Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) në Prizren ka realizuar sot një aksion denoncues për punësimet e kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj.
“Për LDK-në, qeverisja e Shaqir Totajt në Prizren, është në shërbim të familjes Totaj dhe vartësve të tij”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
“Pas punësimit të djalit të Shaqir Totajt, tashmë i erdhi radha edhe nuses së djalit të tij, që të punësohet nga vjehrri i saj”.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës – Dega në Prizren, një veprim i tillë jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet të jetë edhe i dënueshëm nga instancat e drejtësisë. Pushteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe jo në shërbim të familjarëve të Shaqir Totajt”.
“Kjo formë dhe logjikë e punësimeve, është veprim kundër çdo të riu në komunën tonë. Mesazhi që i jepet të rinjve prizrenas, është se institucionet publike komunale dhe shërbimi civil, janë të rezervuara për familjarët dhe farefisin e kryetarit Totaj dhe oborrtarëve të tij, kurse të rinjtë tjerët duhet të marrin rrugët e botës për një vend pune dhe për jetë më të mirë.Prizreni meriton qeverisje që do jetë në shërbim të prizrenasve dhe jo kundër tyre”.