14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Zgjedhjet do të ndikojnë në agjendën evropiane

Kosove-BE-flamujtNjohësit e integrimeve evropiane dhe përfaqësuesit e subjektive politike mendojnë se procesi zgjedhor dhe konstituimi i institucioneve të reja do të ndikojnë në ngadalësimin e agjendës evropiane për këtë vit.

Analisti Emrush Ujkani dhe ish-kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani, kanë deklaruar se Kosova duhet të ketë kujdes në organizmin e këtyre zgjedhje, më pas duhet të fokusohet më shumë në forcimin e rendit dhe të ligjit. “Absolutisht se zgjedhjet do të ndikojnë në agjendën evropiane të Kosovës për këtë vit dhe jo vetëm. Me gjasë zgjedhjet do të ndikojnë në gjithë jetën institucionale dhe publike në vendin tonë, sepse do të mungojë pushteti politik, i cili legjitimohet nëpërmjet zgjedhjeve, ndërsa ai administrativ do të mundohet të bëjë aq sa është e mundur”, ka thënë Ujkani për “Epokën e re”.

Ai ka bërë me dije se deri kah muaji tetor nuk do të ketë institucione efikase të cilat do të mund të merreshin në mënyrë serioze me agjendën evropiane. “Tash i kemi zgjedhjet që priten të përfundojnë në muajin qershor. Pastaj konstituimi i institucioneve të reja me gjasë nuk do të mund të ndodhë deri në fillim të vjeshtës së këtij viti. Respektivisht institucione efektive do të kemi vetëm prej tetorit të këtij vitit, prandaj duhet të marrim parasysh se sa institucionet do të kenë legjitimitet për të vepruar karshi sfidave që i ka përmendur z. Fyle”, është shprehur Ujkani.

Ai ka treguar se për institucionet e Kosovës do të jetë mjaft vështirë t’i përmbushin porositë e komisionarit për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule, të cilat i ka dhënë gjatë vizitës në Kosovë. “Këto nuk janë kushte të reja që i vendosen Kosovës, por sado të arrihen ato apo sado të kompletohen ato, nuk është e mundur të kompletohen deri në fund të vitit, por është e mundur të përmirësohen deri në fund të vitit. Sundimi i ligjit është një kriter i cili kërkon angazhim më serioz. Dihet se Kosova vazhdimisht ka çaluar në vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin. Prandaj, mendoj se ka mundësi të përmirësohen ato, por jo të plotësohen të gjitha”, ka thënë Ujkani, duke shtuar se reforma në fushën e sundimit është kriteri që lidhet drejtpërdrejt me procesin e liberalizimit të vizave.

Ndërsa ish-kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani, ka vlerësuar për “Epokën e re” se vetëm një qeveri e përgjegjshme pas zgjedhjeve do të mund ta kompensonte kohën e humbur me punë efikase. “Institucionet e rendit dhe ligjit do të kenë mundësinë ta dëshmojnë veten gjatë zgjedhjeve të ardhshme, duke mos lejuar manipulim të vullnetit të qytetarëve. Natyrisht se zgjedhjet dhe krijimi i institucioneve të reja marrin pak kohë, mirëpo nëse krijohet një qeveri e përgjegjshme, ajo kohë mund të kompozohet nëpërmjet punës efikase”, është shprehur Osmani. Sipas saj, sundimi i ligjit duhet të jetë objektiv i përhershëm i institucioneve të Kosovës. “Fatkeqësisht, qeveria e tanishme ka dëshmuar jo vetëm mungesë të vullnetit politik për të avancuar në këtë fushë, por vetë është bërë pjesë e aferave korruptive e kriminale që kanë rezultuar me regres në sundimin e ligjit. Një aspekt tjetër është ndërhyrja e vazhdueshme politike e qeverisë në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, fenomen ky që urgjentisht duhet të luftohet”, ka thënë Osmani.

Qeveria e ardhshme, sipas saj, që do të udhëhiqet nga LDK-ja, do të jetë ndryshe nga qeveritë e deritashme. “Qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga LDK-ja, do të ketë prioritet luftimin e dukurive të tilla negative dhe në këtë mënyrë do të kontribuohet në krijimin e një shteti ku sundon ligji dhe ku askush nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar Osmani.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, gjatë vizitës në Kosovë, një ditë më parë, pati deklaruar se agjenda e Kosovës drejt integrimit evropian për këtë vit sillet rreth tri çështjeve kryesore. “Së pari duhet të vazhdohet procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Së dyti, përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen së shpejti, kështu më thanë. E treta, nevoja që të vazhdohet puna me reformat në sundimin e ligjit, gjë që është theksuar në Studimin e Fizibilitetit dhe në Raportin e kaluar të Progresit”, ishte shprehur Fyle.

Më Shumë

Karakaçi përforcon Lirinë

Skuadra e Lirisë ka njoftuar për transferimin më të ri në skuadër, i cili e përforcon repartin mesfushës. Liria e ka bërë zyrtare transferimin...

Spitali i Prizrenit nesër organizon Akademi Përkujtimore në nderim të Dr. Vlora Ukimerit

Nesër, Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa” në Prizren do të organizojë një Akademi Përkujtimore në nderim të Dr. Vlora Ukimerit, mjeke specialiste neonatologe, për...

Lajmet e Fundit