3.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

E zeza ballkanike

Osman-Demirit-1-150x150Agimi hyn ngadalë për të depërtuar në errësirën e një mbrëmjeje që duket sikur nuk do të mbarojë. Kjo çarje e lehtë që do të lindë mëngjesin, duket e ëmbël dhe e trishtë njëkohësisht, në një imazh që na sjell fotografi Osman Demiri. Agimi i tij ka brenda filozofinë e një kohe të shkuar dhe dëshirën e mbetur aty për një fillim të ri. Pasioni për të zezën vjen me një elegancë që të përfshin. Osmani kërkon të flasë përmes ngjyrës me të cilën ne jemi mësuar të etiketojmë gjendjet jo të mira brenda nesh. Por e zeza e tij është ndryshe.

Një e zezë që ka brenda orë të bukura, që kthehen në të verdhë, në tablonë “pranë teje”. Një artist nuk mund t’i shmanget dot historisë së vendit të tij. Ballkani dhe situata në vendin nga i cili vjen ndihet në fotografitë e Demirit. Çdo foto e tij është një histori, një histori të cilën ai kërkon ta zbërthejë deri në detaje përmes ngjyrave që flasin aq shumë. Të shtunën, artisti do të prezantohet me një ekspozitë personale në hollin e Teatrit të Komedisë, ekspozitë e cila paraprin shfaqjen premierë të këtij teatri në fundjavë “Djemtë gazmorë”, me regji të një tjetër artisti që vjen nga Maqedonia, Sulejman Rushiti.

Fotografia e Demirit mund të quhet një qasje filozofike. Në kolazhin e fotove “Drejt pallatit të saj”, përmes së bardhës dhe së zezës, ai kërkon të japë ndjesitë e një të dashuruari të nisur për diku. Askush nuk mund ta dijë rrugën që do të përshkruajë. Dhe kur ajo është e paracaktuar, të papriturat janë ato që i japin një tjetër drejtim asaj. Ndaj rruga e sjellë prej tij nuk është e njëtrajtshme, por mbart brenda saj një fuqi emocionesh, të cilat kanë ikur nga trupi i artistit dhe i japin jetë veprës. “Emocionet që sjellin incizimet e Osman Demirit janë të ndërtuara në disa gjëra, në shikim të parë shumë të thjeshta dhe të reduktuara, duket sikur fotografitë e tij janë instaluar në formalizmin, por nëse i vëzhgojmë nga afër dhe më shumë detajet, na bëhet e qartë se iluzioni i pamjeve të thjeshta është vetëm hyrje në reaksionet më komplekse, të fotografisë dikur bashkëkohore dhe prezantimit të saj. Ballafaqohemi me insistimin për zgjerim të kufijve të fotografisë, me zhvendosje të funksionit të saj si kujtim, nostalgji ose përkujtim, që lidhet me një kohë dhe vend të caktuar, në sferat e fenomenologjisë dhe figuratives”, shkruan kritikja e artit Sonja Abaxhieva. Për të, Demiri niset nga e njohura dhe jo vetëm.

“Veçoritë e motivit primar transformohen në shenja joreale, shpeshherë edhe metafizike, realizimi kalon në efekte e abstraksionit gjeometrik ose lirik”, shkruan ajo. Për kritiken turke Melissa Mey, vepra e Demirit është një arsyetim për një gjendje të brendshme. “Të gjithë ne vërejmë vetëm gjërat që shikojmë. Shikimi është dukuri të cilën e zgjedhim vetë. Mirëpo ekzistojnë gjëra përreth të cilave kalojmë vazhdimisht, edhe pse ato mund të shikohen janë ‘të padukshme’ dhe vetëm atëherë kur i afrohemi shumë, shohim se bëhet fjalë për një spektër të gjerë ndryshimesh. Këto ndryshime ekzistuese mund t’i vërej vetëm syri i mprehtë. T’i shohë dhe t’ia përcjellë shikuesit. Kjo është mjeshtëria e profesionit të fotografisë dhe dëshira e madhe e fotografit që t’i kapë momentet që nuk i shohim dhe t’i shpërndajë ato. Fotografitë e Osmanit kanë një magji tërheqëse”, shkruan Melissa Mey. Dritëhijet janë të dukshme në fotografitë e tij.

