Qeverisja e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj përgjatë 33 muajve të shkuar është vlerësuar si jashtëzakonisht e mirë nga kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Berisha Bytyqi.
Sipas kryesueses që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari Totaj ka bërë punë të mira gjithnjë brenda mundësive buxhetore.
“Qeverisjen e deritanishme të kryetarit Totaj në Prizren e vlerësoj jashtëzakonisht të mirë. Po e shoh që po mundohet të bëj punë të përditshme sa më të mira, kur e them këtë gjithmonë brenda mundësive buxhetore, pastaj ligjore, procedurave që kemi. Jo të gjithë qytetarët i shohim punët ashtu si i dëshirojmë, por duhet ditur se këtu ka rregulla, ka ligje, ka procedura, të cilat me të vërtetë edhe mua si kryesuese, por edhe kryetarit e gjithë ekzekutivit na marrin kohë dhe mbarëvajtja e punëve që dëshirojmë ti kryejmë në afate sa më të shkurtra, sa më shpejtë dhe sa më mirë, s’na lejojnë që ti bëjmë me afate rekorde”, ka thënë Berisha Bytyqi për Telegrafin.
Sipas saj merita më e madhe e kryetarit Shaqir Totaj është se pas një periudhe të polarizimeve politike ka arritur që të krijoj një atmosferë më pozitive, dhe bashkëpunim më të lartë me qytetarët.
“Nga përditshmëria jonë e punës, takimet që kemi qytetarët e Komunës së Prizrenit shohim një atmosferë shumë pozitive, një kënaqshmëri të lartë të qytetarëve të Prizrenit me punën që po e bën kryetari aktual, zotëri Shaqir Totaj bashkë me ekipin e tij”, ka deklaruar Berisha Bytyqi për Telegrafin.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, mandatin e ka marrë në dhjetor të vitit 2021, dhe në janar të vitit 2022 ka emëruar drejtorët e Ekzekutivit lokal. Ai pat premtuar qeverisje të mirë në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/
Marketing