11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Mustafa: PDK do koalicion me LDK-në

RrustemMustafa–RemiPartia Demokratike e Kosovës do ta formojë qeverinë e re të Kosovës, me Hashim Thaçin kryeministër. Koalicioni ideal dhe i mundshëm është ai mes PDK-së dhe LDK-së, për arsye se Kosovës i duhet një koalicion i qëndrueshëm. PDK-së i takojnë të dyja herët për ta bërë qeverinë e re. Nisma për Kosovën me së lehti bëhet pjesë e koalicionit me PDK-në…, kështu thotë anëtari i Kryesisë së PDK-së, Rrustem Mustafa-Remi.
Rrustem Mustafa, në një intervistë për KosovaPress, tha se nga e hëna e javës së ardhshme do t’i nisin bisedimet me të gjitha partitë politike për të bërë koalicion dhe për ta formuar Qeverinë. Këtë mundësi Mustafa thotë se ua jep fitorja në zgjedhjet e 8 qershorit.

Thotë të gjithë liderëve të partive politike që të rrinë të qetë, pasi PDK-ja nuk ka dalë në gjah për të marr deputetët e partive të tyre.

“Me përfundimin e procesit ne do të aranzhojmë takimet dhe mundësitë e krijimi të qeverisë së re. Këtë mundësi na jep procesi zgjedhor që ishte më i miri që prej pasluftës, këtë mundësi na jep sepse PDK-ja doli në mënyrë të qytetëruar dhe të fuqishme partia e parë duke fituar zgjedhjet dhe tash i jepet mundësia, jo së pari siç e thoni ju, por së pari e së dyti PDK-ja do të qeverisë vendin këtë mandat qeveritar”, tha Mustafa.

Ai ende nuk e ka ndryshuar mendimin se Kosovës i duhet një koalicion i madh, që do të krijohej mes PDK-së dhe LDK-së, për të krijuar numrat e nevojshëm për ta quar Kosovën në rrugën drejt integrimit në BE.

“I besoj koalicionit të madh PDK-LDK. Pavarësisht se ne kemi edhe mundësi tjera për krijimin e qeverisë, por unë do të doja, sepse koha dhe momenti e kërkon për drejtimin e vendit për Evropë. Na duhet të marrim një mori vendimesh të rëndësishme për këndelljen e vendit, këndelljen e rrugës drejt Evropës. E dëshiroj dhe i besoj koalicionit të madh që do të krijoj stabilitet institucional për vitet e ardhshme për vitet që ne do të rregullojmë shumë segmente të rrugëve për Evropë”, thotë Mustafa.

Kur flet për marrëveshjen LDK-AAK-Nisma, Mustafa thotë se ajo ka ndodhur jashtë praktikave që kanë qenë deri me tani në Kosovë, një marrëveshje që ka ndodhur jashtë procedurave, pa përfunduar procedurat zgjedhore.

Ndërsa, duke folur për takimet me liderët e partive tjera për të diskutuar rreth koalicionit të ardhshëm, Mustafa thotë se ende zyrtarisht nuk kanë filluar ta takojnë askënd, derisa thotë se janë takuar rastësisht dhe miqësisht thuajse me të gjithë liderët e partive tjera.

Mustafa thotë se ka kontakte me të gjitha partitë, e posaçërisht me LDK-në i ka të ruajtura që kur ai ka qenë në LDK, nga koha kur kanë organizuar luftën për lirinë e Kosovës, por sipas tij, ai edhe sot ka lidhje të shëndosha me LDK-në dhe ka biseda.
“Por konkretisht për koalicion ende nuk ka filluar orari dhe ende nuk kanë përfunduar procedura për të filluar bisedimet e qarta konkrete për koalicionin. Mirëpo, kam ndarë opinionin që kam unë me shumë udhëheqës të LDK-së dhe unë shoh mundësi”, theksoi ai.

Mustafa vazhdon të jetë i sigurt që partitë që lidhen koalicion mes vete, pavarësisht humbjes që pësuan, ata duan stabilitetin institucional të vendit dhe duan që të rregullojnë rrugën për shkuarjen në Evropë, dhe për këtë ata do t’i bashkohen koalicionit në ditët në vijim.

Ndërsa, rreth shkrimeve se PDK-ja tashmë ka dal në gjah për të blerë deputetë të partive tjera në mënyrë që t’i bëjë votat për votimin e Qeverisë, Mustafa thotë se ato janë të pavërteta, madje ka një porosi për të gjitha partitë dhe deputetët e tyre.

“Nuk besoj se është e lansuar ndonjë ide e kryeministrit për të shkëputur këdo qoftë nga partitë ekzistuese në opozitë. Nuk është misioni ynë, nuk jam unë njeriu i duhur që të flas për atë punë, unë flas për projekte të mëdha, institucionaliste, për ndërtimin e partive çfarë janë dhe ne jemi duke folur për udhëheqjen e LDK-së, apo udhëheqjen e partive tjera. Nuk flasim asnjëherë, nuk e vëmë asnjëherë vizionin tonë në shërbim të individëve të cilës do parti qofshin ato. Edhe po të ketë ndonjë që do të tenton personalisht apo individualisht t’i bashkëngjitet misionit tonë, unë nuk do t’ia preferoja, për atë do të thosha që të rrinë të qetë të gjithë, PDK-ja nuk ka plane dhe nuk ka angazhime për marrjen e deputetëve veç e veç”, tha Mustafa.

Mustafa shton se do të ketë befasi në krijimin e Qeverisë së re, duke e vlerësuar si shumë normale prishjen e marrëveshjes që kanë mes vete, LDK-AAK-Nisma, për t’iu bashkuar PDK-së në koalicionin qeverisës.

“Duke qenë në politikë që sa kohë, por duke njohur politikat parlamentare që ndodhen në vendet e qytetëruara, e dimë që shumë herë që blloqet që janë krijuar gjatë kohës së zgjedhjeve, apo me vonë apo më herët ato shpesh herë janë thyer dhe janë krijuar befasi. Pse mos të ketë befasi edhe këtu, nuk duhet të ketë betonim nga asnjë parti”, shtoi ai.

Ndërsa, kur flet për befasitë, Mustafa thotë se Nisma është ajo që më së lehti mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës.

“Nisma më se lehti, por unë them se lehtë është për të gjitha partitë të cilat synojnë integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe që dëshirojnë përmirësimin e gjendjes në përgjithësi në vendin tonë”, tha Mustafa.

Përkundër asaj që liderët e partive politike tashmë kanë arritur një koalicion për të formuar qeverinë e ardhshme dhe kanë deklaruar se nuk do t’i përgjigjen PDK-së për të diskutuar formimin e Qeverisë së re, Mustafa thotë se asnjëri nga liderët politik, por në veçanti udhëheqësi i LDK-së nuk ka pse t’i ikë takimeve me askënd, e aq me pak me drejtuesit e PDK-së.

Ndërsa, nga çfarëdo diskutimi, Mustafa e ka përjashtuar çështjen e postit të kryeministrit, duke thënë nuk janë në pozitë të negociojnë për postin e të parit, pasi ata dolën fitues të zgjedhjeve. /Telegrafi/

Më Shumë

32 vjet nga rënia e dëshmorit, Alush Kryeziu

Janë bërë 32 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Alush (Nezir) Kryeziu. Kryeziu ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Ai është përkujtuar sot...

Akil Gjakova lë pas problemet jashtë sportit, përfaqëson Kosovën në Evropianin e xhudos

Xhudisti Akil Gjakova do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian për Senior që do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë nga 25-27 prill. Ky muaj...

Lajmet e Fundit