13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Serbia nuk do që t’i kthejë artefaktet

Ministria e Kulures-simboliPër më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, mbi 1200 artefakte arkeologjike dhe etnologjike, pasuri e jashtëzakonshme e Kosovës janë larg vendit të tyre, Muzeut të Kosovës. Ato u “huazuan” nga Serbia për një ekspozitë në vitin 1999 dhe asnjëherë nuk kanë marrë rrugën e kthimit.

Viti 2011 qe dukur si një mundësi për kthimin e tyre në shtëpi. Kjo pasi ministri i sapogjedhur atëherë i kulturës, Memli Krasniqi, pati premtuar se për këtë çështje do të diskutohej në dialogun në mes të Kosovës dhe të Serbisë, por kthimi i tyre akoma nuk duket i mundur.

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se në bisedimet e radhës që do të jenë në mes të Kosovës dhe të Serbisë, çështja e artefakteve do të jetë një prej temave kryesore.

“Tani në kuadër të platformës tonë si Qeveri ia kemi paraqitur Brukselit temat që dëshirojmë t’i bisedojmë në fazat e ardhshme në bisedime me Serbinë dhe një ndër to është edhe ajo e artefakteve”, ka thënë Tahiri për “Zërin”, duke shtuar se çështja e dëmeve të luftës në Kosovë në fushën e kulturës ka qenë temë në dialogun teknik në njërin prej raundeve të bisedimeve.

“Ministria e Kulturës na ka përgatitur platformën dhe pika e parë që e kemi shtruar ishte kthimi i artefakteve të marra dhunshëm nga okupatori serb dhe pastaj ka pasur një platformë të kthimit të të gjitha dokumentacioneve relevante të fushës së kulturës si dhe kompensimi i dëmeve të luftës që u janë bërë objekteve kulturore dhe fetare në shtetin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Ish-kryenegociatorja tregon se ndonëse është mbajtur një raund për këtë çështje, më pas duke dalë në plan të parë çështje më të rëndësishme në agjendë, siç ka qenë lëvizja e lirë e qytetarëve, tregtia e lirë, marrëveshja e IBM-s, çështja e kulturës ka mbetur e pa trajtuar. “Unë mund t’ju siguroj se edhe kur kanë vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve që i kam udhëhequr, kryeministri ka shtruar kërkesën e artefakteve, por edhe për kompensimin e të gjitha dëmeve të luftës në fushën e kulturës është shtruar, por nuk ka ecur përpara”, ka thënë Edita Tahiri.

Artefaktet arkeologjike dhe etnologjike janë shumë të rëndësishme për Muzeun e Kosovës, thotë Shafi Gashi, drejtor në detyrë në Muzeun e Kosovës.

“Ne vazhdojmë të besojmë që në kuadër të bisedimeve që kanë ndodhur dhe që është thënë se do të vazhdojnë do t’i vijë edhe radha e kësaj teme”, është shprehur ai.

Gashi thotë se kthimi i artefakteve është i rëndësishëm për Muzeun dhe se në të ardhmen do të shikohen edhe alternativa të tjera për kthimin e tyre.

“Koleksioni është më i miri që ka pasur muzeu, edhe disa prej tyre janë të pazëvendësueshme”, ka treguar Gashi.
Në anën tjetër, Enver Rexhaj, drejtor në detyrë në Muzen Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se çështja e artefakteve duhet të jetë njëra prej kritereve bazike të bisedimeve në mes të Kosovës dhe të Serbisë.

“Institucionet qendrore duhet ta bëjnë një shtytje. Në çdo takim zyrtar me institucionet e Kosovës kemi kërkuar që të bisedohet për këtë çështje me Serbinë”, ka thënë Rexhaj, teksa ka shtuar se deri më tani nuk është biseduar për kthimin e pasurisë së trashëgimisë arkeologjike dhe etnologjike.

“Parimisht, deri më tani, sipas njoftimeve zyrtare që i kemi marrë, por edhe në opinion, nuk është bërë diçka për këtë çështje. Për këtë arsye ne duhet ta ngritim zërin. Kemi biseduar dhjetëra herë për mundësit, por ka mbetur se do të punohet, do të veprojmë, do të hyjë si pikë e bisedimeve, por praktikisht nuk është bërë asgjë”, është shprehur Rexhaj.

Shkelzen Dragaj, këshilltar në Ministrinë e Kulturës, mendon se për këtë punë, është çështje që duhet pyetur Qeverinë, ekipin e lartë qeveritar që është i përfshirë sepse ata dinë për agjendën dhe temat e bisedimeve.

“Ne e kemi thënë se në çfarëdo situatë ne kemi ekspertët, dokumentacionin dhe planin e qartë sa i përket diskutimeve që mund të hapen rreth trashëgimisë, e me theks të veçantë në kthimin e artefakteve të Kosovës, që është një kërkesë e vazhdueshme e jona”, ka thënë Dragaj.

Në prill të 2013, ministri i Kulturës Memli Krasniqi, në takimin ku kanë marrë pjesë edhe ministra e zëvendësministra të Kulturës të vendeve të tjera të Evropës Juglindore, kishte thënë se Serbia duhet të marrë shembull nga Gjermania që ktheu në Kosovë shtatë artefakte që ishin kontrabanduar.

Krasniqi i kërkonte Beogradit që të veprojë në mënyrë parimore dhe ta kthejë atë që nuk i takon. Gjatë fjalës së tij, delegacioni serb, i prirë nga ambasadori në Slloveni, Aleksandar Radovanovic, kishin lëshuar takimin dhe janë kthyer vetëm pasi Memli Krasniqi ka përfunduar fjalimin për kthimin e artefakteve.

Më Shumë

Elsa Lila rrëfen qëndrimin e saj në burg

Elsa Lila ka rrëfyer në ‘Ferma Vip’ ditët e qëndrimit të saj në burg. Ajo u arrestua në Itali si pjesë e një grupi kriminal...

Ambasadori Malaj: Dhimbja në Krushë të Madhe preku çdo cep të Kosovës, Shqipërisë dhe botës mbarë

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se masakra e Krushës së Madhe e ka lidhur mbarë botën në pikëllim dhe në...

Dhimbja

Lajmet e Fundit