Sot në qytetin e Malishevës u zhvillua ecja tradicionale në kuadër të aktiviteteve për shënimin e muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Kjo ngjarje u organizua nga Zyra për Barazi Gjinore dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), me mbështetjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
Ecja nisi nga oborri i QKMF-së, duke vazhduar përgjatë bulevardit “Ibrahim Mazreku” dhe përfundoi në oborrin e komunës. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari Kastrati, drejtues komunalë, anëtarë të Kuvendit Komunal, stafi mjekësor i QKMF-së, organizata joqeveritare, nxënës dhe qytetarë të tjerë.
Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, në fjalën e tij fillimisht i ftoi të pranishmit për një minutë heshtje në nderim të ish nënkryetarit dhe ish drejtorit të shëndetësisë, Hajdin Berisha. Më pas, ai theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe kujdesit të hershëm ndaj kancerit të gjirit, duke falënderuar profesionistët shëndetësorë për angazhimin e tyre. Ai gjithashtu premtoi mbështetje për të gjitha rastet me kancer të gjirit dhe sëmundje të tjera.
Ganimete Bytyçi-Krasniqi, eksperte radiologe, foli për rëndësinë e shërbimit të mamografisë dhe parandalimin e hershëm të kancerit të gjirit, duke theksuar se kjo sëmundje është ndër më vdekjeprurëset, por ekzaminimi i hershëm mund ta parandalojë atë.
Afrim Krasniqi, drejtori i QKMF-së, njoftoi se gjatë muajit tetor, shërbimet e mamografisë dhe ultrazërit të gjirit do të ofrohen falas në QKMF. Një paciente që kishte tejkaluar kancerin ndau përvojën e saj, duke iu bërë thirrje grave të bëjnë ekzaminime të hershme për parandalimin e sëmundjes.
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”