Në qytetin vreshtar të Rahovecit nesër fillon festivali “Hardh Fest”. Nën moton “Për kokërr t’qefit!”, festivali synon të mbledhë mijëra vizitorë vendorë e të huaj. Organizatorët thonë se gjithçka është gati për festën e madhe të rrushit, ku për tri ditë e tre net, do të ketë aktivitete të shumta kulturore e argëtuese. Ndërsa, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, thotë se “HardhFest” ka ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Nga data 5 e deri më 7 shtator, në qytetin e Rahovecit do të mbahet edicioni më i ri festivalit “Hardh Fest”.
Një nga organizatorët e festivalit të vjeljes së rrushit, rakisë e verës, Gardalin Shtavica, thotë për Radio Kosovën se gjithçka është gati për fillimin dhe mbarëvajtjen e festivalit, i cili si çdo vit tjetër, edhe këtë vit, pritet të sjellë në qytetin e rrushit, mijëra vizitorë nga vendi e bota. Shtavica thotë se festivali do të fillojë me prerjen e kalaveshit të rrushit, për të pasuar aktivitete të ndryshme promovuese, kulturore e argëtuese.
“Si zakonisht do të organizohen lojëra të ndryshme të cilat do të promovojnë traditën dhe kulturën tonë, se një turist kur vije këto dëshiron të sheh se si jeton popullata vendëse dhe si i realizon punët nëpër vreshta. Do të promovohen mekanizmat bujqësorë me të cilët punojnë bujqit. Është gara në vjeljen e rrushit, gara në shtrydhjen e rrushit, pastaj demonstrimi i pjekjes së rakisë. kështu që turistët mund të shohin krejt procedurën se si shkon, nga vjelja rrushit që është lënda e parë e deri tek produkti final vera e rakia”, tha ai.
Sipas organizatorëve, “Hardh Fest” është një organizim që bashkon komunitetin, fermerët, artistët dhe vizitorët nga e gjithë bota, duke e promovuar në arenën ndërkombëtare bujqësinë dhe verarinë vendore.
Rëndësinë e madhe të “Hardh Festit” e pranon edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi. Ai thotë për Radio Kosovën se ky festival ka ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik e kulturor të komunës.
“Efekti i “Hardh Festit” është i padiskutueshëm është efekt i madh e shumë pozitiv. Ka një hulumtim dhe besohet se janë mbi 6 milionë euro që mbesin nga kjo festë, nga pjesëmarrësit e shumtë vendorë e vizitorë të jashtëm. T’i mbesin një komune si kjo e jona 6 milionë, është gjë e mirë, sepse buxhet vjetor i Komunës së Rahovecit për investime është diku rreth pesë milionë euro”, tha Latifi.
Latifi tha se komuna e tij, sivjet e ka përkrahur festivalin me 70 mijë euro.
Në natën e fundit të këtij festivali, më 7 shtator, do të marrë pjesë edhe Tommy Cash, përfaqësuesi i Estoninsë në Eurovision këtë vit, i cili me këngën “Espresso Macchiato” rrëmbeu vendin e tretë.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren