11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Rexhep Osmani: Studenten nuk e ngacmova seksualisht, ishte keqkuptim

Ish-ministri Arsimit, Rexhep Osmani, i cili dyshohet ta ketë ngacmuar seksualisht një studente, ka folur për Express rreth këtij rasti. Ai në një prononcim për gazetë ka thënë se krejt kjo është një keqkuptim. Osmani thotë se me studentë ka lidhje familjare, dhe se i dashuri i saj (dhëndri) është ngutur kur ka dyshuar. Ish-ministri ka treguar se familja e studentes i kanë kërkuar falje, derisa ka thënë se për këtë rast është intervistuar në polici.

“Nuk është e vërtetë ajo që po raportohet në media. Nuk behët fjalë për ndonjë ngacmim seksual. Krejt kjo është një keqkuptim. Unë me studenten njihemi moti, kemi edhe lidhje familjare. Unë me atë kemi dalë nga konsultimet se bashku edhe kjo është keqkuptuar. Ka reaguar edhe burri i saj. Por kjo situatë është sqaruar më vonë”, ka thënë Osmani.

Ai ka treguar se edhe familjarët e studentes i kanë kërkuar falje.

“Unë jam sqaruar me të gjithë. Familjarët me kanë kërkuar edhe falje. Studenten e njoh dhe e kam njohur edhe më herët. Nuk bëhet fjalë për asnjë ngacmim”.

Ish-ministri ka treguar se për këtë rast ka dhënë edhe një deklaratë në polici, ku thotë se edhe i ka shpjeguar të gjitha.

“Unë e kam dhënë deklaratën në polici. Sikur të kish qenë diçka e vërtetët, ata nuk me kishin liruar menjëherë. Por, unë besoj që nesër kjo punë do të sqarohet tërësisht edhe do të dalë e vërteta”, ka thënë Osmani për Gazetën Express.

Ish -ministri i Arsimit dyshohet se kushtëzoi studenten me favore seksuale

Ish ministri, i Arsimit, Rexhep Osmani, tashmë ligjërues në fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës gjatë ditës së djeshme dyshohet se është përfshirë në një përleshje fizike.

Gazeta Fjala merr vesh nga burime brenda universitetit se deri te kjo përleshje ka ardhur si pasojë e kushtëzimit të notës me favore seksuale që profesori i kishte bërë një studenteje.

Sipas këtyre informatave studentja ka qenë e martuar, dhe menjëherë e ka lajmëruar bashkëshortin e saj lidhur me ngjarjen. Burri i saj ka shkuar në zyrë te profesorit për t’i ‘qëruar’ personalisht hesapet me profesorin Rexhep Osmani.

Gazeta Fjala ka kontaktuar rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Zëdhënësi i UP-së, Afrim Hoti ka thënë për gazetën së janë të njoftuar me rastin dhe se tashmë po presin raportet zyrtare.

“Po e presim raportin nga policia, fakulteti dhe profesori, i cili e shpjegon tërë ngjarjen. Rektori do ta jap vendimin e tij”, ka thënë Hoti.

Gazeta ka provuar të kontaktoj edhe me profesorin Osmani, mirëpo telefoni i tij ka qenë jashtë funksionit.
Lidhur me rastin është e njoftuar edhe policia e Kosovës. PK në raportin e saj thotë se i dyshuari tashmë është shoqëruar në polici, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

“Viktima femër K-Shqiptare ka raportuar se i dyshuari mashkull K-Shqiptar e ka ngacmuar seksualisht. Viktima nuk ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari pas intervistës me urdhër të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.

Gazeta Fjala po ashtu ka kontaktuar edhe me fakultetin e Edukimit. Por këta të fundit nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për këtë gjë./GazetaFjala/

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit