Shkruan: Blerim Burjani
Kosova nuk ka pasur nevojë fare për këto zgjedhje të parakohshme pa e kryer asnjë punë deri në fund. Një varg telashesh priten ta katandisin shtetin pas zgjedhjeve të parakohshme, për shembull kush ta zgjidhë Demarkacionin…? Askush prej këtyre njerëzve të dikurshëm, pozitë dhe opozitë! Kush do ta zgjidhë çështjen e themelimit të Ushtrisë dhe Asociacionit? Kosova mund të përballet me izolim ndërkombë- tar si rezultat i paaftësisë së lidershipit konfliktuoz, kryeneç dhe absurd, i cili përfundoi kot mandatin në gjysmë dhe pa asnjë përfitim nga qytetarët, kujt i intereson në opinion publik pse u prish një koalicion, PDK dhe LDK, dhe kujt më i intereson kush do të fitojë në zgjedhje të parakohshme nga qytetarët? As që merret më kush me këtë klasë politike të deritashëm, të cilët sollën varfëri dhe vulgarizim të politikës dhe institucioneve, paaftësi dhe apetite për kolltukë dhe për dërgim të familjarëve nëpër ambasada të Kosovës. Kush të zgjidhë tash çështjen e sigurimeve shëndetësore, që është e domosdoshme për qytetarët, kush do të merret me të papunët? Këta që ishin deri dje në institucione? Po kush u beson këtyre më? Dhe pse? Dështues të plotë nuk kanë dështuar për interesa personale, aty kurrqysh, por për interesa qytetare as që janë marrë me ata! Kush u mor me qytetarët kur ra Qeveria? Të gjithë vajtonin në mënyrën e vet, si pozita e deritashme edhe opozita, qysh ndodhi? Pse ndodhi? Pse u prishën e këso gjera banale pa kurrfarë fitimi prej kësaj pune nga qytetarët?
Po kujt i interesonte prishja tek qytetarët? Askujt, vetëm partiakëve dhe klientalave të tyre partiake.”Nëse këto parti, që ishin pjesë e pozitës dhe opozitës, fitojnë prapë, shtetin e pret një ngërç i ri, inatet personale dhe partiake, zhvatje të buxhetit, varfëri e gjithçka tjetër. Por, nëse veç fiton ndonjë subjekt i ri, i cili nuk ishte fare pjesë e Parlamentit, pra në skenë të jetë një parti e re, mund të jetë një shpresë për qytetarin, e cila shtetin do ta dërgojë më shpejt në BE dhe anëtarësim në NATO. Këto subjekte politike që 17 vjet kanë sjellë trazira dhe konflikt politik, kanë përçarë popullin dhe nuk kanë bërë gjë tjetër. Pra, pse të votohen këta njerëz të deritashëm, të cilët pa dallim janë të përgjegjshëm, për stagnim të realizmit të drejtave të qytetarëve, siç janë liberalizimi i vizave, zhvillimi ekonomik, Demarkacioni. Andaj nuk ka perspektivë shteti ynë, të cilin duhet ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë, të kemi rend dhe ligj, të ndalet korrupsioni, nepotizmi e të gjitha të tjerat. Kosovës nuk i duhen këto zgjedhje fare, Kosovës dhe qytetarëve u duhet zbatimi i projekteve që kam përmendur më lart. Mishmash i vërtetë, njerëz të shumtë kur s’kanë ndonjë profesion veten e gjejnë në politikë, sa shumë njerëz janë të interesuar të hyjnë për interesa personale? Krejtësisht njerëz të panevojshëm për politikën, njerëz pa profesion? Por, me ambicie të vetme të përfitojnë ndonjë kolltuk apo për t’u bërë ambasador.
Kush do të dalë në zgjedhje?
