12.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Jakup Krasniqin: Mashtrimet do ta çojnë në pushim Hashimin

JakupKrasniqi10-29Njerëzit e Nismës për Kosovën duhet t’i votoni sepse janë të urtë, të përkushtuar dhe e mbajnë fjalën. Ne kërkojmë votën për të ndryshuar krejtësisht qeverisjen. Mua me ka habitur qullsia e alamet “luftëtarëve”, të cilët nuk treguan as një fije dinjiteti e integriteti njerëzor kur u dëbuan nga bina në Drenas. Mashtrimet me premtime do ta çojnë në shtëpi Hashimin. Njëri prej udhëheqësve të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, flet për Express.
Express: Pse duhet qytetarët të votojnë Nismën për Kosovën?

J. Krasniqi: Qytetarët duhet ta votojnë Nismën pse është një Lëvizje qytetare e organizuar nga njerëz që në skenën politike janë të dëshmuar si njerëz që kanë një integritet të veçantë, që janë të dëshmuar për vendosmëri, urti, përkushtim dhe janë njerëz që e mbajnë fjalën. Duhet votuar pse Nisma është një subjekt i organizuar nga qytetarët për t’u dhënë mundësi kuadrove të reja, ekspertë të rinj, për njerëzit që nuk kanë keqpërdorur pozitat shtetërore për përfitime personale e klanore. Pse është një subjekt i ri që do të sjellë një frymë të re politike e qeverisëse në Kosovë. Pse ky subjekt i ri politik me vete sjell ndryshimin. Që i duhet Kosovës.

Express: Çka ofroni më shumë ju se PDK, LDK, AAK e AKR?
J. Krasniqi: Ne, këto ditë e kemi shpalosur Programin tonë zgjedhor dhe jemi të bindur që do të jetë edhe Program i Qeverisë pas 8 qershorit, kuptohet nëse e marrim besimin nga qytetarët tanë, te çilet i kanë 101 arsyeje të na votojnë. Ne, kërkojmë besimin e qytetarëve për të ndryshuar krejtësisht mënyrën e qeverisjes. Kësaj radhe do t’i thosha katër shtyllat kryesore të Programit tonë, siç janë: Shteti i se drejtës (shteti i ligjeve me standardet e BE-së); shtetin e drejtësisë sociale (shtetin e një drejtësie shoqërore që për vendin tonë është i domosdoshëm); shteti i dijes (shtet që do të udhëhiqet nga njerëzit e dijshëm); se fundi, shtetin e zhvilluar ekonomikisht. Ne ofrojmë atë që nuk na e kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve partitë qeverisëse, ne, do të dëshmohemi për vendime të guximshme e të rëndësishme për qeverisjen e shtetit tonë pa të cilët nuk ka perspektivë.

Qytetarët duhet ta votojnë Nismën pse është një Lëvizje qytetare e organizuar nga njerëz që në skenën politike janë të dëshmuar si njerëz që kanë një integritet të veçantë, që janë të dëshmuar për vendosmëri, urti, përkushtim dhe janë njerëz që e mbajnë fjalën.
Express: Por, pse duhet qytetaret ta votojnë numrin 2 në listën e Nismës për Kosovën?

J. Krasniqi: Qytetarët pa votuar numrin 59, që është numri i Nismës për Kosovën, nuk mund të shkojnë të numri 2 që është numri im. Të gjitha arsyet që i ceka pse duhet të votohet Nisma, vlejnë edhe për mua si një nga kandidatet e mundshëm për Kuvendin e ardhshëm të Kosovës. Për vete do të thosha: Kam një përvojë të gjatë në politikë dhe nëse politika i ka tëhuajsuar e ç’burrëruar shumë politikanë, unë kam treguar një qëndrueshmëri të veçantë në mbrojtje të idealeve e të vlerave kombëtare. Nuk kam treguar një kajtë e shpirtngushtësi për interesa të ngushta apo klanore. Konsideroj që edhe duke udhëhequr për tri vjet një ministri (2002-2004) dhe Kuvendin për dy legjislatura kam treguar përgjegjësi e vendosmëri në respektimin e ligjit. Gjithashtu edhe demokracisë i kam dhënë një përmbajtje të re e të veçantë të debatit demokratik, si brenda për brenda organeve në Partinë Demokratike po ashtu edhe në Kuvendin e Kosovës e në shoqërinë tonë përgjithësisht.
Express: Çka ofron Nisma për Kosovën në fushën e arsimit dhe shëndetësisë?

J. Krasniqi: Nisma për Kosovën, për këto shërbime ka një qasje krejt ndryshe nga ajo që e kemi parë deri me tani. Hapi i parë që do të bënim për këto segmente të rëndësishme, do të bëhet ndarja e mjeteve financiare për këto segmente sikurse bëhet në vendet që udhëhiqen nga drejtësia sociale (në përqindje) dhe do t’i bartnim përvojat e avancuara te këtyre shërbimeve edhe në Kosovë. Hapi i tjetër që do të bënim, do t’i depolitizonim duke u dhënë hapësira njerëzve të ditur, ekspertëve të dëshmuar edhe si ekspertë edhe si menaxherë të verifikuar. Këto do të ishin hapat e parë e pastaj do ta fillonim një reformim të thellë e përmbajtjesor që është kah mungon që sa kohë në Republikën tonë. Pa arsim të cilësisë së lartë, nuk ka zhvillim ekonomik, pa shërbime shëndetësore kualitative nuk mund të ketë shëndet të mirë për qytetarët.

