14.2 C
Prizren
E enjte, 6 Nëntor, 2025

Prizreni përfiton nga projekti për efiçiencë të energjisë në banesat sociale

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit dhe ata të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”. Në ceremoni ka qenë e pranishme edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, në projektin e zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, do të investohen 478 mijë euro me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes grantit të Bashkimit Evropian dhe me pjesëmarrjen e komunës prej 10%.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se kur është dizajnuar pakoja emergjente e BE-së për energji, “një prej sfidave ka qenë balancimi i dy objektivave të sistemit të energjisë në njërën anë dhe nga ana tjetër të siguruarit që po i prekim shtresat më të ndjeshme”.

“Duke i pas parasysh sfidat e qasjes te kjo kategori, kemi menduar se targetimi i banesave sociale është një mënyrë më e mirë, pasi është numër i madh i familjeve”, ka thënë Rizvanolli, duke shprehur bindjen se këto familje, këtë dimër do ta kalojnë më ngrohtë.

Nga investimet në tri ndërtesa shumë-banesore sociale, sipas njoftimit, do të përfitojnë 250 banorë. Në ndërtesa do të kryhen punime në izolimin e mureve të jashtme, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të hyrjes, termoizolimin e kulmit, do të vendoset sistemi i ngrohjes me kondicioner ajri, renovimi i hyrjeve, vendosja e interfonisë dhe masat për mbrojtje kundër zjarrit/detektorët e tymit.

Projekti në Prizren është pjesë e një programi të gjerë në nivel vendi, ku tashmë kanë filluar punimet në 12 komuna të tjera, ku përfshihet renovimi i 28 ndërtesave sociale, me një vlerë totale prej mbi 6 milionë euro, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit përveç ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtor menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

 

Më Shumë

Artan Abrashi takon deputeten shqiptare në Kroaci, Ermina Lekaj Perlaskaj

Në një ditë me diell në zemër të Prizrenit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës, Artan Abrashi, është takuar me deputeten shqiptare...

Ndarja e mandateve në Prizren, PDK merr 13 asambleistë, LVV-9

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare për Kuvendin e Komunës së Prizrenit për zgjedhjet e vitit 2025. Me gjithsej 41 vende në Kuvendin Komunal, Partia...

Lajmet e Fundit