Kuvendi Komunal i Rahovecit ka mbajtur të martën seancën e radhës, në të cilën janë diskutuar çështje të ndryshme.
Në këtë seancë, asamblistja e LDK-së në Rahovec, Edona Kryeziu, ka ngritur si shqetësim kushtet jo të mira në Repartin e Maternitetit të QKMF-së “Dr. Fahredin Hoti” dhe vendimin që ka marrë kryetari Smajl Latifi për subvencionimin e çdo lindje me nga 500 euro.
Ajo ka shtruar këtë pyetje për udhëheqjen e qeverisjes lokale: “A ia vlen të rrezikohen dy jetë për 500 euro?”.
Kryeziu ka treguar se ka vizituar këtë QKMF dhe është interesuar për kushtet në Repartin e Maternitetit.
“Pothuajse në çdo seancë është ngritur si çështje shqetësuese për kushte jo të mira në QKMF. Është e papranueshme që të bëni thirrje për lindje derisa nuk ka kushte esenciale. Pas një vizite në këtë qendër, edhe pse ishte e vështirë të marrësh informata për shkak të politizimit dhe frymës së AAK-së, kuptova se brenda qendrës mungon një neonatolog. Aty shërbimet e neonatologut i kryen një pediatër. Këto zëvendësime i ndalon edhe ligji”, ka thënë Kryeziu.
Ajo i është drejtuar me pyetje edhe drejtoreshës së shëndetësisë në këtë komunë. “A ia vlen të rrezikohen dy jetë për 500 euro?. Në rast të rrezikut si për nënë ashtu edhe për beben a ka staf adekuat që do ta bëjë përkujdesjen apo keni bërë zgjidhje që ta adresoni jashtë Rahovecit. A mund të na jepni një informatë pse kemi një numër kaq të vogël të lindje në qytetin tonë, duke e ditur se për çdo grua është e kuptueshme që lindjen ta kryej brenda qytetit”, ka theksuar Kryeziu.