3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kurtit ka afat deri më 17 Shkurt të vendos për Asociacionin, thotë Nova

“Me rastin e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, në 10 ditët e fundit janë mbajtur dy takime në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti sa vjen e shtohet dhe siç mëson Nova.rs, atij i është dhënë afat deri më 17 shkurt për të marrë një vendim përfundimtar. Në parim, me përjashtim të Kurtit dhe partisë së formuar nga presidentja Vjosa Osmani ‘Lista Guxo’, organizatat e tjera politike shqiptare pajtohen që Asociacioni të formohet”.

Kështu ka raportuar mediumi serb ‘Nova.rs’ mëngjesin e së dielës.

Nga Qeveria e Kosovës nuk janë deklaruar për këtë çështje deri më tani, pavarësisht se Paparaci ka provuar të marrë një përgjigje.

Megjithatë, Nova shkruan se “Asociacioni i komunave serbe është tema kryesore në Prishtinë. Iniciativën kryesore për zgjidhjen e këtij problemi e ka marrë ambasada amerikane dhe për këtë është duke u diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por edhe me përfaqësues të tjerë politikë”.

Më shumë se 40 përfaqësues të qeverisë, opozitës, Listës Serbe, si dhe partive dhe organizatave të tjera politike serbe nga Kosova kanë marrë pjesë në dy takimet e mbajtura në ambasadën amerikane më 31 janar dhe 9 shkurt. Siç mëson Nova.rs, përfaqësuesit e SHBA-ve kishin dy pyetje për pjesëmarrësit në takim: Çfarë është Asociacioni sipas tyre dhe si mund të përshtatet në sistemin juridik të Kosovës.

Përfundimi është se ajo nuk mund të formohet pa ndryshime në disa pjesë të ligjeve të Kosovës, përfshirë Kushtetutën, por edhe se nuk mund të jetë një nivel i veçantë i qeverisjes, siç është Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Shumica e përfaqësuesve të partive shqiptare, përfshirë edhe anëtarët e partisë së Ramush Haradinajt, mendojnë se Asociacionit duhet të formohet sa më shpejt. Nga shumë shqiptarë mund të dëgjohej se serbët duhet të lejohen të trajtohen kudo dhe si të duan, të mësojnë nga tekstet shkollore në gjuhën serbe, në mënyrë që të mos kenë nevojë të kontrabandojnë ilaçe dhe libra nëpër kodër…”, shkruan Nova.

Kundërshtarët më të mëdhenj të Asociacionit ishin përfaqësuesit e Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe një partie boshnjake.

Për sa i përket SHBA-së dhe BE-së, sinjalet janë se AKS-ja duhet të formohet sa më shpejt, “sipas një modeli që nënkupton autonominë më të madhe për një pakicë dhe që ekziston tashmë në Evropë”.

Krahas këtyre takimeve ka pasur edhe takime në ambasadën amerikane dhe vetëm me kryeministrin Albin Kurti, ku thuhet se i është lënë afat deri më 17 shkurt për të dhënë një përgjigje përfundimtare për formimin e AKS-së, shkruan Nova.

“Është data kur Kosova shënon 15-vjetorin nga shpallja e pavarësisë. Në ato takime, siç mësojmë, është biseduar edhe se në të kundërtën KFOR-i do t’i “dëbojë” njësitet e ROSU-së nga veriu i Kosovë, dhe kjo do të vinte në pikëpyetje mbijetesën e pikave dhe bazave policore që ishin ndërtuar me muaj në Leposaviq dhe Zubin Potoku”.

Derisa Kurti po “mendon”, zyrtarët evropianë përmendin një afat prej disa javësh për nënshkrimin e planit gjermano-francez. Këto afate u përmendën nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, dhe raportuesi i BE-së për Serbinë, Vladimir Bilçik, vazhdon Nova.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha me atë rast se nuk ka ndërmend të shkojë në Bruksel si turist.

“Nëse mendoni se po më thërrisni në Bruksel dhe më bindni të them AKS-ja në të njëjtën kohë pasi nuk e di çfarë ose pasi nuk e di çfarë, mos më telefononi. Më telefononi të vij si turist dhe nuk më intereson, kam qenë 200 herë në Bruksel”, tha ai.

Më Shumë

Lajmet e Fundit