5.5 C
Prizren
E martë, 23 Dhjetor, 2025

Fituesit e Nobelit do të shpërblehen me më shumë para këtë vit

Fondacioni Nobel bëri të ditur më 15 shtator se do ta rrisë shumën monetare të shpërblimit për fituesit e çmimeve Nobel këtë vit. Shuma është rritur për 1 milion korona suedezë, apo 83.940 euro, në 11 milion korona, apo 923.241 euro, pasi që monedhës suedeze i ka rënë vlera së fundi.

“Fondacioni ka zgjedhur ta rrisë shumën e çmimit sepse një gjë e tillë është financiarisht e mundshme”, thuhet në deklaratën e shkurtë të fondacionit.

Zhvlerësimi i shpejtë i monedhës suedeze e ka çuar atë në nivelin më të ulët ndonjëherë në krahasim me euron dhe dollarin amerikan. Suedia ka qenë duke luftuar me inflacion të lartë, që u ul deri në 7.5 për qind në gusht, nga 9.3 për qind sa ishte në korrik.

Megjithatë, përkundër uljes, inflacioni mbetet larg objektivit prej 2 për qind të vendosur nga banka qendrore e Suedisë, Riksbank.

Kur u ndanë çmimet e para Nobel në vitin 1901, shuma e çmimit ishte 150.782 korona për kategori, tha fondacioni, por gjatë 15 vjetëve të fundit, shuma është ndryshuar disa herë.

Në vitin 2012, shuma u reduktua nga dhjetë milionë në tetë milionë korona pasi filloi një program për përforcimin e financave të Fondacionit Nobel. Në vitin 2017, shuma e çmimit u rrit nga tetë milionë në nëntë milionë korona. Në vitin 2020, ajo u rrit edhe një herë për një milion korona.

Fituesit e çmimeve Nobel të këtij viti do të shpallen në fillim të tetorit. Më pas, laureatët ftohen të marrin çmimet e tyre në ceremonitë e çmimeve më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të çmimit, Alfred Nobel.

Çmimi prestigjioz i paqes ndahet në Oslo, ashtu siç kishte kërkuar Nobeli, ndërsa ceremonitë e tjera të ndarjes mbahen në Stokholm.

Suedia nuk është pjesë e eurozonës. Njëzet vjet më parë, suedezët mbajtën një referendum nëse donin ta merrnin me monedhën evropiane, por ata votuan kundër këtij ndryshimi.

Asociation “Loyola-Gymnasium” shpall një vend të lirë për mësimdhënës/e të gjuhës angleze

Më Shumë

Bashkimi triumfon në njërën nga ndeshjet më emocionuese këtë edicion

Në një super ndeshje, dhe njërën nga sfidat më interesante në këtë edicion, Bashkimi fitoi ndaj GO+ Pejës pas dy vazhdimeve, me shifrat 118:119...

Aulona Muhadri dhe Merisa Bilalli, pjesë e 5-shes më të mirë të vitit

Federata e Basketbollit të Kosovës ka përzgjedhur dy lojtare të KBF Bashkimit, Aulona Muhadri dhe Merisa Bilalli, në 5-shen më të mirë të vitit...

Lajmet e Fundit