8.8 C
Prizren
E martë, 8 Tetor, 2024

Rugova: Sejdiu po gabon

HakiRugova-ldk14Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, thotë se Fatmir Sejdiu nuk do të duhej të bënte deklarata të atilla që lënë përshtypjen se po i gëzohet humbjes së Isa Mustafës në Prishtinë. Thotë se me këto deklarata Sejdiu po bën gabim të pafalshëm.

Haki Rugova nuk po pajtohet me kritikat e Kryetarit të Nderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Sipas nënkryetarit të LDK’së, Sejdiu nuk do të duhej të bënte deklarata të atilla që lënë përshtypjen se po i gëzohet humbjes së Isa Mustafës në Prishtinë.

Dy ditë më herët ish Kryetari i LDK’së, Fatmir Sejdiu, ka fajësuar direkt pasardhësin e tij në krye të partisë, Isa Mustafën, për humbjen në Prishtinë.

Sejdiu ka thënë gjatë një interviste në KTV se Prishtina nuk fitohet as me duar në xhepa e as me mallkime, duke aluduar në deklaratat e mëhershme të Isa Mustafës.

“Unë i dëgjova ato deklarata dhe nuk mendoj se Fatmir Sejdiu do të duhej të bënte aso deklaratash, për shkak se është Kryetar Nderi, dhe me këto deklarata po e lë përshtypjen sikur të jetë hasretxhi të humbë Isa Mustafa”, ka thënë Rugova në një intervistë për lajmi.net.

“Ai ka qenë Kryetar i LDK’së, tash është Kryetar Nderi dhe tash nëse mendon që është mirë që ka humbur Isa, unë mendoj që e ka shumë gabim”.

“Në fund të fundit, Isa është lider i LDK’së, i ka fituar në zgjedhjet e fundit në Kuvend të LDK’së me vota ku ka qenë kundër-kandidat i Fatmir Sejdiut, dhe tash, ai është Kryetar i LDK’së”.

“Unë do të dëshiroja që Fatmir Sejdiu të jetë krah i LDK’së, të kontribuoj që LDK’ja t’i fitoj zgjedhjet e ardhshme, dhe jo ta sjellë vetën në situata dhe momente të dështimeve, jo vetëm të Mustafës, por cilitdo prej nesh”.

Deri tash Haki Rugova thotë të mos ketë pritur deklarata të tilla nga Fatmir Sejdiu. Por, tash e tutje thotë se nuk do të befasohet me të tilla deklarata të Kryetarit të Nderit.

“Nuk kam pritur, dhe tash kam formuar bindjen që do të presë edhe deklarata tjera”.

“Unë jam nënkryetar i LDK’së dhe Kryetar i Komunës së Istogut, fitues i zgjedhjeve pa balotazh dhe kam pritur së paku përmes një telefonate të më uroj fitoren. Si duket, atij nuk po i pëlqejnë fitoret e LDK’së nëpër komuna”.

“LDK ka fituar në Pejë, Ferizaj, Gjilan, Viti dhe shumë komuna tjera. LDK’ja është në rritje e sipër, a i pëlqen kjo Fatmir Sejdiut a s’i pëlqen është çështje e tij, por ne presim që ai të kontribuoj që fitorja e LDK’së në zgjedhjet e ardhshme të jetë më e fortë e jo të pres me këmbë në zinxhirë, domethënë, të pret që “hajt mos po e then qafën dikush e t’vij unë”.

Fatmir Sejdiu ka shfaqur ambiciet e tij për t’u rikthyer në krye të LDK’së. Ai ka lënë të kuptohet se kjo kërkesë po bëhet nga ajo pjesë e anëtarësisë e pakënaqur me zhvillimet brenda LDK’së.

Por, Haki Rugova i thotë Fatmir Sejdiut se tani nuk është koha për zgjedhje në LDK, por për përgatitje për zgjedhje nacionale në vend.

