Një lëvizje që do të ketë ndikime në marrëdhëniet shqiptarogreke dhe që vërë në dyshim të drejtën e Greqisë për të eksploruar në detin Jon. Kështu e ka karakterizuar e përditshmja greke “To Vima”, kërkesën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, që iu dorëzua ambasadorit grek, vetëm disa ditë më parë.
Në këtë kërkesë pala shqiptare kërkonte informacion në lidhje me hartat detare, me të cilat kompanitë koncensionare do të kryejnë kërkime në detin Jon. Kjo kërkesë, por edhe disa çështje të tjera siç është ajo e marrëveshjes që Tirana nënshkroi me Athinën në vitin 2009, që flet për përcaktimin e kufirit mes Greqisë dhe Shqipërisë, priteshin të që të shtroheshin në tavolinën e SEECP-it, që do të mbahet në Tiranë më 22 maj. Por duket se pas kërkesës së Bushatit këto çështje do të mbeten thjesht në agjendë, pasi ministri i Jashtëm i Greqisë nuk do të bëhet pjesë e këtij takimi.
Takimi i SEECP në Tiranë “Tirana vë në dyshim zonat për kërkimet e naftës në Jon”, është titulli i artikullit të gazetës greke “To Vima”, që flet për marrëdhëniet detare dhe tokësore mes dy vendeve. Sipas artikullit të publikuar në numrin e djeshëm, specialistë grekë të Ministrisë së Jashtme e konsiderojnë shqetësuese kërkesën e palës shqiptare të disa ditëve më parë, e cila vë në dyshim të drejtën e Greqisë për kërkime dhe shfrytëzimin e hidrokarbureve në një prej zonave të detit “Jon”.
Por duket se si pasojë e kërkesës së palës sh-qiptare, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias thuhet se ka vendosur të mos marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të SËCP, që do të zhvillohet më 22 maj në Tiranë. Si pasojë e kësaj mbetet enigmë nëse Greqia do të përfaqësohet nga dikush tjetër apo do të refuzojë të marrë pjesë në samitin e lartë ndërballkanik, që do të kryhet katër ditë më vonë në kryeqytetin shqiptar. Kërkesa e Shqipërisë, e cila iu dërgua ambasadorit grek në Tiranë, ishte e thjeshtë dhe shumë specifike. Në thelb ajo kërkonte zonat e përcaktuara nga Greqia për eksplorimin në detin Jon, dhe moskoncensionimin e kuadratit “Joni 5”, pa u zgjidhur statusi i kësaj zone, transmeton Shekulli.
Kjo edhe për shkak të shfuqizimit të marrëveshjes së 2009-s nga Gjykata Kushtetuesem vetëm një vit më vonë. Por sipas të përditshmes greke, përcaktimi i këtyre zonave nga qeveria greke, Ministria e Energjisë në bashkëpunim më Ministrinë e Punëve të Jashtme, është kryer në përputhje të plotë me marrëveshjen e vitit 2009, që për “To Vimën” është më se e drejtë. Një nga çështjet e ngritura nga pala shqiptare është që në ishujt e Diapontias në veri të Korfuzit (tre ishujt më të mëdhenj Othonoi, Ereikoussa dhe Mathraki), shteti grek nuk duhet të ketë liri të pa kufizuar në kërkimin e hidrokarbureve.
E përditshmja greke shkruan se Turqia është një nga ndikueset më të mëdha të politikës që Shqipëria ndjek në lidhje me kufinjtë: “Në këtë pikë është i qartë ndikimi i Ankarasë, e cila investon në marrëdhëniet me Tiranën, siç dëshmohet nga vizita e fundit e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan”. Sipas artikullit, një nga çështjet e ngritura nga Tirana është heqja e ligjit të luftës, që do të mundësojë finalizimin e kufirit tokësor mes dy vendeve. “Kujtojnë se sot kufiri tokësor mes dy vendeve është përcaktuar nga Protokolli i Firences në 1913-n”. Pala greke e konsideron këtë një çështje të mbyllur, por shqiptarët insistojnë”, shkruan “To Vima”.