Akademik Rexhep Ferrit iu deshën plot 12 vjet që të rikthehet nga Prishtina në Tiranë me një ekspozitë retrospektive. Ekspozita u çel dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kuratorja e kësaj ekspozite, Suzana Varvarica Kuka, u shpreh dje për Shqiptarja.com se “Akademik Rexhep Ferri është një kolonë e zhvillimit të arteve pamore në Shqipëri dhe në Kosovë”, duke shtuar se “rikthimi i tij me një ekspozitë në Tiranë erdhi si rezultat i përpilimit të axhendës për 2013-n. “Është një rikthim i tij, sepse ai ka bërë një ekspozitë të parë në 2001-n dhe kjo është ekspozita e dytë personale për akademik Rexhep Ferrin në Galerinë Kombëtare të Arteve.Normalisht nuk do të kishte ndonjë shmangie për të mos ardhur këtu, sepse vetë piktori është një nga artistët më të njohur në Shqipëri”. Bashkë me ekspozitën, piktori i njohur kosovar ka promovuar edhe monografinë e tij të realizuar nga studiuesi Gëzim Qëndro. Botimi i monografisë është bërë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. “Veprën e Rexhep Ferrit do ta studiojmë duke ndjekur disa pista kërkimi. Vërtetimin e matricës së pagabueshme moderniste dhe analizën formale ikonografike të elementeve të gramatikës së gjuhës pamore të përdorur prej tij do ta mbështesim mbi kufizimin e modernizimit prej kritikut amerikan të artit Klement Grinberg”, shkruan Qëndro.
Kuratorja e ekspozitës Kuka pohon se “libri i Qendros zbulon kapacitetin krijues dhe intelektual të këtij piktori”, duke shtuar se “Eskpozita e Rexhep Ferrit do të ketë më shumë efekt për të njohur personalitetin dhe dinjitetin artistik të tij”. Ndërsa kuratorja ka përzgjedhur ato vepra që Rexhep Ferri i paraqet si thelbin e pikturës së tij, “ku merret me atdhehun e vet”, të bie ne sy “Atdheu im torzo”, që është një nga veprat më të mira të Rexhep Ferrit, ku duket qartë edhe drama e kufijve të copëtuar të Shqipërisë, vizatuar tashmë prej piktorit vetëm “në tors”.
Profesor Ferri, cili është për ty kuptimi i këtij rikthimi pas 12-vjetësh në Galerinë Kombëtare të Arteve?
-Unë nuk mund ta kuptoj veten pa praninë time në Shqipëri. Një pjesë e trungut tim ka jetuar këtu, një pjesë në Kosovë. Ndaj këtë herë ndihem shumë i kënaqur. Më vjen mirë që jam këtu dhe që kjo galeri tani më duket ka një drejtor të mirë. E them nga instikti, sepse është hera e dytë që e shoh dhe as një kafe nuk kemi pirë bashkë.
Çfarë raportesh ke krijuar me vizitorët e pikturave të tua që në pamje të parë duken të vështira për t’u interpretuar?
-Njeriu nga koha që ka jetuar në shpella e deri tani që ne flasim për shpirtëroren tonë ka barë një rrugë të gjatë mes shumë e shumë shekujve. Ka bërë si të them jetën e një ëndrre e cila duhet të ndodhë. Ndaj arti qenka një ëndërr e cila duhet të ndodhë. Unë nuk kam ardhur në Tiranë prej vitesh dhe tani vij në moshën 70 e ca vjeçare për të ekspozuar dhe për t’iu treguar shpirtëroren time qytetarëve të mi të Tiranës. Nuk di të flas për krijimtarinë time. Dua t’ua lë të tjerëve të flasin për të. Qëllimet e mia kanë qenë që të jem sa më i formuar si krijues, i kam rënë një rruge shumë të gjatë për të bërë krijimtarinë tim. Kam besuar te krijimtaria ime.
