rast, akuzoheshin gjithsej shtatë persona, mirëpo ndaj pesë prej tyre, Armend Ibrahimi, Fadil Gashi, Orhan Fetahu, Dardania Susuri, dhe Teuta Demiri, ishte veçuar procedura qysh në seancat e kaluara, ndërsa gjykimi ka vazhduar me dy të tjerët, Besimi dhe Gërmizaj.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur në maj të vitit 2014, ndaj Armend Ibrahimit, Fadil Gashit, Orhan Fetahut, Dardania Susurit, Teuta Demirit, Besnik Germizaj dhe Vlera Besimit, të njëjtit i ngarkon me veprat penale të “shpërdorimit të pozitës zyrtare”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Armend Ibrahimi, si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Bankës për Biznes (BPB), dega në Prizren, në tetorin e vitit 2010, në kundërshtim me procedurat ligjore, i obligon tani të akuzuarit Dardania Susuri, Teuta Demiri, Vlera Besimi dhe Besnik Gërmizaj, që të bëjnë përgatitjen e dokumentacionit për dhënien e kredive për 26 punëtorë të kompanisë “Dili Comerce” në Prizren, pronë e të pandehurit Fadil Gashi, për shkak se punëtorët qenkan larg në terren, e nuk kanë mundësi për të shkuar, më pas duke e marr sasinë e konsiderueshme të mjeteve, me të cilën sipas akuzës, i shkakton dëm material të dëmtuarës (BPB), shumën prej 264.000 euro.
Me këtë, akuzohen se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, nga neni 339 paragrafi 3 të Kodit të Përkohshëm Penal.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, Armend Ibrahimi, Fadil Gashi dhe Orhan Fetahu, me qëllim për t’i sjellin vetes apo personit tjetër dobi pasurore, i mashtrojnë personat tjerë me anë të paraqitjes së rreme, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, të njëjtit i bindin 26 punëtorët e kompanisë “Dili Comerce”, që ata të aplikojnë me nga 10 mijë euro kredi, me pretekst se këto kredi do të paguhen dhe garantohen me kolateral nga i akuzuari Fadil Gashi, i cili sipas akuzës nuk i ka kryer këto pagesa, me këtë duke i dëmtuar të dëmtuarit pasi që ata u obligonin që t’i përgjigjen bankës.
Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit nga neni 261 par 1 e lidhur me nenin 23 të KPK.
Po ashtu, sipas akuzës, të pandehurit Ibrahimi, Gashi dhe Fetahu, akuzohen se kanë përpiluar dokumente të falsifikuara dhe me dije i kanë përdorur si origjinale, pasi që pa qenë fare prezent punëtorët e kompanisë “Dili Comerce”, në emër të tyre i kanë përpiluar, nënshkruar dhe vulosur kontratat e punës, me vulën e kompanisë në fjalë, pronë e të pandehurit Fadil Gashi.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryet veprën penale të falsifikimit të dokumentit nga neni 332 par 2 të KPK.
Në aktakuzë thuhet se, Dardania Susuri, Vlera Besimi, Teuta Demiri dhe Besnik Gërmizaj, të njëjtit si persona zyrtarë, në maj të vitit 2010, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që në kundërshtim me procedurat kanë bërë hapjen e xhirollogarive të dëmtuarve, pa bërë analizat e duhura, kanë kompletuar dokumentacion përkatës për lëshim të kredive, pa qenë fare prezent të dëmtuarit, si dhe pa komunikuar me aplikuesit (në këtë rast të dëmtuarit), me këtë i shkaktojnë dëm material Bankës për Biznes (BPB-së), dega në Prizren në shumën prej 264.000 euro.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryetari kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 339 par 3 e lidhur me nenin 23 të KPK. /Betimipërdrejtësi