Claudio Marchisio ka shpallur Andres Iniestën, si futbollistin e Barcelonës, që ai respekton më shumë. Mesfushori katalanas ka pasur një karrierë të shndritshme, duke fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve dhe tre Botërorë për Klubet me Barcelonën, si dhe Kupën e Botës e dy Kampionate Europiane me kombëtaren iberike.
Megjithatë, 32-vjeçari ka qenë disi në hijen e yjeve të tjerë në ekip, me Lionel Messin, që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendje. Por Marchisio ka folur me admirim për yllin e Spanjës, duke këmbëngulur se ai është një lojtar me të vërtetë i veçantë, një plus i madh për Barcelonën.
“Lojtari i Barcelonës, që e admiroj më shumë, është Iniesta, pasi ai ka talent të pafund,” – ka thënë mesfushori italian për “JTV”.
Italiani do të ketë mundësinë për t’u përballur me Iniestën përsëri, kur të takohen në çerekfinalen e Champions-it, pasi e bënë këtë gjë edhe në finalen e këtij kompeticioni në vitin 2015, e cili e pa skuadrën nga “Camp Nou” të ngrinte një tjetër titull europian. Marchisio, megjithatë, thotë se skuadra e tij nuk është në kërkim të ndonjë hakmarrjeje:
“Edhe pse Liga e Kampionëve ka ardhur gjatë një kohe delikate në kalendarin e Seria A, adrenalina na jep energji të pabesueshme fizike dhe mendore. Ju nuk keni nevojë shumë për t’u përgatitur për një ndeshje kundër Barcelonës. Ky nuk do të jetë një shans për hakmarrje, pas finales së vitit 2015. Qëllimi ynë është për të arritur në finale e Cardiff-it dhe të fitojmë trofeun.”