12.4 C
Prizren
E mërkurë, 15 Tetor, 2025

Lulzim Fejzullahi – Nga pjatalarës në një prej afaristëve më të suksesshëm shqiptarë në Austri

Shkruan: Demir Reshiti

Bashkatdhetari ynë Lulzim Fejzullahi, me prejardhje nga komuna e Klinës, është sot një nga emrat më të respektuar të sipërmarrjes shqiptare në Austri. Në shtator të këtij viti ai mbushi 41 vjet, prej të cilave 18 i ka kaluar në Kosovë dhe 23 në Austri. Si shumë të rinj të brezit të tij, Luli pas përfundimit të shkollës së mesme mori rrugën e mërgimit, duke filluar punë si pjatalarës.

Falë punës, talentit dhe ambicies, ai arriti që brenda një kohe të shkurtër të bëhet një nga shqiptarët më të suksesshëm në këtë shtet, duke menaxhuar sot disa biznese në fushën e hotelerisë dhe gastronomisë në qytetin e bukur të Gmundenit dhe rajonin e Ebenseesë.
Korrektësia, përkushtimi dhe ndershmëria e kanë bërë atë të fitojë besueshmëri e respekt, jo vetëm te komuniteti shqiptar, por edhe te banorët vendas të zonës.

Ky respekt dhe kjo besueshmëri u kurorëzuan kur, megjithëse në moshë të re, Fejzullahi u zgjodh këshilltar në kuvendin komunal të Ebenseesë, ku pjesën më të madhe të votave ia dhanë vetë qytetarët austriakë – një dëshmi e integrimit dhe reputacionit të tij.

Për sukseset e tij kanë shkruar jo vetëm mediat lokale, por edhe ato kombëtare.
Më 8 tetor 2025, revista prestigjioze Woche, përkatësisht kryeredaktori i saj Christoph Unterkofler, i kushtoi një faqe të tërë Lulzimit, duke e përshkruar si “njërin nga biznesmenët më të suksesshëm në rajonin e Austrisë së sipërme, veçanërisht në qytezat turistike Gmunden dhe Ebensee”.

Artikulli mbante titullin domethënës: “Lulzim Fejzullahi beson në Ebensee”.
Në hyrje, Unterkofler shkruan: “Është mbrëmje e hershme në Ebensee, dhe tavolinat në ‘Ristorante da Amelia’ janë të gjitha të zëna. Kushdo që dëshiron të sigurojë një vend duhet të bëjë një rezervim, edhe gjatë ditëve të javës. Restoranti është hapur qe gati dy muaj, dhe koncepti duket se po funksionon.”

Në vijim, autori i këtij shkrimi e portretizon Lulzimin si sipërmarrës energjik dhe i palodhur, që nuk njeh qetësi: “Nuk jam lloji i personit që mund të rri ulur.”
Në listën e bizneseve të tij renditen “Hoteli Schlafmeile” dhe “Wein & Fein” (aktualisht me qira) në Ebensee, si dhe “Café Brandl” dhe “Beach Bar” në Gmunden – biznese që mbajnë firmën e tij dhe që kanë fituar emër në mesin e klientëve vendas e të huaj.
Projekte të reja dhe vizion afatgjatë

Së fundi, Fejzullahi ka ndërmarrë një projekt të ri për hapjen e një picerie në bashkëpunim me Carmine Michele, kampion bote në pica nga Napoli dhe operator i “Verace Pizza Napoletana” në Vecklabruck. “Nëse do të hapim një piceri, atëherë do ta bëjmë në një mënyrë të tillë që të ketë vërtet shije si Italia”, – ka thënë Fejzullahi.

Ai e lidh suksesin e restoranteve të tij me cilësinë dhe ambientin mikpritës, duke shtuar se rreth 70% e mysafirëve udhëtojnë nga qytetet fqinje, çka tregon se aktiviteti i tij ka ndikuar pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit lokal.

Në planet e tij për të ardhmen përfshihen ndërtimi i një bar plazhi në liqenin e Ebenseesë, pranë fushave të tenisit me “paddle”, si dhe një projekt hotelier që pret momentin e duhur për realizim.

Me Lulzimin jam njohur rreth dhjetë vite më parë, kur ishte mysafir në emisionin tim “Më Afër” në RTK-radio. Që atëherë kemi ruajtur një miqësi të sinqertë e të qëndrueshme.
Në dhjetor të vitit të kaluar, bashkë me birin tim Rilindin, i bëmë atij një vizitë në Gmunden. Na priti në njërin prej restoranteve të tij buzë liqenit – një vend që frekuentohet nga elita e qytetit, ku pothuajse çdo klient e njihte dhe e përshëndeste me respekt.

Kjo atmosferë dashamirësie dhe vlerësimi është pasqyra më e qartë e suksesit që ai ka ndërtuar me punë, përkushtim dhe ndershmëri.
Sukseset e Lulzimit janë vlerësuar edhe në nivel më të gjerë. Ai është përfshirë në librin

“Njerëzit e famshëm në Gjermani e Austri”, ku paraqiten personalitetet më të njohura gjermanofolëse të të gjitha kohërave. Lulzim Fejzullahi është i vetmi shqiptar në këtë botim, i prezantuar me një super biografi dhe përshkrim të plotë real.

Të gjendesh në mesin e emrave si ish-presidenti i Gjermanisë, ish-kancelarja Merkel, kryeministri i Austrisë, artistë dhe figura të njohura evropiane, është një privilegj i madh, jo vetëm për të, por për të gjithë shqiptarët.

Më Shumë

Sot shpallet aktgjykimi në rastin “Kobra”

Sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve për vrasjen e 3 janarit 2023 në lokalin “Kobra City”. Seanca gjyqësorë pritet të...

Prizren: Konfiskohet BMW XM me targa zvicerane, drejtuesi me 114 gjoba nën ndalesë

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren ka konfiskuar sot një veturë BMW XM me targa zvicerane, pasi drejtuesi i saj u kap duke...

Lajmet e Fundit