Prishtina zyrtare ka pranuar të mërkurën matësin e zhvillimit të Kosovës nga pikëpamja e Brukselit.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë të mërkurën Raportin e progresit nga përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, sipas të cilit, ai është i mirë për Kosovën, por kërkon qasje më të thellë në reforma.
Kryetarja e shtetit, u zotua se gjetjet në raport do të adresohen me seriozitet.
Ngecjet e pasqyruara në këtë dokument, për njohësit e zhvillimeve në vend dhe të proceseve të integrimeve evropiane, janë veçse reflektim i përditshmërisë kosovare.
Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë për Radion Evropa e Lirë se, Kosova vazhdon të mos tregojë rezultate të mira në reformën e rendit dhe ligjit dhe atë të administratës publike.
“Në këto dy fusha, Kosova ende mbetet mbrapa. Në mënyrë të detajuar shtjellohen ngecjet, edhe po shihet se gjithnjë e më shumë, sa më thellë të futet Kosova në procesin e integrimit evropian, llupa e BE-së do të jetë edhe më e madhe. Prandaj, defektet e gjetura në rend e ligj dhe në administratë publike, janë defekte serioze, të cilat, po të kishte vullnet politik, do të merrte shumë kohë dhe vite, për t’i adresuar në mënyrë efektive”, thotë Rashiti.
Ai vlerëson se ky raport i progresit, është më ndryshe në krahasim me ata të mëhershmit, pasi është më i detajuar, për faktin se Kosova është në marrëdhënie tjetër me Bashkimin Evropian.
Raporti si bazë, sipas tij, ka në ballë të saj marrëveshjen për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, i cili “ka qenë një prej kritereve kyçe apo kryesore politike për të dy vendet”.
“Nga vetë raporti vërehet se Kosova tashmë është në një fazë ndryshe, tjetër, në marrëdhëniet me BE-në, që bazohet konsiderueshëm në marrëveshjen dhe negociatat për MSA, dhe si i tillë, e trason rrugën se kriteret e ardhshme me vlerësimet për Kosovën në të ardhmen, do të jenë në kuadër të MSA-së”, shprehet ai.
Por, përderisa ky format do të jetë pika e fokusit për vlerësimin e ardhshëm të Komisionit Evropian për Kosovën, për dikë nuk është e mjaftueshme.
Njohës i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, konsideron se Qeveria në Prishtinë nuk po bën sa duhet për qytetarin dhe ngritjen e mirëqenies së tij.
“Raporti (i progresit) ka shumë elemente, ku faktikisht kërkon një qeverisje shumë më të mirë, ku kërkon që investimet të mos jenë vetëm në rrugë, por ato të bëhen edhe në sektorin e drejtësisë, që të luftohet korrupsioni, që Kosova ta adresojë çështjen e problemit ekonomik që e ka, me një papunësi jashtëzakonisht të madhe”, thekson Muharremi.
Sipas Muharremit, këto elemente të reformës më të thellë në gjyqësor, reformës zgjedhore, dhe të administratës publike, nuk po trajtohen seriozisht nga Qeveria e Kosovës.
“Kështu që përderisa ka pasur progres në aspekt politik me MSA-në, dhe me dialogun me Serbinë, Kosova po vazhdon të vendnumërojë, sa i përket zhvillimit ekonomik, reformave në administratë, në mënyrë që të krijojë një administratë dhe të ketë një qeverisje, e cila i mundëson Kosovës të gjenerojë punësim, dhe të përmirësojë jetën e qytetarit”, shton Muharremi.
Sipas tij, ekzekutivi i Kosovës nuk duhet të vazhdojë të “ndërtojë autostrada” sikur të kishte “buxhetin e Gjermanisë, në një vend ku problemet lokale janë furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i ujërave të zeza dhe mbeturinave”.
Komisionari Evropian për Zgjerim Stefan Fule pritet të vizitojë Kosovën pas dhjetë ditësh.
Me ardhjen e tij, të cilën e ka paralajmëruar në rrjetin social Tëitter për 28 tetor, do të hapen edhe negociatat ndërmjet Kosovës dhe BE-së për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.