Ai duket sikur ruan momentin që ato të shfaqen në objektin që ka zgjedhur për të fotografuar, e për t’i shfaqur ashtu me gjithë energjinë që mbartin. “Nëse gjysma e botës është e brendshme, gjysma tjetër është vizion. Veprat e Demirit janë si një arsyetim për një gjendje të tij të brendshme. Detajet përbrenda lojës dritë-hije mund të karakterizohen si shprehje shpirtërore dhe si dëshirë e tij. Këto shprehje shpirtërore të autorit ballafaqohen me vrojtuesin dhe e çojnë atë në një dimension tjetër.

Kur i shohim fotografitë e Demirit ndiejmë një metamorfozë vijuese të tyre, sa dhe shikuesi kthehet në një artist. Fotografi duket se ka gjetur momentin e duhur për të shkrepur aparatin, duke e sjellë atë si një zhvillim shpirtëror të qenies… Osman Demiri është një artist modern me prejardhje nga Ballkani dhe arrin të ngrihet në një fotograf të mirëfilltë artistik. Ai, në veprat e tij, nuk ka një qëllim. Ai e sjell dritën, hijen, në të gjitha mënyrat që i shikon. I ndien dhe i fotografon. Në fotot e tij ndihet dëshira që çdo gjendje ta ndajë me shikuesin. Një mori fotografish ai i ka quajtur poezi. Kjo gjendje kaq delikate e artit është prekur nga Demiri, i bindur se poezia dhe fotografia kanë shumë fije të përbashkëta që dalin nga e njëjta gjë, siç është zemra. Osman Demiri përfaqëson një rreth të ngushtë të krijuesve nga Maqedonia, të cilët në mënyrë permanente merren me fotografinë artistike. Ai ka realizuar një numër të madh ekspozitash personale në Itali, Bullgari, Austri, SHBA, Serbi, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, etj., si dhe shumë ekspozita kolektive ndërkombëtare. Fotografia e tij nuk është tradicionale dhe me motive klasike, si peizazhe, portrete, figuracione etj. Motivet e tij nuk identifikohen kaq lehtë. Janë më tepër abstrakte, surreale, edhe pse burimin e kanë nga detajet e botës konkrete, megjithatë burojnë nga një këndvështrim i veçantë. “Osmani është një fotograf tejet artistik, i cili me veprat e tij na dëshmon se e njeh shumë mirë gjuhën e artit pamor. Fotografitë e tij ngjasojnë si kompozicione grafike, pikturale. Me mjeshtërinë e tij të përdorimit të aparatit fotografik dhe me njohjen e fshehtësive të profesionit, fitojmë përshtypjen se syri dhe objektivi ‘lexohen’ shumë lirshëm. Në fotografitë e tij hetohet cilësia e lartë e njohjes së kompozicionit, organizimi i hapësirave të plotësuara me tekste të ndryshme, hapësira të qeta që janë në funksion të dhënies frymë të kompozimit në tërësi. Ngjyrat janë me një kolorit të fuqishëm, por në disa raste edhe në mënyrë ‘sfumato’, sikur ngjyra në mënyrë graduale buron nga mjegulla duke rrumbullakuar ose kufizuar disa forma dydimensionale. Në shumë raste ai i shfrytëzon me inteligjencë dhe mjeshtëri vlerat akromatike tonike, të cilat janë me kontrast dhe harmoni, varësisht nga ideja bazë. Me të gjitha këto veçori dhe cilësi të larta artistike, Osmani mund të radhitet në rrymën e artit abstrakt ose të artit abstrakt dekorativ. Me krijimtarinë dhe inteligjencën e tij, ai dëshmon se edhe artistët nga vendet ballkanike mund t’i përballojnë të gjitha sfidat estetike bashkëkohore, që burojnë jo vetëm nga foto-aparati, por edhe nga teknologjia më moderne digjitale botërore”, thotë piktori nga Maqedonia, Reshat Ameti.

Më Shumë

Në Prizren u përurua videoklipi `Romani Sofra-Sofra Rome`, projekt i gazetarit Galushi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), njofton se në Doku Kino në Prizren, u promovua videoklipi "Romani Sofra - Sofra Rome", projekt i...

Takim me Ali Ahmetin pastaj me qytetarë në Prizren, Nait Hasani me mesazhe të fuqishme

Nait Hasani është edhe një herë pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që për kandidat për kryeministër ka Bedri Hamzën. Ai përmes...

Lajmet e Fundit