Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, në Rahovec ka thënë se entuziazmi që kanë parë gjithandej vendit është garancë për fitoren e tyre më 9 shkurt.

Hamza garantoi mirëqenie për të gjithë dhe u angazhua për 6 miliardë euro investime kapitale gjatë mandatit të tij.

“Një ekonomi më të mirë, një mbështetje pa rezerva për sektorin privat, sepse për ne ndërmarrësit janë njerëz të mirë, sepse punojnë, punësojnë, dhe kudo në botë për tatimpagues flitet me respekt. Prandaj do t’i pështesim në shumë mënyra, duke krijuar një ambient miqësor për ta dhe investimet e huaja”, tha Hamza.

Ai gjithashtu foli për rritjen e pagave për mësuesit, mjekët, policët dhe të gjithë shërbyesit civil.

“Çmimet janë rritur, rritja e të ardhurave nuk ka ndodhur, është përkeqësuar standardi i jetës, prandaj rritja e 50% të pagave për këta grupe do të bëhet në fillim të mandatit”, theksoi ai.

Hamza tha se garanton që invalidët e luftës nuk do të kenë asnjëherë brengë për trajtimin shëndetësor, dhe veteranëve do t’u njihet e drejta për të punuar dhe për të marrë pensionin njëkohësisht.

Ai premtoi mirëqenie, investim në arsim dhe shëndetësi.  “Mirëqënia e familjës,investimet në arsim, shëndetësi do të mbetën prioritet nën qeverisjën e PDK-së, tha Hamza, teksa premtoi edhe 150 milion euro cdo vit për barnat esenciale.

Hamza tha se lista e kandidatëve për deputetë nga PDK-ja është më e mira dhe do të përfaqësojë denjësisht qytetarët në Kuvendin e Kosovës./rtk/