3.3 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Vrasja tek ‘Tranziti i ri’ në Prizren, dëshmitari thotë se ka qenë prezentë në momentin kur të akuzuarit e kanë goditur me thikë të ndjerin

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është dëgjuar dëshmitari, Miran Halili, i cili tha se ka qenë prezent në momentin kur të akuzuarit Orhan dhe Albert Ademaj e kanë goditur me thikë në zemër të ndjerin M.K.

“Unë e kam pa Orhanin dhe Albertin në një moment afër Mendimit dhe Mendimi thojke mos ma fut se ma ke fut në zemër dhe unë kam bërtit çka i keni bërë djalit por ata janë larguar menjëherë”, tha dëshmitari Halili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurorit Genc Nixha se a i kujtohet deklarata e dhënë në prokurori, dëshmitari Halili ka thënë se i kujtohet dhe ka kërkuar që e njëjta të i lexohet në këtë seancë.

Këtë kërkesë të Halilit, e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Orhan Ademaj, avokat Blerim Mazreku pasi që sipas tij, leximi i deklaratës e dëmton marrjen në pyetje të dëshmitarit nga ana e mbrojtjes.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka lejuar leximin e deklaratës nga procesverbali i 10 qershorit 2020 për të cilën dëshmitari Halili ka thënë se është deklarata e tij.

Në pyetjen e prokurorit Nixha se në çfarë kohe dhe ku është takuar me të ndjerin M.K, Halili ka thënë se me të ndjerin është takuar në ora 8:30 ose 9 në lagjen “Ortakoll” tek Bunkeri i cili gjendet afër kafiteris “Qill”.

Po ashtu, ai tha se ditën kritike së bashku me të ndjerin M.K ka qenë me motor të tipit “Honda” dhe se në lagjen Ortakoll kanë takuar të akuzuarit Ademaj të cilin i kishin ndjekur me veturën “Golf 3” të bardhë, për të cilët kishte menduar se dëshironin të bisedonin apo përshëndeteshin.

Dëshmitari Halili shtoi se në këto momente ka ngadalësuar motorin por kur kishte parë se Orhani kishte një thikë në dorë dhe ishte larguar me motor në drejtim të Dushanovës për në Arbanë.

Tutje, Halili tha se pas mbërritjes në Dushanovë kishte hyrë në një rrugë për të cilën nuk e kishte ditur që nuk kishte kthim dhe se ishte ndjekur nga të akuzuarit Ademaj të cilët me veturën e tyre e kishin goditur motorin e tij.

Në pyetjen tjetër të prokurorit Nixha se çfarë ndodhi me të dhe të ndjerin M.K pasi që janë goditur me veturë, dëshmitari Halili tha se me motorin e tij kishte rënë në pereshe- therra, ndërsa sipas tij, i ndjeri kishte zbritur nga motori para se të goditeshin me veturë dhe se pas therjes të ndjerin M.K nga të akuzuarit Ademaj nuk e kishte parë se nga kanë shkuar.

Ndërsa, në pyetjen e avokatit Mazreku se a është e vërtetë që i ndjeri M.K kishte pasur thikë pasi që këtë ai e kishte thënë në deklaratën e dhënë në prokurori, dëshmitari tha se kjo është e vërtetë dhe së të njëjtën thikë e ka parë pasi që e kanë therur të ndjerin dhe se atë e ka futur në xhep.

Po ashtu, ai tha se të njëjtën thikë si dhe marihuanën të cilën e kishte poseduar atë ditë ia kishte dorëzuar zyrtarit policor të cilin emrin nuk ia di por ka përshkruar tiparet e të njëjtit se si dukej.

Avokati Mazreku, dëshmitarit Halili i ka parashtruar pyetje lidhur me faktin se e kujt ka qenë kjo marihuana, mirëpo pyetje të tilla i ka kundërshtuar prokurori Nixha me arsyetimin se të njëjtat nuk janë pyetje të tërthorta dhe nuk janë relevante për çështjen.

