Remzi Bajselmani ka rifituar pozitën e drejtorit në një shkollë në Suharekë pas vendimit të gjykatës.
Gati dy vjet pasi ka nisur betejën ligjore me komunën, arsimtari Remzi Bajselmani ka rifituar vendin e tij të punës si drejtor në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Sallagrazhdë të Suharekës.
Kthimi i tij në venjdin e punës u bë vetëm pasi që Gjykata e Apelit në Prishtinë vendosi në favor të tij duke refuzuar ankesën e komunës së Suharekës dhe duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Suharekë, me të cilin obligohet komuna e Suharekës, për kthimin në vendin e punës drejtor në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Sallagarazhdë.
Gjykata në Suharekë një vit më parë të viti të kaluar, kishte vendosur në favor të Remzi Bajselmanit.
Por ai nuk u kthye në punë pasi komuna ishte ankuar ndaj këtij vendimi.
Por vendimi i Apelit e ka mbyllur rastin përfundimisht dhe Bajselmani ka pesë ditë që po e drejton shkollën.
Ai thotë se është i lënduar nga ky rast, por i lehtësuar që ka arritur të gjejë drejtësi.
“Jam pak i lënduar prej gjithë asaj që ka ndodhur, por meqenëse drejtësia po funksionon në Kosovë jam shumë i gëzuar dhe i bëj apel të gjithë njerëzve që të mos hezitojnë, ta kërkojnë drejtësinë që u takon sepse dhe në Kosovë ka drejtësi”, tha Bajselmani.
Ndërsa komuna e Suharekës e cila e kishte larguar Bajselmanin nga vendi i punës, tani thotë se e ka zbatuar vullnetarisht aktgjykimin e Apelit, duke mos e lejuar që i njëjti të shkojë në ekzekutim të dhunshëm.
Reshat Reshitja, zëdhënës i komunës së Suharekës, tha për KALLXO.com, se komuna e ka kthyer në vendin e punës, duke zbatuar vendimin e gjykatës dhe kjo komunë gjithmonë do ti zbatoj vendimet gjyqësore.
“Normalisht komuna e ka zbatuar një vendim të tillë të gjykatës dhe komuna do t’i zbatojë gjithmonë, vendimet që vijnë nga gjykata, pavarësisht se si është vepruar. Gjykata e din si duhet vepruar dhe komuna e ka zbatuar një vendim të tillë”, tha Reshitaj.
Remzi Bajselmani më 25 nëntor 2013, në kohën e qeverisjes së Suharekës nga Blerim Kuqi, u zgjodh për herë të dytë drejtor i Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” me një mandat deri më 25 nëntor 2018.
Por më 26 maj të vitit 2014 atij me aktvendim nga kryetari Sali Asllanaj, iu ndërpre kontrata me arsyetimin e përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.
Ai kishte paditur komunën e Suharekës për anulim të aktvendimit të kryetarit të komunës për shkëputjen e marrëdhënies së punës dhe kthimin në vendin e punës. Kallxo.com kishte përcjellur rastin në vazhdimësi dhe kishte shkruar për këtë rast. /Kallxo.com/