2.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Hëna Këlcyra rrëfen çastet e fundit të Eqerem Bej Vlorës

Eqrem_bej_vlora_1Në fund të muajit Mars, Hëna Këlcyra do të përmbyll një nga dëshirat e saj për të rikthyer në Shqipëri eshtrat e babait të saj Ali Këlcyra dhe eshtrat e Eqerem Bej Libohovës, i cili ka jetuar pranë familjes këlcyra deri në minutën e fundit të jtës. Eqerem Bej Vlora është i varrosur në Vjenë, kurse Ali Këlcyra në Itali.

Eshtrat e Eqerem Bej Vlorës do të varrosen në Kaninë në një ceremoni familjare nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, ndërsa eshtrat e Ali Këlcyrës do të vendosen pranë varrezës simbolike të Familjes Këlcyra në Këlcyrë, ku Hëna ka ndërtuar një memorial për pjestarët e familjes së saj që nuk gjenden më.

Në një intervistë të saj për gazetarin Roland Qafku, Hëna tregon momentet e fundit të Eqerem Bej Vlorës në Vjenë dhe si vdiq duke shkruar kujtimet për Shqipërinë.

Ju lutem më tregoni momentet e fundit kur vdiq Eqerem bej Vlora?

Ne banonim bashkë në Vjenë pas vdekjes së babait tim. Kishim kaluar vetëm gjashtë muaj në Austri. Në darkë thirra urgjencën, pasi Eqerem Beu ndjehej keq dhe shkuam në spital, ku insistova të mos e lija vetëm. U futëm së bashku në spital. Mjekët kërkonin t’i bënin diagnostikim, ai fliste me mua në gjuhën shqipe, ndërsa me mjekun gjermanisht. Mjeku më pyeti nëse Eqerem Beu kur fliste shqip, bënte ndonjë gabim. Por jo, ai fliste normal si gjithnjë. Mjeku më tha se ishte hera e parë që i ndodhte që një pacient në atë gjendje shëndetësore që ishte ai, të fliste njëherësh dy gjuhë në mënyrë perfekte. Pas një ore pata përshtypjen se shpëtoi. Vajta në dhomë dhe pyeta doktorin. “Mjerisht jo, maksimumi mund të mbijetojë deri në orën pesë”, – më tha ai.

Por cila ishte diagnoza?

Dobësi në zemër. Këtë e kishin konstatuar edhe më parë. Eqremi ishte 83 vjeç. Njëherë Eqerem Beu kur do të bënte një ndërhyrje, i thanë që zemra i rrezikonte nëse bëhej kjo ndërhyrje. Asokohe ai mundi të shpëtonte. Herën e dytë, jo. Një ditë pati një problem në zemër, dhe kjo u konstatua nga mjekët më të mëdhenj në Vjenë, me përkrahjen e Shaqir Kolonjës, i cili ka qenë një mjek shqiptar në Austri.

Çfarë ndodhi në momentin kur mjeku tha se nuk do mbijetojë? Shkuat në shtëpi, apo qëndruat me të ?

Qëndruam aty. Edhe pse i dhanë vetëm pesë orë jetë, gjendja e Eqerem Beut ishte normale. Kështu që biseduam. Më dha udhëzime që shpenzimet e varrimit të paguheshin nga lekët që ai kishte. Më kërkoi që, nëse nuk mjaftojnë, t’i shtoja unë, por mos t’u kërkoja motrave që kishte në Itali apo të tjerëve. Por nëse tepronin lekë nga ato që kishte, më tha t’ia dërgoja motrës së vogël që kishte në Shqipëri.

Ju qëndruat me të në dhomën e spitalit?

Po, unë qëndrova në dhomën e tij. Ishte një dhomë e klasit të dytë. Xhaxha Eqeremi vijonte të kërkonte ndjesë që më la pa gjumë dhe për shqetësimin. Edhe pse i thosha që nuk jam e shqetësuar më tha: ‘E shoh, sepse lëviz nëpër dhomë’. Kur erdhi ora pesë e mëngjesit, më pyeti sa është ora. Ai më pyeti vazhdimisht atë natë për orën. Kur i thashë që ishte ora pesë, atëherë e kuptova që Eqerem Beu e kishte dëgjuar mjekun kur tha se; maksimumi do të mbijetonte deri në orën pesë. Por në të vërtetë, ai ka hyrë në koma rreth orës tetë të mëngjesit të po asaj ditë. Gjithsej qëndroi në spital 12 orë. Pas orës pesë erdhën dy mikesha të miat austriake. E lashë 10 minuta me to dhe telefonova të motrat, mamanë time në Romë, edhe familjen se si ishte situata shëndetësore e tij. Në atë kohë mamaja ime kishte gjashtë muaj që rrinte në Romë, pas vdekjes së babait.

