Prokurorja Dëshirë Jusaj, në fjalën përfundimtare të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka kërkuar dënimin e të akuzuarve Remzi Mazreku, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi, Islam Vrenezi dhe Qlirim Karaqica, të cilët po akuzohen për korrupsion, kurse mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.
Në këtë rast, ish-drejtori i Urbanizmit në Malishevë, Islam Vrenezi, po akuzohet bashkë me zyrtarët komunalë të Malishevës, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi dhe Qlirim Karaqica. Bashkë me ta akuzohet se biznesmeni Remzi Mazreku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Jusaj, në seancë tha se nga provat e administruara, dëgjimi i dëshmitarëve, si dhe deklarimi i të pandehurve, është vërtetuar përshkrimi faktik i veprës për të cilën ngarkohen të akuzuarit.
“Kërkoj nga gjykata që të mos iu falet besimi, pasi që veprimet e tyre duke pasur parasysh që punët nuk i kanë kryer dhe se veprimet e tyre kanë elementet e veprave penale”, tha prokurorja Jusaj.
Ajo i propozoi gjykatës që t’iu shqiptojë edhe dënimin plotësues dhe të bëjë vlerësimin e rrethanave lehtësuese dhe rënduese, duke shtuar se Prokuroria nuk ka gjetur asnjë rrethanë lehtësuese.
Mbrojtësi i të akuzuarit Mazreku, avokati Bekim Kafexholli, tha se Prokuroria ka dështuar që nga faza e rrjedhës së procedurës së hetimeve, pasi që sipas tij janë shkelur të gjitha parimet e KPRK-së.
Asociation “Loyola-Gymnasium” shpall konkurs për një mësimdhënës/e të lëndës së matematikës
Ai tha se nuk është përmbushur asnjë element i veprës penale siç janë dashja dhe vetëdija për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij Mazreku. Ai tha se Mazreku me veprimet e tij nuk ka rënë ndesh me ligjin, andaj kërkoi që të merret aktgjykim lirues.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Shurdhaj, avokatja Bahrije Xhyliqi, ka thënë se Prokuroria nuk ka paraqitur prova shfajësuese për të mbrojturin e saj, ashtu edhe për të akuzuarit e tjerë.
“Ndonëse ka për obligim në përkushtim maksimal të përkujdeset edhe për faktet që shkojnë në favor të të akuzuarit”, tha ajo, duke kërkuar që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza.
Mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Daut Krasniqi, tha se nuk është vërtetuar me asnjë provë apo fakt konkret se i mbrojturi i tij ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Vrenezi, avokati Emrush Kastrati, tha se mbrojtja ka pritur që prokurorja sot ta bëjë plotësimin e aktakuzës, sa i përket vlerës së pretenduar të dëmit të shkaktuar.
“Do të ishte dashur që pas shumës 9870,15 euro, në pajtim me ekspertizën e ekspertit Xhavit Jasiqi, të jetë në lartësi prej 468,17€, siç ka gjetur eksperti që kjo lartësi e vlerës nuk është realizuar sipas projektit”, ka thënë avokati Kastrati.
Kastrati ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, apo në rast të dënimit, të ketë dënim të kushtëzuar, si dhe dënim me gjobë. Ai tha se këtë alternativë e ka dhënë si alternativën më të mirë në këtë çështje penale.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Karaqica, avokati Avdullah Hoti, tha se nuk është treguar me asnjë provë ose një fakt, që i mbrojturi i tij ka tejkaluar kompetencat e tij të shkruara në kontratë dhe sipas detyrave të tij.
Ai i propozoi gjykatës që të analizojë provat veç e veç. Sipas tij, Karaçica nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe kërkoi nga gjykata ta lirojë nga akuza.
Ndërsa, i akuzuari Karaqica, tha se nuk ka marrë pjesë në ndonjë procedurë të tenderimit komisioneve, pranimit teknik, punimeve, etj.
Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Mazreku, avokati Bekim Kafexholli gjykatës i ka dorëzuar dëshmi-pagesë të përpiluar mes kompanisë NT “Flamuri” dhe asaj NN “Ardi”, të datës 28 nëntor 2018 dhe 30 nëntor 2018.
Prokurorja Jusaj kishte vërejtje lidhur me provat e dorëzuara, me arsyetimin se këto prova janë dorëzuar në momentin e dhënies së fjalës përfundimtare, si dhe nuk kanë të bashkëngjitur transaksion bankar.
Ndërsa, gjykata ka miratuar propozimin e avokatit Kafexholli, që të administrohet si provë dëshmi-pagesa në mes të kompanive NT “Flamuri” dhe NN “Ardi”.
I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe J.K., mirëpo i njëjti ka ndërruar jetë dhe ndaj tij ka pushuar procedura penale. Kurse, për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar në bashkëkryerje, akuzohej edhe Valdete Morina, mirëpo ndaj saj është hudhur poshtë aktakuza.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Remzi Mazreku po ngarkohet me veprën penale “Veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”, me arsyetimin se gjatë muajit tetor të vitit 2018, në Malishevë, në cilësi të operatorit ekonomik N.T “Flamuri”, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit.
Aktakuza thotë se J.K, në cilësinë e kryetarit, ndërsa të akuzuarit Jakup Shurdhaj dhe Besnik Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, në dokumentin zyrtar- Raportin e Pranimit Teknik të 16 nëntorit 2018, kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata me operatorin ekonomik N.T “Flamuri” Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Islam Vrenezi, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Malishevës, akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar pasi në dokumentin zyrtar-Raportin e Kryerjes së Punimeve, kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se pas daljes në terren në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj” janë realizuar punimet në bazë të projektit, kurse Qlirim Karaqica po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit në Drejtorinë për Urbanizëm në Malishevë ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi