Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka bërë të ditur se banorët e tri rrugëve në lagjen “Arbanë” duhet të përdorin ujin vetëm për nevoja sanitare deri në një njoftim të ardhshëm.
Ky vendim ka ardhur pas dyshimeve se ndërhyrjet e paautorizuara në rrjetin e ujësjellësit kanë shkaktuar përzierjen e ujit të pijes me ujin e ujitjes.
Sipas raportit të kompanisë, pas ankesave nga konsumatorët për cilësinë e ujit të pijes, zyrtarët e KRU-së kanë inspektuar vendin e ngjarjes.
Ata kanë konfirmuar se uji nga burimet e kompanisë është në përputhje të plotë me standardet e kërkuara. Megjithatë, janë identifikuar probleme në tri rrugë specifike: ‘Faik Qabrati’, ‘Arbëreshët e Kalabrisë’, dhe ‘Arbëreshët e Zarës’.
“Në këto rrugë, uji i pijes është përzier me ujin e ujitjes për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në rrjetin e ujësjellësit,” shpjegon njoftimi i kompanisë.
Për të adresuar këtë situatë, KRU “Hidroregjioni Jugor” kërkon që banorët të mos përdorin ujin për pije deri në identifikimin dhe eliminimin e ndërhyrjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
Marketing