7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Një muaj që nga ndalimi, futbolli po detyrohet të luajë lojën e pritjes

Një muaj ka kaluar që kur ndeshjet e fundit të futbollit u luajtën në stadiume të mbushura me tifozë në Evropë dhe kërdia e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit nënkupton se asnjëri nuk mund të thotë sigurt se kur do të rikthehet sporti, shkruan agjencia AFP, transmeton Koha.net.

Stadiumi “Ibrox” në Glasgow, të enjten më 12 mars, kishte qenë i mbushur me 50 mijë shikues, ndërsa Rangersi humbi 3:1 në Ligën e Evropës nga Bayer Leverkuseni.

Ndeshjet e tjera atë natë u luajtën pa shikues apo u shtynë, ndërsa Italia kishte njoftuar se numri i viktimave nga virusi ka kaluar shifrën e 1000.

Një muaj që nga atëherë edhe shifrat janë shumë të mëdha nëpër Evropë, ku Italia, Spanja, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë goditur më së rëndi. Shtetet nëpër kontinente me javë tash janë mbyllur.

Asnjëri nuk e di se kur do të lejohet rinisja e sportit pa shikues e lëre më me shikues. Ndikimi psikologjik i situatës aktuale nënkupton se shumë njerëz tash mund të jenë hezitues të mblidhen në turma në një ndeshje futbolli në të ardhmen.

Por, për çdo rast, trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka pranuar se kur është pezulluar stinori në Premier League më 13 mars: “Sot, futbolli dhe ndeshjet e futbollit nuk kanë fare rëndësi”.

Por, klubi i tij është ai që është goditur më së rëndi nga pezullimi, duke e marrë parasysh se është pranë fitimit të titullit të parë të Anglisë në 30 vjet.

Në Angli, futbolli nuk do të kthehet derisa të jetë “sigurt dhe përshtatshëm” të luhet, kanë njoftuar autoritetet.

Mirëpo, Konfederata e Futbollit e Evropës (UEFA) mbetet optimiste për përfundimin e stinorit dhe po punon për mundësitë që të luhet në korrik apo gusht nëse do të jetë nevoja.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, po ashtu ka thënë se në asnjë mënyrë Liverpoolit nuk bën t’i mohohet e drejta të fitojë titullin e Premier Leagues dhe ka thënë se “në rast se ndeshjet nuk mund të luhen, duhet të gjendet një mënyrë”.

Anulimi i një stinori që ishte shumë afër përfundimit nuk ka kuptim, por mbetet të shihet nëse stinori mund të rinisë.

“Asnjë ndeshje, asnjë garë, asnjë ligë nuk e ka peshën aq të madhe saqë të rrezikohet një jetë njeriu. Do të ishte e papërgjegjshme që të detyrohet rinisja e garave nëse nuk është qind për qind sigurt”, ka thënë presidenti i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino.

Dëmi i shkaktuar nga COVID-19 ka qenë i madh. Edhe vetë lojtarët nuk e kanë mendjen të rikthehen në fushë.

“Nuk është se po shqetësohem për këtë. Unë po mendoj së pari për familjen time dhe që të zgjidhet kjo situatë. Është situatë kritike”, ka thënë futbollisti i Paris Saint-Germainit, Pablo Sarabia.

Disa lojtarë me emër dhe trajnerë – nga yjet e Juventusit, Paulo Dybala dhe Blaise Matuidi e deri te trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta – kanë testuar pozitiv me koronavirus. Ish-presidenti i Real Madridit, Lorenzo Sanz ka vdekur nga komplikimet e shkaktuara nga virusi.

Kampionati Evropian “Euro 2020” është shtyrë për një vit, siç është shtyrë edhe “Copa America”.

Lojtarët e klubeve elitare kanë pranuar ulje page, madje deri 70 për qind si te rasti i Barcelonës.

Ka pasur një mosmarrëveshje në Angli, pasi që sekretari i Britanisë për shëndetësi Matt Hancock u ka bërë thirrje lojtarëve të Premier Leagues të pranojnë ulje të pagës.

Po ashtu edhe klubet e pasura të Premier Leagues janë kritikuar pasi kanë përdorur skemën e qeverisë për të paguar një pjesë të stafit gjatë periudhës së krizës. Liverpooli vendosi fillimisht të përdorte këtë skemë, por më pas ndërroi mendje.

Mirëpo, ato klube të pasura nuk mund t’ia dalin pa të hyrat e majme nga të drejtat televizive. Kjo është edhe arsyeja pse po insistohet të kompletohet stinori.

Në Angli, kostoja që klubet e Premier Leagues duhet t’ia rimbursojnë transmetuesit për ndeshjet që nuk do të zhvillohen pritet të jetë në 762 milionë funte (870 milionë euro).

Derisa lojtarët janë të ngujuar në shtëpi, duke tentuar të ndjekin programin e stërvitjeve nga dhomat e tyre apo oborret e shtëpisë, shumë po hamendësojnë nëse futbolli do të ndryshojë tërësisht për shkak të ndikimit financiar të kësaj krize.

“Ekonomia sigurisht se do të jetë ndryshe e po ashtu edhe futbolli. Ndoshta do të jetë mirë”, ka thënë trajneri i Evertonit, Carlo Ancelotti, për “Corriere dello Sport”. Kjo mbetet të shihet.

Më Shumë

Mira Murati, anëtarja më e re e Akademisë së Shkencave

Shqiptarja Mira Murati, një nga emrat më të njohur në botën e teknologjisë, do të jetë pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Asambleja e...

Duda Balje u ndalua nga autoritetet serbe në kufi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje është ndaluar mëngjesin e sotëm nga autoritet serbe në pikën kufitare në Merdare. Sipas “EO”, ajo ka qenë...

Lajmet e Fundit