Në pyetjen tjetër të avokatit Mazreku se a është e vërtetë që pas takimit me të ndjerin tek vendi i quajtur “Pishat” kanë konsumuar marihuanë dhe se pas konsumimit ka drejtuar motorin e tij drejtë lagjes “Ortakoll”, dëshmitari ka pohuar një gjë të tillë.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ademaj, avokati Hajrip Krasniqi ka thënë se në emër të të mbrojturit të tij ka shprehur pakënaqësinë e zhvillimit të seancës pasi reagimet me mimika të prokurorit Nixha dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar Pajtim Kurtishaj, avokat Sylë Hoxha sipas tij pengojnë zbardhjen e rastit.

Gjykatësja Elezi tha se nuk ka vërejtur një gjë të tillë nga ana e prokurorit Nixha apo avokatit Hoxha i cili gjendet prapa shpinës së dëshmitarit.

Kurse, avokati Krasniqi ka kërkuar nga trupit gjykues që dëshmitari Halili të identifikoj të akuzuarit ku i njëjti ka identifikuar duke drejtuar me dorë dhe duke i thënë emrat e tyre.
“Alberti është me bluzë të bardhë kurse me bluzë të kaltër është Orhani”, tha dëshmitari Halili.

Në pyetjen e avokatit Krasniqi se çfarë ka qenë reagimi i të akuzuarve Ademaj para goditjes, dëshmitari tha se Orhanin e ka pa pastër kurse Albertin nuk e ka parë sepse ishin larguar menjëherë.

Ai shtoi se, takimi në lagjen Ortakoll me të akuzuarit Ademaj nuk e di se a ka qenë i rastësishëm apo të njëjtin i kanë përcjellë atë dhe të ndjerin M.K.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Halili, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka kërkuar mendimin e ekspertit Bujar Obertinca i cili ishte prezent gjatë dhënies së deklaratës së dëshmitarit Halili tha se pacienti i tij përkundër çrregullimeve të cilat i manifeston nuk kanë ndikuar në deklarimin e tij, në inteligjencën dhe kujtesën e tij.

Për këtë, ai tha se deklarata e tij mund të merret për bazë duke u bazuar në aktin e Mbretërisë së Bashkuar atë të muajit korrik 2009 i quajtur “Supporting victims and witnesses with mental health issues”, duke shtuar se deklaratat e dëshmitarit Halili kanë qënë kompatibil me atë të dhënë në prokurori dhe polici.

Në fund, avokati Mazreku propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet zyrtari policor Agron Hoti, të cilin propozim e ka mbështetur avokati Krasniqi.

Propozimin e tillë nuk e ka kundërshtuar prokurori Nixha dhe të njëjtin e ka aprovuar gjykatësja Elezi.

Ndryshe, në fillim të kësaj para dëgjimit të dëshmitarit Halili, avokati Krasniqi ka kërkuar që t’i lejohet audio-incizimi i deklaratës së dëshmitarit të cilën kërkesë e ka aprovuar gjykatësja Elezi pasi që gjykata nuk kishte kushte të bënte incizimin me video dhe audio të kësaj seance.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 4 tetor 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të markës “Golf III”, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë të ndjerin M.K, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit Miran Halili, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe iu afrohen motoçikletës.

Bazuar në aktakuzë, vetë dëshmitari Miran deklaron se ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë”, gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit, të cilët kanë qenë në veturën e tyre.

Sipas aktakuzës, kur arrijnë në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transit i ri” në Prizren, e cila rrugë nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përskaj rruge është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre iu janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën.

Thuhet se pas kësaj, i pandehuri Orhan pasi që del nga automjeti i afrohet të ndjerit M. dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes derisa viktima duke e mbajtur dorën në plagën e shkaktuar, pas së cilës ka ardhë auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.

Me këtë rast, sipas aktakuzës është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete, sipas raportit të mjekut kujdestar Sadri Hulaj me nr.3227 të datës 1 maj 2020.

Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” për të cilën vepër penale parashihe dënim me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Më Shumë

Ndërtuesit: Vitin e ardhshëm rriten çmimet e banesave, shkak ikja e punëtorëve

Mungesa e fuqisë punëtore, ngritja e çmimit të materialit ndërtimor, poashtu ngritja e çmimit të tokave me koncesion janë arsyet që, sipas ndërtuesve, po...

Mbyllen 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e...

Lajmet e Fundit