Express: Nisma për Kosovën e nisi fuqishëm fushatën zgjedhore. Në bazë të asaj që po e shihni në terren, ku synoni të renditeni në skenën politike të Kosovës?

J. Krasniqi: Edhe në politikë si në sport, hyhet në garë për të marrë vendin e parë. Nisma në këto zgjedhje do të befason shumë ke.
Express: Në hapjen e fushatës së Nismës, Fatmir Limaj tha se pushtetarët aktual i kanë vetëm edhe tetë ditë. A është ky sinjal se Nisma nuk do të bëjë kurrfarë koalicioni me PDK-në?

J. Krasniqi: Nisma për Kosovën është nisur për të ndryshuar qeverisjen.
Express: Zyrtarët e Nismës kanë thënë se kanë pasur shantazhe dhe kërcënime për mos t’iu bashkuar Nismës për Kosovën. Nga kush kanë ardhur këto kërcënime?

J. Krasniqi: Po, shantazhet dhe kërcënimet janë bërë në forma e mënyra të ndryshme, si p.sh.: Njerëzit tanë, pasi jemi zyrtarizuar, nga kreu i partisë në pushtet, janë joshur me ofertat për vende të punës, madje jo vetëm për vete, janë kërcënuar e madje edhe janë larguar nga vendet e punës, disave ju kërkohet që të sqarojnë pse kanë ardhur te ne, se në PDK do ta kishin më mirë e të ngjashme. Pastaj u bëjnë thirrje të ndryshme telefonike dhe shkojnë deri atje, sidomos në Drenicë, u thonë: “kush nuk voton PDK-në është tradhtar”, etj. Natyrisht që ndiqet “stili” i veprimeve “sipas vendit kuvendi”, sipas njeriut dhe forma e kërcënimit.

Express: Në hapjen e fushatës deklaruat se Hashim Thaçi po e përgatit mashtrimin e madh duke dhënë premtime të pabaza. Sa do t’i kryejnë punë këto premtime Kryeministrit në ikje?

J. Krasniqi: Këto premtime sigurisht që mund ta mashtrojnë edhe ndonjë hallexhi, por gjithsesi këto mashtrime do ta çojnë në pushim.

Express: Në vendlindjen tuaj, në Drenas, Hashim Thaçi largoi nga bina kandidatët kryesor të PD-së për deputet. Si e keni parë këtë moment poshtërimi për kandidatët e PDK-së?

J. Krasniqi: Veprimi i Hashimit është për studim të gjithanshëm. Ai tani i ka të gjitha manitë e një sundimtari të gjithëpushtetshëm që njerëzit i trajton si faculeta letre. Në ketë rast ky nuk është problemi i vetëm. Mua me ka habitur qullsia e alamet “luftëtarëve”, të cilët nuk treguan as një fije dinjiteti e integriteti njerëzor. Thjesht është për të ardhur keq sesi njerëzit që kërkojnë të jenë përfaqësues të qytetarëve trima të Drenicës, durojnë një përbuzje të tillë, një denigrim të tillë në sytë e zgjedhësve të vet?! Cila është arsyeja që njerëzit e Drenasit t’ua dhënë votat atyre? Ata burra e një grua që u përpoq të tregohej më burrneshë, siç thotë populli ynë, nuk e di sesi lejuan që t’u nëpërkëmbët në atë shkallë dinjiteti e integriteti i tyre njerëzor?! Përfaqësuesi i popullit duhet të ketë dinjitet e integritet të veçantë, përndryshe pse ai apo ajo të jetë përfaqësuese e popullit.

Mua me ka habitur qullsia e alamet “luftëtarëve”, të cilët nuk treguan as një fije dinjiteti e integriteti njerëzor. Thjesht është për të ardhur keq sesi njerëzit që kërkojnë të jenë përfaqësues të qytetarëve trima të Drenicës, durojnë një përbuzje të tillë, një denigrim të tillë në sytë e zgjedhësve të vet?!

Më Shumë

Vogëlushi kosovar dënohet me 2500 franga, shkak ‘selfie’ me Granit Xhakën

2 mijë e 500 franga apo (2 mijë e 557 euro e 95 centë). Kaq i kushtoi një vogëlushi nga Kosova dënimi, për shkak të...

Vdes tragjikisht në vendin e punës mërgimtari 30-vjeçar nga Malisheva

Ka humbur jetën tragjikisht në vendin e punës në Belgjikë, 30-vjeçari, Arian Gashi. I ndjeri ishte nga qyteti i Malishevës. 30-vjeçari humbi jetën mëngjesin e sotëm...

Lajmet e Fundit