Një krijues që nuk beson në atë që e krijon vet është falso. Unë kisha dalë nga atdheu im dhe unë nuk e kisha me vete atdheun tim, por në vetvete më mbante gjallë mendimi se unë isha prej një fisi krenar. Dhe kjo më mbajti më të fortë. Unë si në letërsi, si në pikturë kam besuar tek ajo që kam krijuar. Kjo është një rrugë shumë e gjatë që ka nisur nga mosha 20-vjeçare. Këtu në Tiranë më kanë vlerësuar. Fjalët që më kanë thënë kuratorja Suzana dhe drejtori e artisti Artna Shabani, në një farë mënyre m’i kanë thënë edhe në Paris në ‘97-n, kur kishte shkruar atëhere dhe “Le monde” për pikturat e mia. Dhe më kujtohet kur çela atë ekspozitë, ku meqë kishtë shkruar “Le monde” galeria kishte interesin e vet që të shiste ndonjë pikturë timen. Ne dalim të pinim një kafe dhe ata më thanë “Mëkat që nuk je spanjoll!”.
Atëherë ishte gjallë Pikaso, Dalia, Miroja e shumë e shumë spanjollë të tjerë të famshëm në Paris dhe nuk asnjëri prej tyre s’më kishte penguar mua në karrierën time, dhe shpesh e kam përsëritur këtë mendim timin dhe u thashë edhe atyre të galerisë. Unë kisha ardhur nga një vend i panjohur në Paris. Aman thashë, si mundet një Sali Shijak në Tiranë dhe një Myslim Mulliqi në Prishtinë të pengonin për t’u bërë krijues i njohur. Që nga ajo kohë unë kurrë nuk jamë xheloz me krijuesit e brezit të ri, ose me ata që janë edhe para meje.
Pse t’u kujtua në konferencën për shtyp historia kur të thanë “Mëkat që nuk je spanjoll!”
-Ne shqiptarët mundohemi me rrëzu njëri-tjetrin. Ne jemi duke penguar njëri-tjetrin dhe një qind piktorë të Spanjës nuk kam pasur mundësi të më pengojnë në karrierën time, por sot dy-tre piktorë ose dy-tre klane kanë mundur mua të të më pengojnë. Është e dhimbshme që kombi im nuk e pati fatin që shpitëroren e vet me kohë ta ushqente. Njëqind vjet para Naim Frashërit ka kaluar nëpër shqipëri babai i romantizmit Bajroni, dhe ne nuk e kemi krijuar romantizmin edhe njëqind vjet të tjera. Themi se nisi me Naimim.
Po ne e kishim romantizmin në fakt edhe para Naimit. E kishim te kënga popullore. Nuk ka poezi më romantike dhe më të bukur sesa “O bylbyl të bëra benë/Një të gjeça dot folenë/, Po të marrë të flakë në lumë/ se na le çupat pa gjumë. Është poezi e jona, e shpirtit të popullit tonë, e nuk ka pritur Naimin të na e thotë. Nuk është Naimi fillimi i romantizmit. Edhe nj rast tjetër ku ne nuk i studiojmë gjërta siç duhet. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ka një koleksion të pikturave, por nuk është asnjë pikturë e Eduart Lirit. Në Shqipëri, edhe në Kosovë ka pasur e ka njerëz të pasur, dhe kurrkujt nuk i shkon mendja me e ble një pejsazh të Lirit, i cili para 150 vjetësh i ka pikturuar ullishta e Elbasanit, Urën e Shhkodrës, Kalanë e Gjirokatrës, dhe në Shqipëri ne nuk e kemi një pikturë të tij. Drita e pikturave të Lirit nuk është përsëritur ende në pejsazhin shqiptar. Ne themi se Vangjush Mion të parin e pejzazhit. Ajo është një pikturë shkollore, e mirë, por shkollore.
Ju keni një të bardhë interesante në pikturën tuaj, ç’shenjon për ty kjo ngjyrë?
-E bardha me ngjyra. E bardha nuk është vetëm e bardhë, është e bardha ftohtë, e nxehtë që shkkon nga kafeja te qumështi, por piktori nganjëherë nuk duhet të bëhet rob i ngjyrës, duhet ta thotë atë, sikur ai ushtari që është në front e lufton me çka ka. Unë kur pikturoj në studion e Galerisë së Arteve, që është e vogël, bëj piktura të vogla, por kur shkoj në studion time me hapësirë bëj piktura të medhaja. Kjo është edhe me ngjyrat. Por unë nuk flas për pikturën time. Ju brezi i ri jeni i mençur dhe i ndjeni vetë disa gjëra dhe më shumë nisa të besoja tek brezi i ri tek këto demonstratat për helmet. Dhe u mahnita. Brezi i ri e paska fjalën e vet të lirë.
