8.6 C
Prizren
E premte, 6 Shkurt, 2026

Përvjetori i lindjes së Fan Stilian Nolit, figurës poliedrike të historisë dhe kulturës shqiptare

Sot përkujtohet përvjetori i lindjes së Fan Stilian Nolit, një prej personaliteteve më të mëdha dhe më të gjithanshme të historisë shqiptare. Poet, përkthyes, prift, politikan, historian dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, Noli mbetet një nga figurat që ndikoi fuqishëm në jetën politike, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Fan Stilian Noli lindi në një fshat shqiptar në Trakë, pranë Edrenesë, dhe që herët tregoi prirje për dijen dhe kulturën. Ai studioi në Universitetin e Harvardit për arte, ndërsa më herët kishte punuar edhe si mësues në Egjipt. Gjatë jetës së tij, Noli u shqua për njohjen e disa gjuhëve të huaja, si greqishtja, anglishtja dhe frëngjishtja, aftësi që e ndihmuan të pasuronte dhe ta rafinonte gjuhën shqipe përmes përkthimeve të shumta, shkruan KultPlus.

 

 

Ndër veprat më të njohura të tij janë “Albumi” dhe “Historia e Skënderbeut”, që mbeten gurë themeli të letërsisë dhe historiografisë shqiptare. Vepra e tij e parë ishte drama me tre akte “Israilitë dhe Filistinë”, e botuar në Boston në vitin 1907, e bazuar në historinë biblike të Samsonit dhe Dalilës. Edhe pse nuk la një krijimtari shumë të gjerë letrare, Noli konsiderohet një stilist i jashtëzakonshëm i gjuhës shqipe. Bashkë me Faik Konicën, ai vlerësohet si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të stilit në dialektin toskë.

Përmes përkthimeve të autorëve të njohur amerikanë dhe europianë të shekullit XIX, Noli arriti të ruajë ritmin dhe ngjyrimin stilistik të veprave origjinale, duke treguar një ndjeshmëri të veçantë artistike dhe gjuhësore.

Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në kulturë dhe letërsi. Fan Noli luajti rol të rëndësishëm edhe në jetën politike shqiptare. Ai vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1913 dhe u rreshtua përkrah Ismail Qemalit dhe qeverisë së tij. Noli shërbeu si deputet i kolonisë shqiptare të Amerikës në legjislaturën e dytë të shtetit shqiptar (1921-1923).

 

 

Ai u bë një nga kundërshtarët më të fortë politikë të Ahmet Zogut. Pas kryengritjes së vitit 1924, Noli mori drejtimin e qeverisë shqiptare, por pushteti i tij zgjati vetëm disa muaj. Në dhjetor të po atij viti, Zogu u rikthye në pushtet, duke e detyruar Nolin të largohej nga vendi. Përplasjet politike mes tyre u shoqëruan edhe me vendime ekstreme, ku të dy liderët dënuan njëri-tjetrin me vdekje.

Fan Noli kaloi pjesën më të madhe të jetës në emigrim, ku vazhdoi aktivitetin fetar, kulturor dhe politik në shërbim të çështjes shqiptare. Ai ndërroi jetë në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1965, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë kombëtare.

Figura e Fan Stilian Nolit mbetet simbol i intelektualit të angazhuar, i cili i shërbeu kombit me penë, me ide dhe me veprim. Përvjetori i lindjes së tij është një moment reflektimi për rolin e mendimit, kulturës dhe patriotizmit në formësimin e identitetit shqiptar./

Më Shumë

Heqja e kalldërmit shënon fillimin e një epoke të re në sheshin e ‘Shatërvanit’ në Prizren

Heqja e kalldrëmit të vjetër në zonën e “Kejit” në Shatërvan ka zgjuar interesim dhe diskutim të madh në opinionin publik. KLIKO VIDEON: https://www.facebook.com/reel/27684284817881954 Megjithatë, përtej nostalgjisë...

Crystal Thomas përforcon Bashkimin vetëm në Ligën Unike

KBF Bashkimi ka zyrtarizuar angazhimin e basketbollistes Crystal Thomas, e cila do t’i bashkohet skuadrës prizrenase vetëm për ndeshjet e Ligës Unike. Lajmin e ka...

Lajmet e Fundit