Nënkryetari i LDK’së thotë se zgjedhje jashtë kalendarit të rregullt s’do të ketë në LDK, pavarësisht dëshirës të ndonjë zyrtari të saj.

“Ne zgjedhjet nacionale do të hyjmë të përgatitur, veç jemi duke i bërë përgatitjet dhe jemi të bindur që do t’i fitojmë zgjedhjet nacionale”.

“Dihet kur janë zgjedhjet partiake, do të thotë, ato ndodhin çdo katër vjet. Nëse konsideron Fatmir Sejdiu se mund të jetë Kryetar i ardhshëm i LDK’së atëherë le të konkurrojë në mënyrë të rregullt sipas procedurave të parapara”.

“Tashti ka ide që të krijojmë edhe Këshilla Nismëtar, t’ia nisim prej zeros LDK’së, pas një historie 24 vjeçare. Ka ide që në qarqe edhe të ish formuesve të LDK’së edhe qarqe intelektuale të ndryshme t’ia nisim nga zero, të krijojmë Këshilla Nismëtar dhe ta formojmë LDK’në prej fillimit. Unë mendoj që kjo është tepër e dëmshme për LDK’në dhe LDK nuk do ta lejoj një gjë të tillë”.

“LDK’ja ka histori dhe pjesë e asaj historie është edhe vet Fatmir Sejdiu dhe nuk mendoj që ajo mund të funksionoj, kështu që presim zgjedhjet, janë procedurat e rregullta krejtësisht demokratike”.

“Unë e pashë që ai tha se dikush po thotë që ka edhe metoda puçiste. Në qoftë se dikush angazhon ekipe të ndryshme, individë, që mos të fitojë Isa Mustafa në Prishtinë apo kudo qoftë, prej strukturave që e quajnë vetën të LDK’së por s’janë pjesë organizative e LDK’së, unë nuk mund ta quaj ndryshe”.

“Pse akuzohet Isa Mustafa, pse Fatmir Sejdiu nuk e akuzon Qeverinë Qendrore për defektet çfarë po ndodhin me qeverisjen në Kosovë, por akuzon partinë e vet, që ka kontribuar shumë për të, kjo është goxha e pafalshme”.

Por, a është kërkuar ndonjëherë dorëheqja e Isa Mustafës nga ndonjë degë ose nga ndonjë anëtar i rëndësishëm i LDK pas humbjes në Prishtinë?

“Absolutisht jo”, thotë me bindje Rugova.

“Mund të ketë individë të cilët janë të pakënaqur me punën e Isa Mustafës, që është shumë normale, që ka plotë njerëz të pakënaqur me individë, me liderë të partive në strukturë mirëpo struktura e LDK’së është duke funksionuar ashtu si duhet dhe nuk besoj se mund të hapen ato porta”.

“Nëse dikush pret të akuzohet Isa Mustafa dhe të krijohet hapësirë për dikë tjetër, ajo është një çështje tjetër”.

“Presim, zgjedhjet në parti do të ndodhin brenda vitit, kandidaturat do të jenë krejt të rregullta, dhe të kandidojnë”.

“Çdo kandidat që vije nesër lider i partisë së LDK’së unë do të jem me atë lider, natyrisht me votë të elektoratit brenda partisë”.

Meqë ky vit është vit zgjedhor edhe në nivel të Kosovës por edhe në LDK, a do t’i mbajë kjo parti zgjedhjet partiake para zgjedhjeve nacionale në Kosovë?

“Absolutisht jo. Nuk ka shansë”, thotë Haki Rugova.

Më Shumë

Dogana parandalon futjen e mallrave me afat të skaduar në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka parandaluar futjet e mallrave me afat të skaduar në treg, në pikën kufitare në Vërmicë. Një subjekt importues kishte paraqitur për...

Një burrë në Prizren ankohet se që nga 1 qershori i janë vjedhur para në shtëpi

Një person në Prizren është ankuar të shtunën në polici se persona të panjohur që nga 1 qershori i këtij viti i kanë vjedhur...

Lajmet e Fundit