14.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Prizren: I akuzuari për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje,nuk e pranon fajësinë

V. H. i akuzuar për posedim, transport dhe shitje të substancave narkotike dhe për armëmbajtje pa leje, të enjten, nuk e ka pranuar fajësinë.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka lexuar aktakuzën, ndërsa i akuzuari, pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Naim Qelaj, ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë sipas pikave të aktakuzës.

Prokurori Sefa, në fjalën hyrëse, ka deklaruar se aktakuza është e bazuar në prova të nxjerra në mënyrë ligjore e të cilat, sipas tij, gjatë shqyrtimit gjyqësor, do të dëshmojnë fajësinë e të akuzuarit. Ai ka thënë se për veprën penale të posedimit, transportit dhe shitjes së narkotikëve janë bërë dy ekspertiza laboratorike, me të cilat janë vërtetuar llojet e narkotikëve të gjetura në veturën dhe shtëpinë e të akuzuarit.

Ndërsa, avokati Qelaj, në fjalën e tij hyrëse, ka deklaruar se për herë të parë ka hasur në një aktakuzë pa dëshmitarë të propozuar nga organi i akuzës, andaj ka thënë se për të vërtetuar pafajësinë e të mbrojturit të tij, do të bazohet pikërisht në provat materiale nga aktakuza.

Qelaj tutje ka thënë se paratë që i janë sekuestruar klientit të tij, nën dyshimin se janë fituar me vepër penale, gjatë shqyrtimit do të vërtetojnë me dëshmitarë dhe dokumente, se të njëjtat para janë marrë me kredi dhe nga të afërmit.

Në këtë seancë, po ashtu janë administruar raportet e ekspertizave të kryera nga laboratorët e forenzikës, në të cilat është konstatuar lloji i substancave dhe armëve, të cilat janë gjetur në shtëpinë dhe automjetin e të akuzuarit.

Avokati Qelaj, ka kërkuar që të ftohet si dëshmitare bashkëshortja e të akuzuarit,  për të treguar se paratë e konfiskuara janë pronë e përbashkët, prej të cilave para, 10 mijë euro janë marrë kredi në bankë. Ai ka kërkuar që të dëgjohet si dëshmitare edhe motra e të akuzuarit, për të dëshmuar se pjesa tjetër e parave është marrë hua nga fëmijët e saj, të cilët gjenden në Gjermani.

Prokurori Sefa, ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes për të dëgjuar këto dëshmitare me arsye se ato janë të privilegjuar sepse janë të familjes së ngushtë dhe nuk mund të jenë të besueshëm si dëshmitare.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, ka aprovuar propozimet e mbrojtjes dhe shqyrtimin e ka shtyrë për 20 nëntor 2017, në ora 10:00.

Ndryshe, rasti zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas të cilës, i akuzuari Vllaznim Hoxhaj, më 31 gusht dhe 1 shtator 2016, ka transportuar substancë narkotike nga Shqipëria për në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri këtë e ka bërë përmes një “bunkeri” të ndërtuar në automjetin e tij “Jaguar”, dhe më pas ia ka ofruar një personi për shitje. Tutje, thuhet se policia ka bërë bastisje në shtëpinë e të akuzuarit dhe ka gjetur një sasi të lëndës narkotike marihuanë, prej rreth 700 gramë.

Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e përhershëm të substancës narkotike, automjetit “Jaguar” një revole TT, 40 fishekëve dhe 800 kapsulave ndezëse për eksploziv, shumën e parave prej rreth 23 mijë euro, një “Iphone”, dy “Samsung”, të cilët janë gjetur gjatë bastisjes në shtëpinë e të akuzuarit.

Në shqyrtimin fillestar, i akuzuaripërmes avokatit të tij, Naim Qelaj, ka kërkuar afat nga gjykata, për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë me prokurorinë, mirëpo një marrëveshje e tillë nuk është arritur, andaj rasti po vazhdon në gjykim të rregullt./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Kjo është pasuria e ministrit Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar pasurinë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Çeku ka një banesë në vlerë 100 mijë...

Futbollisti i Malishevës dënohet me tri ndeshje

Futbollisti i Malishevës, Rilind Haziraj, nuk do të mund të paraqitet për skuadrën për tri ndeshje.  Kjo pasi ai është dënuar nga Komisioni Disiplinor dhe...

Lajmet e Fundit