14.8 C
Prizren
E mërkurë, 11 Shtator, 2024

Fituesit e Nobelit do të shpërblehen me më shumë para këtë vit

Fondacioni Nobel bëri të ditur më 15 shtator se do ta rrisë shumën monetare të shpërblimit për fituesit e çmimeve Nobel këtë vit. Shuma është rritur për 1 milion korona suedezë, apo 83.940 euro, në 11 milion korona, apo 923.241 euro, pasi që monedhës suedeze i ka rënë vlera së fundi.

“Fondacioni ka zgjedhur ta rrisë shumën e çmimit sepse një gjë e tillë është financiarisht e mundshme”, thuhet në deklaratën e shkurtë të fondacionit.

Zhvlerësimi i shpejtë i monedhës suedeze e ka çuar atë në nivelin më të ulët ndonjëherë në krahasim me euron dhe dollarin amerikan. Suedia ka qenë duke luftuar me inflacion të lartë, që u ul deri në 7.5 për qind në gusht, nga 9.3 për qind sa ishte në korrik.

Megjithatë, përkundër uljes, inflacioni mbetet larg objektivit prej 2 për qind të vendosur nga banka qendrore e Suedisë, Riksbank.

Kur u ndanë çmimet e para Nobel në vitin 1901, shuma e çmimit ishte 150.782 korona për kategori, tha fondacioni, por gjatë 15 vjetëve të fundit, shuma është ndryshuar disa herë.

Në vitin 2012, shuma u reduktua nga dhjetë milionë në tetë milionë korona pasi filloi një program për përforcimin e financave të Fondacionit Nobel. Në vitin 2017, shuma e çmimit u rrit nga tetë milionë në nëntë milionë korona. Në vitin 2020, ajo u rrit edhe një herë për një milion korona.

Fituesit e çmimeve Nobel të këtij viti do të shpallen në fillim të tetorit. Më pas, laureatët ftohen të marrin çmimet e tyre në ceremonitë e çmimeve më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të çmimit, Alfred Nobel.

Çmimi prestigjioz i paqes ndahet në Oslo, ashtu siç kishte kërkuar Nobeli, ndërsa ceremonitë e tjera të ndarjes mbahen në Stokholm.

Suedia nuk është pjesë e eurozonës. Njëzet vjet më parë, suedezët mbajtën një referendum nëse donin ta merrnin me monedhën evropiane, por ata votuan kundër këtij ndryshimi.

Asociation “Loyola-Gymnasium” shpall një vend të lirë për mësimdhënës/e të gjuhës angleze

Më Shumë

Andriola Kambo viziton Rahovecin si ambasadore e ‘Hardh Fest 2024’

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, priti sot në një takim Drejtoreshën Ekzekutive të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Andriola Kambo, e...

Ragipi: Xhaka, krenari e madhe për mua dhe familjen

Futbollisti Granit Xhaka ka shënuar një sukses historik në karrierën personale. Për herë të parë anëtari i Bayer Leverkusenit dhe kombëtares zvicerane është në garë...

Lajmet e Fundit