Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur akuza të forta ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, lidhur me “kurdisjen e tenderit për ndarjen e vijave të transportit publik për vitin 2024-2025”.
Sipas LV-së, operatori “EFA TOURISM LL.C.” është shpallur fitues i këtij tenderi në mënyrë të dyshimtë.
“Keqpërdorimet dhe manipulimet në Komunën e Prizrenit kanë marrë përmasa drastike. Përveç keqqeverisjes dhe vjedhjes së parasë publike, kurdisja e tenderëve në dobi të dostave të Shaqir Totajt nuk ka të ndalur.”, thuhet në reagimin e Lëvizja Vetëvendosje në Prizren.
Sipas këtij subjekti politik, operatori “EFA TOURISM LL.C.” është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve më 22 prill 2024, në emrin e Emin Altunç.
“Ajo që është e habitshme është se numri kontaktues i këtij biznesi është i zv/kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, Levent Bus. Ndërkohë që Levent Bus është anëtar i KDTP-së, ai është gjithashtu një person i afërt me Shaqir Totajn dhe përfaqëson PDK-në në Komitetin për Politikë dhe Financa.”
Lëvizja Vetëvendosje! akuzon se kompanitë e lidhura me PDK-në kanë përfituar nga tenderët e kurdisur për disa vite dhe tani po themelojnë biznese të reja për të siguruar tenderë në dobi të tyre dhe përfitime të paligjshme.
Sipas sinjalizuesve të Lëvizjes, autobusët e “EFA TOURISM LL.C.” janë sjellë në Prizren para shpalljes së fituesit dhe janë ruajtur në hapësirat e një kompanie private, duke përforcuar akuzat për manipulime të mundshme.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që Prokuroria të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe të nisë hetime ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë aferë të dyshuar të korrupsionit./PrizrenPress.com/
Marketing
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Restoranti familjar “Sofra” shpall konkurs për vende të lira pune