2.6 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit

7 Marsi, njihet si festa e Mësuesit në Shqipëri, dhe festohet në të gjitha shkollat dhe universitetet.

Është një ditë simbolike për të kujtuar e vlerësuar mësuesit për përkushtimin e tyre në mësimdhënie dhe në përgatitjen e brezave të ardhshëm.

Zanafilla e kësaj dite përkon me hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, e cila u hap në Mars të vitit 1887 në Korçë, pikërisht në një kohë kur shqiptarët mësonin shqip fshehurazi në shtëpitë e tyre, për shkak të sundimit Osman.

Mësonjëtorja e Korçës ka qëndruar e hapur për të paktën 20 vite dhe drejtues të tij ishin figurat e shquara të Rilindjes shqiptare si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami e të tjerë.

Festa e 7 Marsit, u përforcua më shumë gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte dita më e shënuar për mësuesit. Ishte një traditë e bukur, kur nxënësit zgjidhnin përfaqësuesit e tyre më të mirë, të cilët shkonin për vizitë në shtëpinë e mësuesit. Mësuesi i priste me gjithë të mirat, me ëmbëlsira e fruta, ndërsa dhuratat e nxënësve ishin shumë simbolike: lule ose libër.

Sot kjo traditë ka ndryshuar. Festa e mësuesit organizohet në shkollë, me koncerte dhe aktivitete të ndryshme. Edhe dhuratat janë më të larmishme, jo thjesht lule, shkruan KosovaPress transmeton Klankosova.tv

Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të dalluar shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Historia e Mësonjëtores së parë Shqipe

Në vitin 1885, Naim Frashëri, si zyrar në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllain, Sami Frashërin dhe shqiptarë të tjerë me ndikim të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, ia dolën të siguronin lejen nga Sulltan Abdylhamidi II për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Mbështetja financiare iu mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri. Mjedisi ku shkolla u vendos ishte shtëpia e dhuruar nga Diamant Terpo. Si “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, ashtu edhe shoqëria “Drita” kishin rënë dakord që më përpara për të mos antagonizuar parinë vendase të ndikuar nga kultura greke duke hapur shkolla shqipe. Patrikana e Stambollit refuzoi që të jepej gjuha shqipe në shkollat ekzistente greke të komunitetit ortodoks të Korçës. Sotiri u dërgua në Korçë dhe e çeli shkollën më 7 mars 1887.

Tekstet e shkollës i mundësonin vëllezërit Naim e Sami Frashëri dhe shumë shqiptarë të tjerë.[8] Përgjatë 1887-ës, Sotirit iu desh të linte Korçën dhe administrimi i shkollës i kaloi Petro Nini Luarasit dhe Thanas Sinës. Autoritetet osmane i dhanë leje vetëm të krishterëve shqiptarë të ndiqnin mësimdhënien në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën lejes dhe lejuan fëmijët myslimanë që të mund ta ndiqnin. Vitet e para, në shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës të besimit mysliman dhe të krishterë. Në vitin 1888, shkolla kishte 100 nxënës të krishterë dhe 60 myslimanë.

Pandeli Sotiri e filloi mësimin fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej rreptësisht mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet; u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908. U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh në 1917-ën. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi etj.

Më 15 tetor 1891, Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën këtu edhe Mësonjëtoren e vajzave, baza e së cilës ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare.

Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin, ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit, këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi.

Në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 Marsi është caktuar si Ditë e Mësuesit dhe e shkollës shqipe. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë sot është muzeum kombëtar i arsimit.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

 

Më Shumë

Spektakli nuk ka mbaruar, zbulohet kundërshtari i ardhshëm i Tyson Furyt pas humbjes ndaj Usyk

Promotori Eddie Hearn ka zbuluar se kush mund të jetë kundërshtari i ardhshëm i Tyson Furyt pas humbjes së tij ndaj Oleksandr Usyk dhe...

Policia apelon për kujdes gjatë vozitjes për shkak të kushteve atmosferike

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, sidomos drejtuesit e automjeteve, për shkak të ndryshimeve...

Lajmet e Fundit