10.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Seancë kundër studentëve të akuzuar për falsifikim të notave

Zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë dëshmuan në gjykimin e studentëve që akuzohen për falsifikim të notave në lëndën kimi analitike II.

Në seancën e sotme kundër shtatë studentëve që akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë në vitin 2009, dëshmoi sekretari i Fakultetit të Mjekësisë Visar Muçaj.

Veton Rrecaj, avokati i të akuzuarit Jashar Velija e pyeti dëshmitarin në lidhje me vështirësitë që klienti i tij kishte për të paraqitur provimet në Fakultetin e Farmacisë.

Dëshmitari Muçaj tha se kishte pranuar një ankesë nga i akuzuari Velija se zyrtarja për shërbime me studentë nuk po e lejon Velian të paraqesë provimet, por tha se nuk i është përgjigjur kësaj ankese, ngase rasti i Veliajt ishte në Komisionin Disiplinor.

Dëshmitari e pranoi që me një vendim të fakultetit i akuzuari Jashar Velija ka të drejtë të paraqesë provimet, ndërsa bëri të ditur se disa herë e ka shoqëruar tash të akuzuarin, kur ai ka shkuar të paraqesë provimet.

Dëshmitari deklaroi se në ato raste i akuzuari e ka kryer pa problem paraqitjen e provimeve.

Vetë i akuzuari Velija e pyeti dëshmitarin nëse ka pasur ankesa të studentëve për sjelljen e zyrtares për shërbime me studentë.

Sekretari Muçaj nuk i mohoi ankesat, por tha se ato nuk kanë mundur asnjëherë të vërtetohen.

Ky dëshmitar gjithashtu tha se nuk kishte njohuri që dikujt i është lejuar e dikujt ndaluar paraqitja e provimeve, duke shtuar se kjo nëse ka ndodhur, nuk është në rregull.

Më pas dëshmoi Ajtene Daci zyrtare ne Fakultetin e Mjekësisë – Dega Stomatologji, e cila ka qenë anëtare e komisionit disiplinor në rastin e këtyre studentëve.

Dëshmitarja tha se ishte vetëm anëtarja e tretë e këtij komisioni, nga i cili tha se kishte dashur të tërhiqej, pasi ishte pjesë edhe e një komisioni tjetër disiplinor.

Kjo dëshmitare tha për rastin e studentëve është intervistuar nga policia për gati 3 orë, ndërsa tregoi se një hetues i kishte thënë se nëse nuk bashkëpunon, do ta paraqesë si të dyshuar.

Këto fjalë të hetuesit dëshmitarja i cilësoi kërcënim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në rastin e studentëve të Fakultetit të Farmacisë ka ngritur aktakuzë ndaj A.B., F.  J. Veliut, T. Sh., A. D., A. K. dhe D. K.

Prokuroria akuzon grupin e studentëve se në vitin 2009 pasi që më parë janë marrë vesh mes veti, në bashkëpunim e me qëllim të shfrytëzimit, duke falsifikuar kanë ndërhyrë në dokumentet publike-Indekset e tyre duke përshkruar notën në lëndën kimi analitike II. Sipas prokurorisë këta studentë po ashtu kanë falsifikuar edhe nënshkrimin e profesorit të lëndës përkatëse.

Aktakuza ngarkon të njëjtin grup se me qëllim të vërtetimit të çështjes së pavërtetë kanë mashtruar personin zyrtar- referenten e Fakultetit të Mjekësisë – Dega Farmaci, duke përdorur edhe notën e falsifikuar për të regjistruar vitin e tretë të studimeve.

Në këtë rast përveç Jashar Velisë, të akuzuarit tjerë e kanë pranuar fajësinë.

Seancat e radhës së këtij gjykimi janë paraparë për datat 29, 30 dhe 31 korrik./Kallxo.com/

Më Shumë

Po kërkohen ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për...

Vetaksident në Prizren- Vetura godet pemën, lëndohet një person

Vetaksidentohet një veturë në qendër të Prizrenit. Si pasojë shoferi i veturës ka mbetur i lënduar. Ai është përplasur me anësoret dhe më pas me...

Lajmet e Fundit