Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Fitim Shala, kanë vizituar dje atletin malishevas Grevist Bytyçi gjatë përgatitjeve të tij për Lojërat Paralimpike “Paris 2024”. Grevist Bytyçi do të hyjë në histori si atleti i parë që përfaqëson Kosovën në këto gara prestigjioze.
Gjatë vizitës, kryetari Kastrati u informua nga trajneri i Grevistit, Adrian Mazreku, për përgatitjet intensive që po kryen atleti për të arritur rezultate të shkëlqyera. Trajneri dhe atleti konfirmuan se gjithçka po shkon sipas planit dhe se Grevisti është në formë të shkëlqyer për të përfaqësuar Kosovën.
“Ne si Malishevë, jemi krenar për Grevistin, sepse ai do të jetë përfaqësuesi i parë kosovar dhe i vetmi deri më tani që merr pjesë në nivelin më të lartë të Lojërave Paralimpike. Ai është shembulli më i mirë se, pavarësisht rrethanave, njeriu mund të arrijë gjithçka në jetë, përfshirë edhe pjesëmarrjen në këto lojëra, që për shumicën e njerëzve është vetëm një ëndërr”, tha kryetari Kastrati, përcjell PrizrenPress.
Grevisti do të garojë në disiplinën e vrapimit 1500 metra, me garën që do të zhvillohet më 31 gusht. Synimi i tij është jo vetëm pjesëmarrja, por edhe arritja e një medalje, duke u bërë kështu një burim frymëzimi për të gjithë.
Grevisti, i mbushur me optimizëm për rezultatet e ardhshme, falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, duke përfshirë kryetarin Kastrati dhe drejtorin Shala, për përkrahjen e tyre të vazhdueshme, e cila e motivon për të arritur më të mirën./PrizrenPress.com
Marketing
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit