Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar Fletënotimin i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 41 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Janar-Qershor 2013.
Naim Cahanaj përfaqësues i KDI-së ka potencuar se “qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Prizrenit në periudhën Janar-Qershor 2013, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit”.
Sipas tij, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Prizrenit janë: Fatmir Memaj (LDK) me 9.5 %, Lulzim Kabashi (LDD) me 9.3 %, Haziz Hodaj (LDK) me 8.7 % dhe Masar Shala (PDK) me 7.3 % të vlerësimit të përgjithshëm derisa Nora Murataj (PK) gjatë kësaj periudhe nuk ka treguar asnjë rezultat dhe ka munguar në njërën nga seancat e mbajtura në këtë periudhe duke treguar rezultat tejet të dobët me – 0.1 % të notimit të përgjithshëm.
Gjatë kësaj periudhe nga ana e anëtarëve janë ngritur gjithsej 276 çështje, prej të cilave 58 % nga fusha me interes për qytetarët e Prizrenit ndërkaq 42 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit ku anëtarët e LDK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 44.9 % të çështjeve të ngritura, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së dhe LDD-së me 21.7 % përkatësisht 10.9 % të çështjeve të ngritura. Fatmir Memaj (LDK) ka shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me gjithsej 11.6 % i përcjellë nga Haziz Hodaj (LDK) dhe Lulzim Kabashi (LDD) me nga 8.3 % përkatësisht 7.6 % të çështjeve të ngritura.- tha Cahanaj përfaqësues i KDI-së.
Arben Hoxha përfaqësues i KDI-së ka vë në pah miratimin e rregulloreve komunale gjatë kësaj periudhe ku sipas tij janë miratuar Rregullorja për fuqizimin dhe promovimin e vullnetarizmit, Rregullorja për ndarjen e subvencioneve si dhe Rregullorja për Këshillin e Veprimit Rinor Lokal (KVRL) derisa vetëm dy nga anëtarët kanë propozuar rregullore komunale për miratim në Kuvendin e Komunës. Afrim Avdaj (PDK) ka propozuar Rregulloren për ndarjen e dekoratave dhe çmimeve si dhe Masar Shala (PDK) ka propozuar tri rregullore, Rregulloren për pikën e rendit të ditës pyetje dhe përgjigje, Rregulloren për statusin e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit (kuvendarëve) si dhe Rregulloren për përcaktimin e masave për hyrjen në koncesion nga ana e komunës.
Duke veçuar më tej se anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë bërë gjithsej 51 pyetje nga të cilat 57 % kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve të Komunës së Prizrenit ndërsa 43 % e pyetjeve kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit. Anëtarët e LDK-së prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe me gjithsej 39.2 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e LDD-së me 21.6 % të pyetjeve të përgjithshme derisa anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve janë Lulzim Kabashi (LDD) dhe Fatmir Memaj (LDK) me nga 17.6 % përkatësisht 11.8 % të pyetjeve të përgjithshme.
Duke shtuar se “gjatë kësaj periudhe është vërejtur një mos pjesëmarrje e anëtarëve në seanca me gjithsej 16 raste të mungesës së anëtarëve ku numrin më të madh të mungesave (3 herë) në seanca ka shënuar anëtarja Nora Murataj e cila vjen nga radhët e Partisë Konservatore. Dobësi e punës së Kuvendit ka qenë edhe përdormi i gjuhës jo-parlamentare gjatë kësaj periudhe ku Masar Shala (PDK) dhe Haziz Hodaj (LDK) në seancën e datës 23.05.2013 kanë përdorur gjuhë jo-parlamentare e cila ka qenë denigruese për anëtarët dhe vetë institucionin e Kuvendit si organ më i lartë i vetëqeverisjes lokale”- tha Arben Hoxha përfaqësues i KDI-së.
Fletënotimi për periudhën Janar-Qershor 2013 është përgatitur në kuadër të projektit “Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC). /PrizrenPress.com/