18.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Krasniqi: Specialja s’mund të kthehet në Kuvend

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka quajtur jodemokratik rikthimin e Gjykatës Speciale në Kuvend.

Në intervistën për “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se nëse kjo çështje kthehet në Kuvend si po mendojnë qeveritarët, atëherë shtrohet pyetja: cili është organi më i lartë i shtetit?

“Kuvendi ka marrë një vendim, i cili nuk mund të rikthehet nga ata që do të duhej të dorëheqëshin para se të përpiqeshin ta rikthenin për votim për një çështje tanimë të vendosur. Nëse kjo çështje kthehet në Kuvend si po mendojnë qeveritarët, atëherë shtrohet pyetja: cili është organi më i lartë i shtetit? Cili institucion e kontrollon dhe e mbikëqyr tjetrin? Është Republikë Parlamentare e Qeveritare Republika e Kosovës?”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se mbështetësit e presionit mbi Kuvendin, për ta themeluar Gjykatën Speciale, janë vënë në shërbim të autoritarizmit, e jo të demokracisë e të shtetit të së drejtës.

“Bile disa po tregojnë prirje despotike e tiranike duke i urdhëruar të gjitha pushtetet njëherësh. Bëhen ‘demokratë’ duke e marrë rolin e policit hetues, të prokurorit, të gjyqtarit dhe deri të caktimi se kush në cilin burg duhet të shkojë”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka thënë se pas vendimit të Kuvendit është krijuar një hapësirë për të filluar debat transparent në skenën politikën për të gjetur një rrugëdalje.

“Opsioni i opozitës do të ishte real dhe i mundshëm po sikur debati për këto çështje të zhvillohej me kohë, por nuk do të thotë se tani nuk mund të bisedohet. Pas vendimit të Kuvendit është krijuar një hapësirë për të filluar debat transparent në politikën tonë për të gjetur një rrugëdalje. Rrugëdalje ka, por a ka disponim për ta gjetur rrugën e duhur. Kjo është një çështje tjetër”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka thënë se askush nuk do të përfitojë nga Specialja meqë aty ku cenohet sovraniteti i gjyqësorit, fitues nuk mund të ketë.

“Këtu nuk shtrohet çështja kush humb e kush fiton. Aty ku cenohet sovraniteti i një segmenti të rëndësishëm siç është gjyqësori, fitues nuk mund të ketë. Për këtë çështje, para se të vinte kjo situatë, në politikën tonë është dashur të kishte debat të gjerë, i cili ka munguar, është dashur të kishte transparencë, e cila ka munguar, është dashur të kishte konsensus, për të cilin nuk ka menduar askush derisa ka folur Kuvendi”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka folur edhe për punën e Kuvendit gjatë kësaj periudhe, duke thënë se ka ngecje si pasojë e qeverisë.

“Kushdo që e përcjell punën e Kuvendit të Kosovës mund të konstatojë se ka ngecje në punën e legjislativit dhe se kjo ngecje vjen nga mosfurnizimi me materialin e duhur që do të duhej të vinte nga Qeveria. Pra, edhe pse institucionet janë të pavarura, funksionimi i tyre është shumë i ndërvarur, pasi furnizuese kryesore e punës së Kuvendit është Qeveria e Kosovës”, ka thënë Krasniqi. /Epoka e re/

Më Shumë

Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre, po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e...

DJ me nam ndërkombëtar Black Coffee, pjesë e Sunny Hill Festival

Këtë vit, dyfish më shumë artistë të mëdhenj ndërkombëtar e vendorë do ngjiten në skenat e Sunny Hill Festival. Në edicionin që do të jetë...

Lajmet e Fundit