Si është situata e artit pamor sot në Kosovë, çfarë ndodh atje?
-Unë para dy diëtve në gazetë pashë një artikull të gjatë për raportet kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës, por gjatë tetë viteve këto kanë mbetur vetëm në letër. Sinqerisht më vjen shumë inat ndodh kjo kështu. Nga Prishtina janë vetëm 200 km për të ardhur në Tiranë. Në perëndim njerëzit shkojnë 200 km në vikend. Ne fatkeqëisisht kemi krijuar nja ndarje të madhe, kemi krijuar dy mentalitete. Duket sikur kjo ndarje po vjen duke u zbehur, por do të marr fund kur të kemi harruar partitë dhe të merremi me shpirtëroren.
Artan Shabani: Si e shoh unë artin e Rexhep Ferrit
E quan “ogur të mirë” që ekspozitën e parë të Galerisë Kombëtare tashmë të drejtuar prej tij e ka nisur me ekspozitën e akademik Rexhep Ferrit. Artan Shabani, drejtori i Galerisë Kombëtare të arteve u shpreh dje se “Rexhep Ferri nuk është thjesht një piktor, por ka në dorë penën dhe inteligjencën për të shprehur idetë e tij, dhe asnjëherë piktura nuk ka hyrë në letërsi dhe anasjelltas”.
Përballë veprave të Rexhep Ferrit, Artan Shabani u shpreh se “Unë artikulova në këtë espozitë një vallëzim që ka një dimension global, por me aromë shqiptare, ndihet autori që ka një rrënjë të fortë që është mjeshtri Rexhep Ferri, dhe jo vetëm shkrimtari, jo vetëm filozofi, por ka në linjë dhe kjo ëshë një dans, si i Matiseit me njolla të forta dekorative. Ka një lojë piktorike që shfaqet një pjesë që të denoncon, por në mënyrë ineteligjente dhe në mënyrë delikate dhe mjeshtri të mrekullon. Ky është një penel që e kam ndeshur më muzeume të Europës dhe do të ishte një nder jo vetëm për Galerinë Kombëtare të Arteve, do të ishte nder për çdo koleksion prania e tij.”
Ferri, nga piktura te letërsia
Akademik Rexhep Ferri i përket artistëve që e formuan stilin e tyre, përmes studimit dhe kërkimit në disiplinat e modernizmit botëror. Vepra më e hershme, e vitit 1967, është “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX. Rexhep Ferri, u lind në Kukës, më 10 tetor 1937. Familja dhe jeta e tij ka përshkruar pothuajse të gjithë veriun e alpeve shqiptare. Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966. Kreativiteti i tij ka rrugëtuar në dy paralele: në pikturë dhe në letërsi, që njëkohësisht, janë zhvilluar së bashku. Në vitin 1962, botoi poezitë e para në librin “Shëtitësit e vonë” dhe në vitin 1967 hapi ekspozitën e parë personale, në galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i akademisë së arteve figurative në Prishtinë dhe në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku punon aktualisht.
Vlerësimet e Jean-Marie Dunoyer
Ja më në fund një piktor që nuk i lëshon pe aspak publikut dhe i cili, duke iu përkulur thirrjes për kthjelltësi të thellë dhe perandorake, me gjithë rininë e tij, paralajmëron një shpuplim shembullor. Ai quhet Rexhep Ferri. Edhe më shumë se pëlhurat e tij, vizatimet e tij me tush krijojnë personazhe dhe masive malesh të shformuara e të zhveshura dhe gjithsesi me një prani që të pushton. Personazhet shumicën e herave pa gjysmë koke, me trup e gjymtyrë të skematizuara janë të mbërthyera e të mbyllura në ekzistencën e tyre. (“Le monde”, 28 novembre 1977, Paris – Miti për njeriun).