Qeveria e Kosovës i ka miratuar të mërkurën disa ndryshime në Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur atë të pavlefshëm.
Kushtetuesja tha më 26 qershor në një aktgjykim se kishte gjetur se katër nene të ligjit ishin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Në një mbledhje të Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Ministria e saj i ka adresuar gjetjet dhe i ka bërë ndryshimet e nevojshme në këto katër nene pas vendimit të Kushtetutës.
Ndryshimet e propozuar nga ajo u miratuan nga kabineti qeveritar.
Këto ndryshime duhet të miratohet edhe nga Kuvendi.
“Ne nuk kemi hartuar ligj të ri, sepse nuk ka pasur nevojë për këtë. Por, i kemi adrestuar vetëm katër çështje që janë konsideruar kundër Kushtetutës”, tha ajo.
Haxhiu tha se çështja e parë që është adresuar është retroaktiviteti i ligjit.
Kushtetuesja gjeti se shtrirja e gjatë kohore mund të krijojë sfida për palët e përfshira, duke i vendosur ato në një pozicion “të pamundësisë objektive për të siguruar prova që justifikojnë prejardhjen e pasurisë së tyre”.
Ndryshimi i ri në këtë çështje, sipas saj, përfshin “konceptin e pamundësisë objektive, si një element kyç procedural”, i cili ofron një mekanizëm mbrojtës për ata të cilët nuk mund të ofrojnë prova për shkak të kalimit të kohës apo faktorëve të tjerë objektiv.
“Kjo qasje e re ndihmon në garantimin e një procesi më të drejtë dhe më të qartë për të gjitha palët e përfshira në procedurat e konfiskimit”, tha ajo.
Ndryshimi i dytë ka të bëjë me qartësimin e periudhës kohore për verifikimin e pasurisë.
“Ndryshimet e reja sigurojnë që periudha e verifikimit të pasurisë të lidhet me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vjet pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, nëse vlerësohet se pasuria është dukshëm më e lartë sesa të ardhurat e ligjshme”, tregoi Haxhiu.
Neni i tretë që u shpall i pavlefshëm, komisioni mbikëqyresh dhe ndarja e pushteteve, është ndryshuar po ashtu.
Haxhiu tha se komisioni është ndryshuar dhe tani përbëhet nga tre anëtarë që do të zgjidhen nga Kuvendi, përfshirë drejtorin e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe drejtorin e njësisë së inteligjencës artificiale.