Qindra biznese u mbyllën në 6-mujorin e parë, e qindra të tjera u hapën

Qindra biznese në Kosovë janë mbyllur për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Agjencia Kosovare e Bizneseve dhe Administrata Tatimore e Kosovë japin shifra të ndryshme për numrin e bizneseve që janë mbyllur. Arsyet e mbylljes së tyre theksojnë se janë të ndryshme. Ndërkohë, nuk është i vogël numri i bizneseve tjera që janë hapur në periudhën e njëjtë.

Shumë biznese në kryeqytet janë të kyçura me dry. E situatë e njëjtë është edhe tek shumë biznese tjera në Kosovë. Në vend të pritjes së klientëve, dyqanet e bizneseve kanë të vendosur mbishkrime të tilla si: “Jepet lokali me qira”.

837 biznese në Kosovë janë mbyllur për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Shifrat janë të Agjencisë Kosovare të Bizneseve. Megjithatë, më shumë është numri i atyre që janë hapur.

“Këto dy vitet e fundit nëse e marrim gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 janë regjistruar 5754 biznese, kurse këtë vit janë mbyllur rreth 837 biznese”, tha për RTK-në, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Por shifra të tjera të bizneseve të mbyllura jep Administrata Tatimore e Kosovës.

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, bizneset të cilat në bazë të procedurave që parashihen me legjislacionin tatimor, gjithsej të mbyllura janë 137 biznese”, tha Valentina Bytyqi, zëdhënëse e ATK-së.

Sidoqoftë, konfirmohet se kjo shifër e mbylljes së bizneseve mund të mos jetë e saktë.

“Kemi edhe shumë biznese, të cilat e kanë lajmëruar mbylljen, mirëpo nuk i kanë respektuar procedurat”, shtoi ajo.

Pronarë të bizneseve të mbyllura, të kontaktuar nga RTK, prapa kamerave deklarojnë se i kanë mbyllur bizneset sepse nuk kanë pasur fitim. E njohës të ekonomisë, japin edhe arsye të tjera përse mbyllen bizneset.

“Çdo ditë kemi kamata të larta bankare, çdo ditë kemi rënie të importeve, rënie të qarkullimit dhe e tëra kjo e rëndon ambientin e të bërit biznes. Krejt kësaj i shtohet edhe fakti që përveç çmimit të rritjes së kredive, kemi edhe migrim apo Kosova ballafaqohet me pandemi demografike”, tha Safet Gërxhaliu – ekonomist.

E mungesa e përkrahjes institucionale shihet si një arsye më shumë. Fjolla Smaili, zëdhënëse për medie në Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë u shpreh: “Mungesa e një përkrahjeje solide nga ana e Qeverisë së Kosovës për bizneset, të cilat kanë qenë në nevojë, ka bërë që këto të fundit të mos kenë një zgjidhje tjetër, përveç se ta shpallin biznesin e tyre joaktiv”.

RTK ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë në lidhje me arsyet e mbylljes së bizneseve, por deri publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Më Shumë

Aksident i trefishtë pas mesnate në Prizren

Një aksident trafiku ka ndodhur pas mesnate në Prizren. Nga pamjet shihet se janë pëplasur tri automjete mes vete. Sinjali ka kontaktuar me Policia e Kosovës...

Përleshje në mes dy familjeve në Kobaj të Prizrenit, vritet një 27 vjeçar

Një 27 vjeçar ka mbetur i vrarë në fshatin Kobaj të Prizrenit, pas një përleshje që është raportuar në mes të dy familjeve. Sipas Policisë,...

Lajmet e Fundit