11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Bashkim Shehu: Nuk dua që libri të shihet si pornografi politike

bashkim-shehu-300x168Personazhet reale nga regjimi diktatorial dhe një çështje aq e debatuar në axhendën e ditës si hapja e dosjeve, kanë ngritur dyshimet e kureshtarëve se libri më i fundit i Bashkim Shehut “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” zbulon disa të vërteta. Në promovimin e tij, autori ngulmon se është thjesht trillim letrar

Meqë nuk mund të lidhen dot fije që nuk i kemi, kjo na bën të veprojmë në mënyrë të atillë që në thelb mundohemi të mbledhim çdo gjë dhe të kapemi aty përgjithmonë…Kjo shprehje e Gus Hunt, Drejtorit të Shërbimeve Teknologjike të CIA-s, e përdorur në hyrje të librit “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” duket se e përshkruan të gjithë filozofinë e këtij romani labirint të shkrimtarit Bashkim Shehu. Asnjë dosje nuk ka parë dhe asgjë e përshkruar në libër nuk është e dhënë historike. Këtë ka dashur të sqarojë autori gjatë promovimit të librit ditën e djeshme në mjediset e Akademisë së Shkencave, ku morën pjesë akademikë, pedagogë të letërsisë, shkrimtarë, përkthyes, kolegë botues, drejtues mediash, studentë.

“Mund të sjellë ngatërresën e fiksionit me realitetin dhe botimin e një vepre letrare ta bëjë të shihet si sensacion i ditës. Këto ditë në media është thënë se djali i Mehmet Shehut shkruan roman për Sigurimin e Shtetit. I falënderoj që më kanë quajtur djalë, megjithë moshën, por kjo mund të ketë keqkuptime dhe jo vetëm me moshën time, por edhe se duke vënë këtë titull ‘djali i’, krijohet ideja, ky duhet të dijë gjëra për Sigurimin e Shtetit. Kur është në gazetë është ndryshe nga kur e lexon në roman”, ka vijuar ai duke shtuar se lexuesi duhet ta marrë ashtu siç ai e ka shkruar, thjesht si një vepër letrare.

“Njerëzit mendojnë se janë ngjarje reale. Unë dua që lexuesit të ndjejnë atë kënaqësi që pata unë duke e shkruar, duke e parë si vepër letrare. Nuk dua të shihet si ‘reality show’ apo si pornografi politike”, – thekson ai, ku me këtë të fundit ai nënkupton sensacionet e ditës për gjëra të vogla që shndërrohen në show.

Sipas drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, të shkruash një roman në trajtën e fjalorit do të thotë të fitosh lirinë e shkrimit dhe leximit që nuk ta jep një fabul lineare.

“Dosjet personifikojnë burgun tonë të madh”, është shprehur Asllani.

Ndërsa Agron Gjekmarkaj shprehet se sesi origjinaliteti kombëtar i bashkëngjitet universales në këtë libër. “Personazhet dhe ngjarjet në këtë libër na ngatërrojnë dhe darovisin bindjet, qartësinë dhe konfuzionin duke na krijuar iluzionet se historia qenkësh histori dhe historia letërsi”. Autori, sipas Gjekmarkajt, e përdor historinë si rrëfim funksional, e lejon të rrëfejë çka ai di “Na ka bërë kureshtarë në shumëçka shkrimtari, në bashkimin e një teme të aktualitetit dhe historisë në kërkim të identitetit”, – ka përfunduar Gjekmarkaj.

Megjithëse kishte premtuar para dy vitesh kur promovoi “Loja, shembja e qiellit”, se librin tjetër që do të sillte për lexuesin nuk do e kishte për të kaluarën dhe diktaturën, frymëzimi e bëri të mos e mbante këtë premtim.

“Ky është libri që më ka dhënë më shumë kënaqësi në të shkruar”, – u shpreh autori, ndërsa shtoi se ka nisur ta shkruajë më 2013-ën.

Megjithëse autori e quan trillim letrar romanin, i cili brenda trajton personazhe realë të periudhës së diktaturës komuniste, përkitja me realitetin –pikërisht me temën e dosjeve –ka qenë e çuditshme.

Kur e përfundoi dorëshkrimin në studion e tij në Barcelonë, ku jeton prej vitesh, dëgjoi se në Shqipëri ishte hapur debati për hapjen e dosjeve.

“Edhe promovimi i tij përkon sërish me diskutimin për projektligjin mbi hapjen e dosjeve që do të bëhet nga ana tjetër e kësaj godine, javën e ardhshme”, – ka vijuar autori nga salla e Akademisë së Shkencave.

Gjithashtu shkrimtari është përfshirë me projektin e kthimit në muze të shtëpisë së përgjimeve nga Sigurimi i Shtetit, e njohur si “Shtëpia e gjetheve”. Por ky propozim ka ardhur më vonë, thotë ai, ndërsa libri kishte përfunduar.

Në këtë libër, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash historike. Një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi e Enver Hoxhës dhe pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekt për ndërtimin e Bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri…Të gjitha këto, ndërthurur me motive mitologjike nga më të ndryshmet, lidhen me njëra-tjetrën si shtigjet e një labirinti, në qendrën e të cilit është misteri i dosjeve, shprehje të marrëzisë së kontrollit totalitar.

I pyetur se ç’do bënte nëse do e ftonin në një debat politik për hapjen e dosjeve, ai shprehet se nuk e kanë ftuar, por sipas tij, asnjë arsye nuk e pengon hapjen e tyre. Por kjo për autorin nuk do të thotë se do të sjellë një katarsis apo do e shkëpusë shoqërinë shqiptare njëherë e mirë nga e kaluara apo do ta çlirojë.

A do të ishte kurioz të dinte ç‘fshihej në dosjen e tij? Ai shprehet se nuk është aspak kurioz, sepse e di çfarë ka aty brenda…

Më Shumë

QKUK në krizë/ I ka vetëm 49 anesteziologë, i nevojiten 118

Qendra Klinika Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me numër të vogël të anesteziologëve. Edhe pse në tre muajt e parë nuk ka pasur ikje...

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Lajmet e Fundit