3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Të jesh egoist për qytetin

Artur Zheji

Qytetet tona, mjerisht janë gjithmonë e më pak qytete dhe gjithmonë e më shumë qendra të ngjeshura banimi. Tanimë nuk është më vetëm kriza e gjelbërimit dhe e parqeve të munguara. Tanimë nuk ka më frymëmarrje.

Smogu godet pamëshirë. Qytetet kanë strehuar në kapanonet e mëdha, që ne i quajmë pallate, ndoshta 5 deri në 10 fish të kapacitetit të vet. Veturat, apo edhe betonierat e rishfaqura dhe kamionët e rëndë, përzier me vapën dhe karburantin më të keq të mundshëm, me korridoret e bllokuara të ajrosjes së qytetit, me rrugët që ngushtohen, me nënkalimet dhe mbikalimet që nuk ekzistojnë, janë tashmë, ajo përzierje vrastare, që po na vret para kohe ditë pas dite.

Për paratë e trasha të ca barkpangopurve, pinjollë të një kapitalizmi primitiv, që nuk mbjell qytetërim por thjesht një shkretëtirë, jeta e më të shumtëve nga ne, që kemi vendosur të jetojmë në Shqipëri dhe në qytet, apo s’mundemi të bëjmë ndryshe, është bërë dramatike.

Është shndërruar në një përleshje të përditshme me trafikun, me smogun, me ndotjet e gjithfarshme, me marshimin e kullave të betonit dhe me retorikën e pashërueshme elektorale, e të gjitha këto, në mungesë të rezultateve të prekshme, krijojnë një depresion urban, që duhet të shërohet.

Kush e ka në dorë?

Sigurisht vetëdija e klasës politike dhe largimi i saj nga zgjedhje dhe zgjidhje egoiste, është padyshim njëra anë e çështjes.

Ndonëse nuk para besoj te forca “revolucionarizuese apo çudibërëse” e zgjedhësve të vendit tim, të cilët, mjerisht të tradhtuar shumë e shumë herë, kanë tendencën të kthehen në “turmë”, gjithsesi do të doja të jepja 5 “këshilla” për votën e tyre të ardhshme.

E para, të mendojnë për vete. Sa më shumë për vete dhe sa më pak për partitë që nxjerrin në tribunë kandidatët. Kur them për vete, e kam fjalën për kopshtin e tyre të vogël të interesave të “vogla” të së përditshmes së tyre. Në qytet apo komunë.

E dyta, të përqendrohen te kandidati, jo te sigla. Tek ajo çka ai apo ajo thotë për të përditshmen e tij, që është shndërruar kryesisht në qytet, në një luftë të përditshme. Të dëgjojë ç’do të bëhet me rrugën, me trafikun, me parkun, që ka më afër shtëpisë së vet. Nëse të gjithë bëjmë kështu, i dalim për Zot të gjithë qytetit, pa u magjepsur mbas fjalëve të mëdha.

E treta, të mos kenë aspak turp të jenë egoistë. Të mos kenë frikë se dikush i quan të vegjël apo interesaxhinj. Ato janë fjalë. E pra, të vënë në qendër hallin e tyre. Aty ku u “pikon shtëpia”. Zgjedhjet lokale nuk janë zgjedhje politike. Janë zgjedhje ku fjalët e mëdha shoqërohen më pas nga punë të vogla apo rrudhje supesh. Sepse zgjedhjet lokale janë për të ofruar zgjidhje për rrugën, oborrin, ujërat e zeza, sheshet e lodrave për fëmijët apo stolat nën pemë ku do të mrizojnë pleqtë.

E katërta. Parapëlqeni femrat. Pavarësisht se ç’themi ne burrat për to, femrat nuk janë kurrë aq të pafytyra sesa meshkujt në Shqipëri. Janë përgjithësisht nëna. Janë krijuar nga Zoti, si qenie të dhimbshme dhe më të ndjeshme sesa meshkujt.

E pesta. Po dëgjuat një debat prej sherrxhiu të kandidatëve, hiqni dorë prej tij. Sherri dhe debati me britma, është mënyra më e mirë për të fshehur mungesën e një programi apo të një qëllimi të vërtetë, për të bërë gjëra të vërteta.

Mendoni për këto përpara se sa të votoni. Nuk se do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe.

Po ku i dihet?

Më Shumë

Dy raste të sfidës ‘Superman’ në shkollat e Prizrenit, Policia dhe Komuna marrin masa

Zyrtarë të qeverisë komunale në Prizren dhe ata të Policisë së Kosovës kanë njoftuar se kanë ndërmarrë veprime për parandalimin e vetëlëndimeve të nxënësve...

Inaugurohet kabineti i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi” të Prizrenit

Të mërkurën është përuruar kabineti i ri i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi”. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit mes Drejtorisë Komunale...

Lajmet e Fundit