Kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës, po i kërkohet llogaridhënie për vdekjen e trevjeçares nga rrënimi i një shtëpie të vjetër. Ai pritet të ftohet nga opozita edhe në një mbledhje të jashtëzakonshme.
Komuna e Prizrenit, shihet si përgjegjësja kryesor për humbjen e jetës së fëmijës. Ndërkaq, nuk amnistohet as Ministria e Kulturës dhe Mjedisit e Planifikimit Hapësinor.
Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se kuvendarët e opozitës kanë marrë një iniciativë për të mbledhur nënshkrime për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje,parashihet që të diskutohet vdekja tragjike e fëmijës 3 vjecar.
“Jemi duke shikuar mundësin e mbledhjes së nënshkrimeve për të thirr një mbledhje të jashtëzakonshme për rastin tragjike të fëmijës “, tregon burimi për “PrizrenPress”.
Kuvendari i VV-së Artan Abrashi thotë se është i informuar për një iniciativë të mbledhjes së nënshkrimeve për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme.
“Kuvendi duhet të diskutojë për këtë rast , pasi që kemi të bëjmë me humbjen e jetës së fëmijës”, shprehet Abrashi.
Ai fajësuar Komunën, për humbjen e jetës së fëmijës 3 vjeçar nga rrënimi i shtëpisë së vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit.
Të hënën Prizreni ishte shokuar me tragjedinë e ndodhur midis qytetit. Një mur i një shtëpie të vjetër është rrënuar dhe ka lënë të vdekur një vajzë 3-vjeçare. Nëna e viktimës, Lirije Gashi ka akuzuar Komunën e Prizrenit për humbjen e jetës së vajzës së saj.
“Para dy javë ka ardhur komuna, Dashja ka ardhur, ka urdhëruar me mi hjek krejt dërrasat. I thash Dashe mos m’i hjek dërrasat se me ba me ra shtëpia mi mbytë fëmijët, ti ke me mbajt përgjegjësinë. Dashja i ka hjekë edhe më ka tha “‘Mshile gojën moj flliqtejk rri qaty’”, ka rrefyer ajo për media.
Ndërkaq, kryeprokurori në Prizren Sylë Hoxha ka thënë se rasti i vdekjes së 3 vjecjes është duke u hetuar.
“Është autorizuar policia që t’i mbledh të dhënat dhe provat lidhur me shtëpinë që është rrënuar”, ka thënë Hoxha./PrizrenPress.com/