Një numër i vogël dhe simbolik mund të dalë në zgjedhjet e parakohshme, rënie të madhe do të ketë dalja e qytetarëve, përveç përfituesve partiakë. Këto zgjedhje janë joatraktive, joshpresëdhënëse për askënd nga qytetarët. Rinia është vetëdijesuar? Kur s’po munden të gjejnë vetën në Kosovë, atëherë po aplikojnë për të dalë nga shteti me “green kart” dhe në punësim në Gjermani. Profile të shumta kanë ikur dhe janë në ikje për një jetë më të mirë, profesorë, mjekë, inxhinierë, këngëtarë, artistë dhe gjithçka tjetër. Kosova po mbetet shtet vetëm i atyre që po përfitojnë nga politika… Dalja e qytetarëve në zgjedhje do të jetë sfida më e madhe e shtetit tonë, ka pak të interesuar për këtë temë që vlerësohet nga të rinjtë si e kotë. Dalje për çka?Për të ricikluar korrupsionistë, familjarë, politikë, e njerëz përfitues personal dhe shëtitës nëpër botë në emër të buxhetit te Kosovës, për njerëz që kane ngritur pensione për deputetë dhe kanë rritur paga dhe kanë adoptuar ligje në rast se s’janë më në politikë, mund të kthehen aty ku ishin, të punojnë në shërbim civil të shtetit? Po kush do të merrej në botën perëndimore me këtë kategori njerëzish? Askush, gjemani një shteti ku deputetët rrisin paga për veti, askund. Qytetarët e këtij shteti duhet të vetëdijesohen skajshmërisht se i pret ngërç i sërishëm i madh dhe paaftësi për t’u marrë me shtetin. Përderisa në Suedi një deputet paguhet me mëditje dhe këshilltari komunal vetëm pesëdhjetë euro për seancë, në Kosovë paga e deputetit synohej të bëhej rreth dy mijë euro. Rumania dhe Bullgaria gjithashtu si vende që hynë në BE kishin zbritur të gjitha privilegjet, pra për të shërbyer shtetit dhe qytetarit nuk ka nevojë të ketë fare privilegje. Pra, duhet te hiqen të gjitha privilegjet, kjo është rruga për të nxitur njerëzit të merren me ekonomi tregu, por jo me politikë, në ekonomi të tregut merren vetëm njerëzit e pasur ekonomikisht dhe klasat sociale, pra të pasurit, të varfrit dhe klasa e mesme, të cilët organizohen në parti për të mbrojtur interesat ekonomike.
Kosova dhe ngërçet
Shtetin e pret një ngërç i ri, po qe se këta njerëz vijnë në pushtet prapë, pra hynë në Kuvend. Këta njerëz, të cilët e kanë problem për të shkruar “ese për pranverën” , do të rroken sërish për interesa personale, se kush do të marrë postin e kryeministrit. Nuk është me rëndësi a është parti e vogël a e madhe, këta kërkojnë pa dallim të marrin postin e kryeministrit, apetitet e mëdha e “takatin kërkah”, kështu e shpjegoj unë, këta njerëz gënjejnë pa këputë e pa ndalë, se kanë vija të kuqe, a të “bojkafta”, përndryshe këta njerëz, që quhen liderë, që kanë themeluar parti – organizata private, kuptohet qëllim apo synim të tyre e kanë pa dallim postet publike dhe interesat e tyre në radhë të parë personale, materiale apo pasurimi, pastaj familjarë dhe partiakë. Ngërçi mund të riciklohet,gjasat janë reale që këta njerëz ta sjellin skenarin e Maqedonisë në Kosovë, me ngërç e karrige e dhunë dhe konflikte personale? Jemi në pozitë të keqe shumë me këtë kategori njerëzish të deritashëm që përbënin pozitën dhe opozitën, sepse këta deri tash ishin shembulli më negativ i mundshëm i zbatimit të vullnetit të qytetarëve.
Koalicionet apo pazaret partiake?
Shumë koalicione përmenden, por s’po përmendin asnjëherë zgjidhje, kujt po i interesojnë kush me kë po bëhet, qytetarit i intereson kush po realizon interesin e tyre e jo kush me kë po bëhet? Krejt koalicionet janë të hapura, “të gjithë me të gjithë”, pra s’ka rëndësi a janë të majtë a të djathtë, a çka janë? Me rëndësi është posti i kryeministrit? Por, këto parti të vogla apo copëza secila ka interesin e madh sa partitë e mëdha, vështirë e kanë për t’u bërë bashkë dhe për ta mundur PDK-në. Meraku i madh, por mundësitë e vogla, kështu unë e shpjegoj këtë. Pra, këtu s’ka dallim fare në mes tyre, të gjithë të gatshëm të hyjnë në koalicione me para, kështu është situata, politika po ofron në Kosovë shkollim, karrierë, poste, perspektivë, të gjitha, për këtë arsye është aktiv interesi për t’u marrë me politikë, pse të merresh me zanat dhe mezi të mbetesh gjallë ekonomikisht, më mirë të bëhesh partiak e i pasur, kështu mendohet në Kosovë. Ende është herët për të bërë koalicione apo është vonë. E para, herët është se askujt nuk i konvenon për ta proklamuar koalicionin me dikë kur s’dihet fare rezultati zgjedhor, e dyta, vonë nëse e humbin matematikën e tyre e presin pas rezultatit për t’u marrë me këtë temë, kjo është më tërheqëse edhe për partitë e mëdha, edhe për “goglat e vogla” apo partitë e vogla.