Ju sa vjeçe ishit?

Unë isha 27 vjeçe kur vdiq xhaxha Eqremi.

E pyete se ku donin ta varrosnin?

Më tha që vendos ti. Sigurisht, vendosa që të varrosej aty. U ktheva në dhomë dhe prita sa t’i dilte shpirti.

Vuajti shumë momentet e fundit ?

Jo, vetëm se donte të ngrihej nga krevati. Madje ata kërkuan që ta lidhnin. Por u thashë që lëreni, do të ngrihet, le të ngrihet. Më pas e morën.

Cilat ishin fjalët e fundit që tha ?

Ju thashë që ai më falenderonte dhe kërkonte falje që më kishte shqetësuar.

Ju tha diçka për familjen e tij?

Të vetmet fjalë që më tha ishin që, lekët që do të mbeteshin nga ato që kishte në librezë, pas shpenzimeve që unë do të bëja për varrimin, t’ia dërgoja së motrës në Shqipëri, për vajzën.

A la amanet Eqerem bej Vlora?

Jo, nuk la.

Cili ishte pengu i tij ?

Jo, nuk di. Unë kam qenë me të dy herë në spital. Më ka bërë më shumë përshtypje herën e parë; unë kisha dy-tre muaj që punoja në Gjermani dhe ai më shkruan një letër, ku më thoshte se donte të operohej se ishte në rrezik jete dhe më kërkonte që të bëja hapat e duhur për t’i gjetur një spital. Atëherë u çudita: “Pse do të vish në Gjermani dhe nuk shkon në Itali, ku ke dy motra dhe mamanë time?”. Dhe ai më tha se, “nëse vdes, dua të vdes në duart e tua. Por sidomos, dua të mos varrosem në tokën italiane”. Nuk donte të varrosej në Itali.

Po pse jo në tokën italiane?

Kjo mbetet një pikëpyetje.

A kërkoi që eshtrat e tij të preheshin në Shqipëri?

Jo, as ai e as babai im, Ali Këlcyra. Nuk ishte një temë që hapej, se e dinim si ishte situata në Shqipëri.

Si u bë varrimi i Eqerem bej Vlorës?

Ata e futën në një frigorifer se duhej gjetur një varrezë. Lindi një problem, sepse xhaxha Eqeremi disa ditë para se të vdiste kishte qenë në kinema për të parë një film të Frojdit. Edhe filmi niste sesi Fjordi, një student në Vjenë, i cili ishte nga feja e vjetër (hebre), viziton spitalin e madh të Vjenës, ku janë këto komunitetet e ndryshme fetare. Duke parë filmin, më tha: “Sa varrezë e shëmtuar është kjo… Nuk do të doja kurrë të varrosesha në këtë vend”.

Pas vdekjes së tij, i shoqëruar nga një mik i imi, i cili punonte në Ambasadën amerikane, shkuam në këto zyrat për të bërë hapat, sepse Eqerem Beu nuk kishte rezidencë në Austri. Ai ishte mysafir në shtëpinë time, ka banuar me mua dhe me prindërit tetë vjet në Itali. Prandaj ishte problematike gjetja e një varri. M’u desh një ditë për ta gjetur.

Nga dita që vdiq, sa kohë kaluan deri sa u varros ?

Ai vdiq më 30 mars, dhe më 4 prill u bë varrimi.

Në varrezën që ai nuk donte…?

Varrimi u bë në një nga varrezat më të bukura të Vjenës, në “Neustift Am Walde”. Erdhi dhe i vëllai, kunati i tij dhe mamaja. Nga Italia erdhi edhe zoti Boçari, një shqiptar nga Vlora, të cilin e kapën gjermanët.

Si u bë ceremonia ?

Me rite myslimane. Aty ishim unë me mamanë, i vëllai i tij, vëllai i mamasë, z. Boçari dhe një kosovar nga Belgjika, që përfaqësonte Kosovën. Ishte familja ime austriake dhe z. Shaqir Kolonja.

Domethënë, nuk bëheshit më shumë se 10 persona që morën pjesë në varrim?

Po. As 10 vetë nuk ishim në ceremoninë e varrimit.

Më Shumë

Vëllaznimi fiton ndaj skuadrës së Golden Eagle Ylli

Me ndeshjen Ylli – Vëllaznimi është mbyllur xhiroja e 13-të e Superligës së Kosovës në basketboll, përballje kjo që u zhvillua në palestrën “13...

Çerdhja e re në lagjen “Ortakoll”, hapësirë moderne për fëmijët e Prizrenit

Komuna e Prizrenit ka përfunduar rikualifikimin e ambienteve të pashfrytëzuara në lagjen "Ortakoll", për të krijuar kushte për ndërtimin e një çerdheje moderne për...

Lajmet e Fundit