Festivali i skulpturës Sculp’Fest i ka përfunduar të gjitha përgatitjet për edicionin e tretë të festivalit Sculp’ice, i cili nis të shtunën më 15 shkurt.
Sikurse vitin e kaluar edhe në këtë edicion, në Prizren nga 15 deri më 17 shkurti do të qëndrojnë skulptorë që pasion e kanë punën në akull.
Përmes një njoftimi për media, Sculp’ice ka bërë të ditur se sivjet në festival do të marrin pjesë skulptorë nga Spanja, Suedia, Norvegjia, Shqipëria, Turqia dhe Serbia.
Skulptori José Carlos Cabello Millán me origjinë nga Spanja vjen në Sculp’Fest pas një muaji të plotë pune në Hotelin e Akullit në Suedi.
Eksperienca e tij me skulptura nga akulli dëshmohet edhe me pjesëmarrjen për 4 vite me radhë në punëtoritë e “Hotelit të Akullit” në Kirune të Suedisë, që njihet edhe si qyteti më i afërt me polin verior.
Pos tij, në Sculp’ice vjen edhe skulptorja Elisabeth Kristensen nga Norvegjia. Ajo pothuajse çdo vit merr pjesë në festivalet e akullit të organizuara në vende të ndryshme të botës.
Që nga viti 2005 merret me skulptura nga akulli dhe rërë të detit dhe njëkohësisht është organizatore e simpoziumit të skulpturave nga rëra e detit.
Ndërkaq, artistët tjerë si Benard Lekgegaj nga Shqipëria, Alban Bylykbashi dhe Mirëdita Sejdiaj nga Kosova, si dhe skulptori nga Turqia, Tolga Yurtozveri, vijnë nga vise më të ngrohta dhe eksperienca e tyre nuk bazohet shumë në akull, por në materiale të ndryshme si Guri (Mermeri), Druri, Hekuri, etj. Ata janë përzgjedhur si pjesëmarrës me qëllim që të marrin përvoja nga skulptorët skandinav.
Një tjetër skulptor që do të jetë i pranishëm në Sculp’Ice është artisti serb Viktor Kiss, që paraqet dhe pjesëmarrësin e parë nga Serbia në këto tri vite të organizimit. Kiss pos punës kreative në akull do ta ketë një prezantim bashkë me skulptorët nga Skandinavia.
Duke i dhënë akullit formë artistike, Sculp’ice synon të promovojë skulpturën dhe angazhohet për krijimin e hapësirës së nevojshme për shprehjen e talentit artistik të të rinjve.
Edicioni i tretë i Sculp’ice do të realizohet rreth konceptit të “Shkrirjes se Barrierave”. Shkrirja do të tematizojë të gjitha seksionet e festivalit, duke shërbyer si emërues i përbashkët dhe moto e këtijedicioni.
Ceremonia e hapjes së edicionit të tretë të Sculp’Ice fillon në ora 20:00 në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren. Hapjes zyrtare do t’i paraprijë debati mbi rëndësinë e diplomacisë kulturore në promovimin e shtetit të Kosovës.