18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kush e vrau rahovecianin tim Elvis Pista?!

Bajrush MorinaShkruan Bajrush Morina

Nuk e kam njohur personalisht, nuk e kam takuar asnjëherë, kam dëgjuar për atë kohë më parë, e kam pasur kundërshtarë politik në zgjedhjet e fundit. Por po e përjetoj rëndë vrasjen e rahovecianit tim Elvis Pistës!
Elvis Pistën nuk do ta takojë kurrë më për së gjalli, por do ta ndjej thellë shpirtërisht vrasjen e tij!
Një vrasje sa makbare, aq edhe misterioze! Një vrasje pas shpine, një vrasje tinëzare, një vrasje kriminale!

Vrasësi i Elvisit nuk është shqiptar?

Në Kosovën e pasluftës kanë ndodhur shumë vrasje! Vrasje me motive të ndryshme! Vrasje edhe me motive të hakmarrjes, me motive politike!
Vrasja e Elvist Pistës është e tmerrshme edhe për faktin se është bërë në prani të bashkëshortes së vet, është vrarë në pabesi, pas shpine!

Prandaj vrasësi i Elvisit nuk mund të jetë shqiptar! Shqiptarët nuk vrasin pas shpine dhe nuk vrasin në prani të një femre. Kanuni nuk e lejon këtë akt makabër!
Vrasësi i Elvisit nuk mund të jetë shqiptar!

Vrasësi i Elvisit është i pashpirt!

Në Kosovën e pasluftës m’i kanë vrarë disa miq të mi, kolegë të punës e të profesionit. Kur kam marrë vesh pas pak çastesh për vrasjen e Xhemajl Mustafës kam qarë me zë e me dënesje në katin e VII-të të Pallatit të Rilindjes!

Kur kam marrë vesh për vrasjen e Bekim Kastratit më është ndalur fryma!
Kur kam dëgjuar për vrasjen e Bardhylit kam bërtitur deri në kupë të qiellit duke e mallkuar atë kriminel!

E pranoj, vrasjen e Elvisit e kam përjetuar tepër rëndë! Për shumë arsye!
Nuk e kam njohur Elvisin, por mënyra e vrasjes më ka shkaktuar dhembje!
Nuk e kam takuar asnjëherë në jetë Elvisin, por ne që jemi për hasret ( pa vëlla tjetër) vrasjet i përjetojmë me shumë pikëllim!

E kam pasur kundërshtar politikë në fushatën e fundit zgjedhore, por vrasja e tij më ka tronditur thellë!

Vrasësi i Elvisit nuk është rahovecian!

Kam kaluar pak muaj në Rahovec, vetëm si nxënës i shkollës së mesme, por besoj se e njoh bukur mirë shpirtin e rahovecianëve, të rahovecianëve punëtorë, të rahovecianëve të fjalës e të besës, të rahovecianë burra me plot kuptimin e fjalës!

“Kur je me rahovecianin mos e ruaj shpinën!” Këtë këshillë e kam dëgjuar shpesh prej gjyshit tim por edhe prej babait tim. E kam dëgjuar edhe prej shumë të afërmve të tjerë. Kështu kanë thënë të gjithë ata që kanë punuar bashkë me rahovecianët, që kanë qenë në shërbim ushtarak me rahovecianët, që kanë qenë në kurbet me rahovecianët apo si i thonë fjalës, që e kanë “ngrënë një thes kripë” në rahovecianët!

Prandaj vrasësi i Elvisit nuk mund të jetë rahovecian. Rahovecjanët nuk vrasin pas shpine!

Po kush e ka vrarë Elvis Pistën?

Kjo pyete duhet ta vrasë më së shumti ndërgjegjen e atyre që janë përgjegjës për sigurinë tonë në shtetin tonë, në qytetin tonë, në lagjet tona, në shtëpitë tona!

Pra a ka polici në këtë shtet? A ka agjentë të AKI-së në këtë shtet? A ka ministri të Policisë e të Drejtësisë në këtë shtet? Deri kur krimi do ta vrasë lirinë e shtetasve të Kosovës!?
Pas vrasjes së Elvis Pistës unë ndjehem i pasigurt në shtetin tim, në qytetin tim, në lagjen time, në shtëpinë time!
Lamtumirë Elvis miku im i patakuar në këtë botë!
Lamtumirë rahoveciani im Elvis!

Më Shumë

Policia shqiptoi 2527 tiketa trafiku në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2527 tiketa për pjesëmarrësit e trafikut për shkak të shkeljeve të...

Një lis dëmton disa varre në Prizren

Një lis i madh është rrëzuar në varrezat e qytetit të Prizrenit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa varre. Ngjarja ka ndodhur para dy...

Lajmet e Fundit