Një pjesë e madhe e mësimdhënësve po e mirëpret paralajmërimin e Ministrisë së Arsimit se nga qershori i këtij viti, mësimdhënësit të cilët janë të gatshëm, do t’i nënshtrohen vlerësimit për licencë të avancuar. Edhe njohës të arsimit po vlerësojnë së ky është një proces i duhur dhe së ky vlerësim do të jetë në mënyrë vullnetare.
Që nga muaji qershor të gjithë ata mësimdhënës të cilët dëshirojnë të gradohen me licenca të avancuara, do t’iu nënshtrohen disa vlerësimeve sipas kritereve të cilat pritet të vendosen nga Ministria e Arsimit.
Paralajmërimin e ministres së Arsimit, Arberie Nagavci, për vlerësimin e mësimdhënësve që nënkupton avancimin e licencës e njëkohësisht edhe rritje të pagës, po mirëpritet dhe nga vetë mësimdhënësit.
Drejtori i Shkollës fillore të mesme të ulët “ Dituria”, në Shkabaj, Landirt Dragusha, i tha Radio Kosovës së gjysma e mësimdhënësve janë për një vlerësim të tillë.
“Ky paralajmërim për vlerësim nga një pjesë e madhe e mësimdhënësve është mirëpritur, për shkak që kjo parasheh edhe ngritje të pagës. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata mësimdhënës që dëshirojnë rritje të pagës dhe njëkohësisht të sfidohen. Pse mos ta bëjnë një testim të tillë?! Gjysma e mësimdhënësve janë për këtë lloj testimi”, tha ai.
Përkundër që testimin me shkrim për mësimdhënësit në vazhdimësi e ka kundërshtuar Sindikata e Arsimit, këtë herë këtë lloj vlerësimi, për avancim të licencës, nuk po e kundërshton as SBASHK-u.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i tha Radio Kosovës se SBASHK-u vazhdon të kundërshtojë testimin e të gjithë mësimdhënësve të cilat janë të licencuar, ndërsa për sa i përket vlerësimit për avancim të licencës, uron që të ketë sa më shumë mësimdhënës të cilët do të jenë të gatshëm t’i nënshtrohen.
“SBASHK-u në vazhdimësi ka qenë kundër testimit më shkrim të njohurive të mësimdhënës që aktualisht janë në sistem dhe e kanë licencën e punës. Procesi i gradimeve, kalimi nga kjo licencë e punës në licencë të avancuar pritet që ministria t’i bëjë të ditura kriteret. Uroj që të këtë sa më shumë kandidatë që do t’i nënshtrohen këtij vlerësimi dhe, i mbetet secilit mësimdhënës të vendosë vetë, pasi ky proces është vullnetar”, theksoi ai.
Se ky vlerësim i mësimdhënësve është i duhur e thonë e dhe njohës të çështjes së arsimit. Dukagjin Pupovci i tha Radio Kosovës së kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata mësimdhënës të cilët në mënyrë vullnetare duan t’i nënshtrohen këtij vlerësimi .
“Ministria e Arsimit ka paraparë vlerësimin e performasës, i cili ua mundëson mësimdhënësve që të kualifikohen në një kategori me të lartë. Për shembull, tash të gjithë janë në një kategori, kanë licencën bazike. E, tash kush dëshiron të marrë licencë të avancuar, duhet të hyjë në provim së pari. Avancimi në licencë natyrisht sjell rritje page”, tha ai.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur se ky vlerësim parasheh tri nivele të licencave: licencën e karrierës, licencën e avancuar dhe licencën e përhershme. Kalimi nga një licencë në tjetrën realizohet përmes vlerësimit të performansës, i brendshëm dhe i jashtëm dhe vlerësimit që pritet të organizohet nga Ministria e Arsimit.
Në rast se mësimdhënësi kalon nga licenca e karrierës në licencën e avancuar, parashihet edhe një shtesë në pagë. Këto nivele të licencave vlejnë vetëm për arsimin parauniversitar. Zbatimi i këtyre niveleve të licencës do të fillojë pas finalizimit të kuadrit ligjor.